E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria me sytë e 5 studentëve shqiptarë në Itali

Bisedë me 5 studentë shqiptarë në Breshia të Italisë. Dy shkodranë, një pukjane, një lushnjar dhe një kavajas. Si është të studiosh në Itali, si e shohin Shqipërinë dhe a duan të kthehen më në shtëpi

1

VELBANA MYFTARI: 25 VJEÇARE NGA PUKA. STUDION NË FAKULTETIN E JURIDIKUT, VITI I FUNDIT

Çfarë ju ka shtyrë të vini në Itali me studime?

Dëshira për një eksperiencë arsimore më tepër.

Cilat janë mbresat që keni mbi Italinë dhe italianët?

Kam pesë vite që po jetoj këtu. Më kanë dhënë mbështetje ekonomike dhe morale.

Jeni të kënaqur mbi çfarë dhe si po studioni?

Sido që të jesh, duhet të kesh pjekurinë e duhur për të ecur vetë.

Cila është ambicia juaj mbi profesionin e ardhshëm?

Ambicia ime më e afërt është të mbaroj provimet. Në të ardhmen do kisha ëndërr fushën e magjistraturës, dhe veçanërisht prokurorinë. Pse jo, në Shqipëri.

Le të kthejmë sytë mbrapa: krahasoni Shqipërinë që latë sapo mbaruat gjimnazin, me atë që gjetët herën e fundit që u kthyet.

Shqipëria ka përparuar. Por fusha më problematike është ajo e shkollimit. Cilësi e ulët.

Cili është pikëvështrimi juaj mbi arsimin shqiptar?

Gjimnazi për mua ka qenë një bazë e fortë, edhe pse njohuritë mbi juridikun ishin të dobëta, për të mos thënë nuk ekzistonin.

Imagjinoni një sekondë veten në krye të shtetit: cilat do ishin ligjet tuaja të para?

Mbështetje e madhe financiare në Drejtësi dhe në Rendin publik.

Përse sipas jush emigrantët shqiptarë, në prag të 2009-ës, nuk kanë akoma mundësinë e votës për vendin e tyre?

Sepse politikanët që kemi sot i frikëson e vërteta. Dhe e vërteta është që shumica e shqiptarëve jashtë e brenda vendit, nuk i do.

Çfarë do ndryshonte nëse do e kishit mundësinë e votimit?

Politikanët do na dëgjonin shumë më shumë.

Sa larg standardeve evropiane është Shqipëria?

Aty-këtu aparenca është e bukur, sidomos për ne që kthehemi në Shqipëri vetëm një herë në vit, por shumë gjëra janë sipërfaqësore, mungon substanca.

Të bëjmë një udhëtim në të ardhmen: ku dhe si e imagjinoni veten pas dhjetë viteve?

Në Shqipëri besoj. Shpresoj të gjej punë në vendin tim dhe në fushën time.

2

MEMETJON BEQO: 25 VJEÇAR NGA LUSHNJA. STUDION NË FAKULTETIN E EKONOMIKUT, NE VIT TË PARË

PËR MONEDHË DHE FINANCË.

Çfarë ju ka shtyrë të vini në Itali me studime?

Kryesorja ishte mundësia e pakët për të vazhduar fakultetin në Tiranë; me pak fjalë ishte një zgjedhje e detyruar.

Cilat janë mbresat që keni mbi Italinë dhe italianët?

Për personat me të cilët jam në kontakt në jetën studentore, nuk kam aspak mbresa negative, por kam 7 vjet që punoj dhe shoh më shumë racizëm në punë sesa në fakultet.

Jeni të kënaqur mbi çfarë dhe si po studioni?

Nga ana didaktike jam mëse i kënaqur; gjatë këtyre viteve shkolla më ka dhënë në dorë instrumente që më vonë do t'i përdor në praktikat e punës.

Cila është ambicia juaj mbi profesionin e ardhshëm?

Do kisha dëshirë të qëndroja në fushën e financës. Konsulent ndërmarrjeje nuk do ishte keq.

