E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ulçera, armiku i stomakut

Shkaqet e ulcerës

Është provuar tashmë se ulcera shkaktohet nga infeksioni i helikobakter pylori. Tjetër shkak i ulcerës peptike, lidhet me përdorimin e rregullt të medikamenteve të dhimbjes, të quajtura antiinflamatore jo asteroide (NSAIDs), të cilat përfshijnë aspirinën, ibubrufenin, ketoprofen, naproxen etj. Njerëzit, zakonisht, marrin antiinflamator jo steroid për të qetësuar dhimbjen dhe inflamacionin, zakonisht në artrite (reumatizëm, përdorur nga njerëzit). Përdorimi i zgjatur i tyre, kryesisht nga moshat e vjetra, mund të rrisë riskun për zhvillimin e ulcerës.

Faktorët e riskut

Ju jeni të rrezikuar për sëmundje ulceroze peptike, nëse ju:

Jeni 50 vjeç, ose më shumë

Pini alkool në sasi të mëdha

Jeni duhanpirës

Keni një histori familjare për sëmundje ulceroze.

Ju jeni të rrezikuar për ulcerë, të lidhur me përdorimin e NSAIDs, nëse ju:

Jeni 60 vjeç, ose më shumë

Keni pasur eksperienca të kaluara për ulcerë, ose hemorragji

Merrni medikamente asteroide, si për shembull, prednizoni.

Merrni antikoagulane

Konsumoni alkool, ose duhan rregullisht

Merrni NSAIDs në sasi më të mëdha sesa jua ka përshkruar mjeku apo farmacisti.

Merrni medikamente të ndryshme që përmbajnë aspirinë dhe të tjerë NSAIDs

Merrni NSAIDs për një periudhë të gjatë.

Simptomat e sëmundjes ulceroze peptike

Simptoma më e shpeshtë për një ulcerë, është dhimbja djegëse në stomakun tuaj (epigaster).

Ju do ta ndjeni këtë dhimbje kur stomaku juaj është bosh, zakonisht midis vakteve të ushqimit, por mund të ndodhë në çdo kohë.

Kjo dhimbje mund të zgjasë nga disa minuta në disa orë dhe ndonjëherë mund t’ju zgjojë nga gjumi natën.

Dhimbja e stomakut, shpesh qetësohet nga ushqimi, lëngjet apo marrja e antiacideve.

Të tjera simptoma përfshijnë: Të përziera, të vjella, humbje oreksi, të vjella gjaku, gjak në feqë.

Kur një ulcerë bën hemorragji (sasi të vogla) dhe personi nuk mjekohet, atëherë ky person mund të bëhet anemik dhe ndjehet i dobët, pa fuqi.

Simptomat e ulcerës së shkaktuar nga NSAIDs, janë pak të vëna re nga pacientët dhe mund të shfaqen në mënyrë të menjëhershme.

Ekzaminimet për sëmundjen ulceroze

Nëse ju keni simptoma të sëmundjes ulceroze, menjëherë duhet të lini takim me mjekun specialist gastroenterolog. Mjeku mund t’ju japë disa ekzaminime për të përcaktuar saktë diagnozën tuaj, si dhe të vlerësojë nëse ju jeni të infektuar me helicobakter pylori. Ekzaminimet që mund të rekomandohen janë:

Ekzaminimi radiologjik i traktit tretës. Ky ekzaminim bëhet duke pirë një lëng kontrasti, i quajtur barium, i cili është një lëng i ngjashëm me qumështin dhe pihet nga goja. Bariumi i pirë, vesh shtresën e mukozës së ezofagut, stomakut dhe zorrës së hollë, duke i bërë ato me të dukshme me anë të rrezeve X. Mjeku radiolog që kryen ekzaminimin, mund të dallojë me të ulcerën, ndryshime të tjera në mukozë, apo pengesa të rrugës normale të kalimit të ushqimit në traktin tretës.

Ekzaminimi me endoskopi: Ky është testi më i saktë dhe korrekt, kryhet nga mjeku specialist gastroenterolog. Ky test bëhet duke futur një tub fleksibël nga goja në stomak. Ky tub ka kamera në brendësi, që lejojnë doktorin të shikojë në brendësi të mukozës, për të përcaktuar ndryshimet e saj që lidhen me praninë e ulcerës ose infeksionit.

Trajtimi i ulcerës

Nëse ju jeni diagnostikuar me ulcerë dhe prani të infeksionit me helikobakter pylori, mjeku do t’ju përshkruajë një recetë me dy antibiotikë dhe një medikament tjetër që do të pakësoje aciditetin në stomakun tuaj. Mjekimi me antibiotikë, mund t’ju jepet për një ose dy javë. Ju duhet, gjithashtu, të shmangni marrjen e NSAIDs, si aspirinë, ibubrufen, naproxen, ketotifen etj. Gjatë dhe pas marrjes së mjekimit, duhet të ndaloni përdorimin e alkoolit dhe duhanit, sepse pirja e duhanit frenon procesin e shërimit të ulcerës.

Është i nevojshëm trajtimi kirurgjikal?

Me marrjen e mjekimit dhe trajtimin korrekt të ulcerës, kirurgjia, zakonisht, nuk është e nevojshme. Megjithatë, mund të nevojitet trajtimi me kirurgji, nëse te një ulcerë dështon shërimi nga përdorimi i medikamenteve, apo nëse kjo ulcerë komplikohet me hemorragji, perforacion, apo bllokim të pylorit. Fatmirësisht, terapia kirurgjikale është e nevojshme mjaft rrallë, për faktin se trajtimi medikamentoz i ulcerës është efikas.

Parandalimi i sëmundjes ulceroze.

Nëse ju keni një histori për sëmundje ulceroze, apo keni diskomfor, ju mund të pakësoni riskun për ulcerë nga përdorimi i NSAIDs nëpërmjet:

- Njohjes së faktorëve të riskut

- Përdorimit të NSAIDs të ndryshëm

- Leximit të përshkrimit të medikamenteve dhe ndjekjes së instruksioneve të mjekut dhe farmacistit.

-Përshtatjes së dozës suaj dhe frekuencës së përdorimit

- Zëvendësimit të medikamenteve të qetësimit të dhimbjes

- Diskutimit me mjekun tuaj për rrugët e mbrojtjes së stomakut tuaj

- Shmangies se përdorimit të alkoolit kur merrni medikamente

- Bisedimit me mjekun tuaj, në rast se dhimbja nuk qetësohet apo largohet

Shpresa për të ardhmen

Përfundimisht, duke njohur sesi helikobakter pylori përhapet, dhe shkakton ulcerë, merren masa për të parandaluar këtë infeksion. Në të njëjtën kohë, lajm i mirë për pacientët që vuajnë me sëmundje të ulcerës peptike, është që antibiotikët dhe mjekimi që përdoret për të, është mjaft efikas.

Bajram Begaj, Prof. Dr. Shkencash (shërben në pavijonin e Gastrologjisë, në Qendrën Spitalore Universitare «Nënë Tereza»)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›