Obama kundër gjykatës: Vendimi për financimet antidemokratike
Të enjten, Gjykata Supreme hoqi kufizimet për financimet e fushatave
Dje, Presidenti amerikan, Barak Obama, ka ndërmarrë një sulm të paprecedentë ndaj Gjykatës Supreme, duke cilësuar një vendim të saj për donacionet e korporatave në fushatat politike “Një sulm ndaj demokracisë”.
Ky sulm u nxit nga vendimi i së enjtes, i cili shfuqizonte kufizimet e vendosura për financimet e fushatave politike, duke u mundësuar korporatave që të shpenzojnë pa kurrfarë kufizimi për zgjedhjet presidenciale, apo ato në Kongres. Shumica konservatore e argumentoi këtë vendim, me faktin se kufizimet e deritanishme kishin dhunuar të drejtën kushtetuese të korporatave për t’u shprehur lirshëm. Si pasojë e këtij vendimi pritet që në zgjedhjet për në Kongres, këtë vit të derdhen sasi të mëdha parash për kandidatë të ndryshëm. Aktualisht, demokratët e Obamës po përballen me sfidën e mbajtjes së shumicës në Kongres, që rrezikohet nga pakënaqësia e amerikanëve me situatën ekonomike në vend, me rritjen e papunësisë dhe problemet e tjera. “Ky vendim i hap rrugën një fluksi të stërmadh parash, që do të mbështesin interesa të caktuara”, ka deklaruar Obama në fjalën e tij. “Kjo u jep lobistëve, që mbështesin interesa të caktuara, para të tjera për të mbështetur me to ligjvënësit e për t’i bërë që të votojnë sipas dëshirës, apo për t’i dënuar në rast se ata nuk do t’u binden kërkesave. Ky ligj është një goditje e drejtpërdrejtë ndaj demokracisë”, ka vazhduar Obama. Në ciklin zgjedhor të vitit 2008, u shpenzua në tërësi në fushatën zgjedhore një shumë prej 6 miliardë dollarësh, përfshi 1 miliard nga komitetet korporative, organizatat tregtare, ekzekutivë të ndryshëm, apo lobistë.
Me këtë ligj, demokratët kanë frikë se në fushatat zgjedhore do të hyjë një fluks i stërmadh parash nga republikanët, që janë tradicionalisht të mbështetur nga bizneset e mëdha. Dhe kjo duket edhe nga reagimi i republikanëve që kanë shprehur kënaqësinë e tyre për këtë ligj, i cili do t’i ndihmojë në marrjen e shumicës në Kongres në zgjedhjet e radhës që do të zhvillohen në vjeshtë. Nëse republikanët do të kontrollonin Senatin dhe Kongresin së bashku, atëherë kjo do ta dobësonte shumë fuqinë e Obamës. Ndërsa për Obamën është një sulm ndaj demokracisë, për shefin e republikanëve ky ligj përkundrazi e forcon demokracinë. Obama e kundërshtoi vendimin e gjykatës që ditën që u vendos, ndërkohë që shprehu kritikë të drejtpërdrejtë vetëm në fjalimin radiofonik të përjavshëm drejtuar kombit. “Me vendimin që mori Gjykata Supreme e ka bërë më të vështirë kalimin e ligjeve të tilla si promovimi i pavarësisë energjetike, sepse ligji i ri lejon edhe korporatat e huaja që të ndikojnë financiarisht në procesin zgjedhor amerikan”, tha Obama. Ai erdhi në pushtet edhe duke premtuar se do të përdorte të gjithë fuqitë e tij për të pakësuar ndikimin që kanë lobistët e fuqishëm për bankat, kompanitë e sigurimeve dhe grupe të tjera interesi në Uashington. Ai premtoi që administrata e tij do të ndalonte çdo lloj dhurimi që mund t’u bënin lobistët zyrtarëve të administratës. Në kundërpërgjigje të këtij vendimi të Gjykatës Supreme, Obama deklaroi se u kishte dhënë urdhër zyrtarëve të administratës që të punonin me Kongresin për t’i dhënë një përgjigje të duhur vendimit të gjykatës. “Ne e kemi filluar këtë punë dhe ajo do të ketë për ne një prioritet derisa të arrijmë që të riparojmë dëmin që është bërë”, e përfundoi fjalën e tij Obama.
#