Le të kthejmë sytë mbrapa: krahasoni Shqipërinë që latë sapo mbaruat gjimnazin, me atë që gjetët herën e fundit që u kthyet.

Në përgjithësi jemi zhvilluar në mënyrë eksponenciale, sidomos në turizëm dhe ndërtime. Ana negative është që ka monopole, nuk ke mundësi të hysh në botën e biznesit pa suport politik.

Cili është pikëvështrimi juaj mbi arsimin shqiptar?

Unë vij nga “Qemal Stafa” i Tiranës, dhe për mua ka qenë një përgatitje shumë e mirë. Për lëndën time, më ka ndihmuar në mënyrë të veçantë matematika. Universiteti mund të ketë të gjitha cilësitë e botës, por kur studenti di që e merr provimin me para, nuk ka më vlerë asgjë.

Imagjinoni një sekondë veten në krye të shtetit: cilat do ishin ligjet tuaja të para?

Do pyesja veten: populli im për çfarë ka nevojë? Për një jetë dinjitoze. Pengesa më e madhe është korrupsioni. Do ishte sëmundja e parë që do luftoja.

Përse sipas jush emigrantët shqiptarë, në prag të 2009-ës, nuk kanë akoma mundësinë e votës për vendin e tyre?

Motivi kryesor është se politikanët e tanishëm nuk e kanë këtë vullnet sepse kanë një vizion të ndryshëm nga ne. Dhe tashmë e dinë që ne nuk kemi më besim te ta.

Çfarë do ndryshonte nëse do e kishit mundësinë e votimit?

Ana pozitive është se do ndryshonin fytyrat në politikë.

Sa larg standardeve evropiane është Shqipëria?

Nga ana ekonomike, për fat të keq, është ende larg.

Të bëjmë një udhëtim në të ardhmen: ku dhe si e imagjinoni veten pas dhjetë viteve?

Imagjinoj veten në Shqipëri, shpresoj në një profesion të mirë dhe me familje. Nuk besoj se do qëndroj në Itali, asnjëherë nuk e kam dashur një gjë të tillë.

3

ALBAN MUZAKA: 21 VJEÇAR NGA KAVAJA. STUDION NË FAKULTETIN E INXHINIERISË, DEGA E

TELEKOMUNIKACIONIT, VITI I PARË SPECIALISTIK.

Çfarë ju ka shtyrë të vini në Itali me studime?

Të gjithë vëllezërit i kisha jashtë Shqipërisë.

Cilat janë mbresat që keni mbi Italinë dhe italianët?

Kam miq italianë, shkoj fle edhe në shtëpitë e tyre. Kjo më ndihmon sepse nuk më duket më se jetoj në emigracion.

Jeni të kënaqur mbi çfarë dhe si po studioni?

Profesorët janë të gatshëm për të të ndihmuar, leksionet janë të cilësisë së lartë, dhe çdo degë ka laboratorin e vet. Gjithçka është ndërtuar për studentin.

Cila është ambicia juaj mbi profesionin e ardhshëm?

Shpresoj inxhinier telekomunikacioni, me specializim në transmetim sinjalesh.

Le të kthejmë sytë mbrapa: krahasoni Shqipërinë që latë sapo mbaruat gjimnazin, me atë që gjetët herën e fundit që u kthyet.

Nuk kam shumë që kam ikur, vetëm tre vite më parë isha një maturant. Më ka bërë përshtypje teknologjia dixhitale, por më bëjnë prapë përshtypje nga ana negative 700 partitë dhe po ata politikanë që ishin po në ato poste 20 vite më parë.

Cili është pikëvështrimi juaj mbi arsimin shqiptar?

Kur semestrin e parë universitar bëra provimet e matematikës dhe fizikës, kuptova që nga ana e shkencave ekzakte, gjimnazi im ishte i një niveli të lartë.

Imagjinoni një sekondë veten në krye të shtetit: cilat do ishin ligjet tuaja të para?

Do rregulloja shërbimin spitalor

Përse sipas jush emigrantët shqiptarë, në prag të 2009-ës, nuk kanë akoma mundësinë e votës për vendin e tyre?

