E Shtunë, 31 Tetor 2026

Volcker, njeriu pas reformës së Obamës

Personazh

Deri këtë javë, Paul Adolph Volcker, 82 vjeç, arkitekt i sulmit të fundit të Obamës ndaj “Wall Street” nuk kishte dalë aq shumë në pah. Në fund të fundit, maja e karrierës së tij ishte kur drejtoi Rezervën Federale nga viti 1979 deri në vitin 1987. Aktualisht ai drejton panelin e jashtëm presidencial të këshilltarëve për rimëkëmbjen ekonomike të vendit dhe ka mbrojtur në mënyrë të vazhdueshme një mënyrë më agresive të ndreqjes së sistemit financiar, që deri më tani nuk kishte gjetur një mbështetje të madhe në administratën e Obamës. Në shtator, Volcker deklaroi para Kongresit se ai ishte i mendimit që institucionet e mëdha bankare, që ishin edhe përfituesit e ndihmës financiare që iu dha nga paratë e taksapaguesve, duhet të reduktonin disa lloj aktivitetesh shumë të rrezikshme. Mes këtyre aktiviteteve ai futi pronësinë, apo sponsorizimin e fondeve private të investimit. Por kjo këshillë e tij para Kongresit duket se ra në vesh të shurdhër. Tre muaj më parë, një nga gazetat më prestigjioze amerikane shkroi se Volcker dështoi të bindte Kongresin për strategjinë e re bankare që duhet ndjekur për parandalimin e krizave të tjera financiare. Gazetat shkruan më pas se ndikimi i tij nuk ishte i madh dhe se ai nuk kishte fuqinë e duhur për t’u imponuar, duke qenë se askush nuk e vuri ujin në zjarr për ta mbështetur. Por kjo nuk ishte aspak e vërtetë. Volcker, një demokrat, ka qenë mbështetës i politikave ekonomike të Obamës që gjatë fushatës së tij zgjedhore. Megjithatë, ndikimi i tij u zbeh kur në lojë hyri i famshmi Larry Summers, sekretar i Thesarit në presidencën e Bill Klintonit. Summers u bë pas ardhjes së Obamës në pushtet drejtor i Këshillit Kombëtar për Ekonominë. Edhe pse politikisht i izoluar, Volcker nuk ishte pa mbështetje në idenë e tij për të kufizuar aktivitetin e bankave të mëdha. Pozicioni i tij intelektual në lidhje me këtë çështje ndahej edhe nga ekonomistë të tjerë të respektuar. Edhe pse lobistët e bankave të mëdha po përpiqen që ta paraqesin aktualisht atë si “mbirregullues”, qëllimi i Volcker është arritja e një kompromisi me bankat e mëdha, sigurisht aty ku është e mundur. Volcker ka jetuar edhe në periudhën e Depresionit të Madh, periudhë e ndarjes së bankave në banka investimesh e banka tregtare dhe ka shumë përvojë financiare e drejtuese.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›