Sepse, nëse votojmë ne, të gjithë politikanët në vend kanë për të humbur.

Çfarë do ndryshonte nëse do e kishit mundësinë e votimit?

Ujku, pavarësisht ngjyrës, ujk mbetet. Jam pesimist nga kjo anë, sepse nuk kemi alternativa politike po ta mendosh mirë.

Sa larg standardeve evropiane është Shqipëria?

Ne ecim përpara, por BE nuk rri në vend. Është një garë shpejtësie që nuk kemi për ta fituar ndonjëherë, nëse vazhdojmë me po këta njerëz të lodhur në drejtim.

Të bëjmë një udhëtim në të ardhmen: ku dhe si e imagjinoni veten pas dhjetë viteve?

Shpresoj të gjej punë dhe të stabilizohem në Itali. Nuk besoj të kthehem në Shqipëri.

4

EDVIN MANDIJA: 25 VJEÇAR NGA SHKODRA. STUDION NË FAKULTETIN E EKONOMIKUT, DEGA E FINANCËS DHE RISK MANAGER. VITI I PARË SPECIALISTIK.

Çfarë ju ka shtyrë të vini në Itali me studime?

Shikoja Italinë si një mundësi më e mirë për t’u shkolluar.

Cilat janë mbresat që keni mbi Italinë dhe italianët?

Me brezin e mesëm dhe me studentët kam raporte shumë të mira. Problematikat pastaj rriten në proporcion me moshën.

Jeni të kënaqur mbi çfarë dhe si po studioni?

Padyshim që po. Jam veçanërisht i kënaqur edhe për tre muajt e stazhit: një periudhë kohe ku je në kontakt direkt me botën reale.

Cila është ambicia juaj mbi profesionin e ardhshëm?

Sigurisht fusha financiare dhe ajo bankare. Ëndrra ime do ishte të punoja në Bankën Qëndrore të Shqipërisë.

Le të kthejmë sytë mbrapa: krahasoni Shqipërinë që latë sapo mbaruat gjimnazin, me atë që gjetët herën e fundit që u kthyet.

Kanë ndryshuar shumë gjëra (në infrastrukturë për shembull), por më duket sikur disa rrugë janë akoma të bllokuara, sidomos për brezin e ri.

Cili është pikëvështrimi juaj mbi arsimin shqiptar?

Erdha në Itali me një bazë të shëndoshë për sa i përket shkencave ekzakte dhe gjuhës së huaj. Por, më e rëndësishmja është që erdha në Itali me një metodë të rreptë studimi.

Imagjinoni një sekondë veten në krye të shtetit: cilat do ishin ligjet tuaja të para?

Ligji i parë që do firmosja do ishte eliminimi i taksave doganore.

Përse sipas jush emigrantët shqiptarë, në prag të 2009-ës, nuk kanë akoma mundësinë e votës për vendin e tyre?

Besoj se nga ana organizative një gjë e tillë do ishte shumë e vështirë dhe impenjative.

Çfarë do ndryshonte nëse do e kishit mundësinë e votimit?

Ndryshimet do ishin tepër relative: ndoshta në gusht do bëhej më shumë propagandë elektorale, por asgjë më tepër.

Sa larg standardeve evropiane është Shqipëria?

Nuk jemi shumë larg. Personalisht e shoh realitetin shqiptar nga një kënd optimist.

Të bëjmë një udhëtim në të ardhmen: ku dhe si e imagjinoni veten pas dhjetë viteve?

Dëshira ime është të kthehem. Por gjithçka varet nga puna që arrij të gjej. Një gjë është e sigurt: dokumentet italiane nuk kam për t’i djegur.

5

ARTAN BASHLI: 32 VJEÇAR NGA SHKODRA. STUDION NË FAKULTETIN E JURIDIKUT, VITI I FUNDIT SPECIALISTIK.

Çfarë ju ka shtyrë të vini në Itali me studime?

Kam ardhur në Itali për probleme ekonomike. Por gjëja e parë që mësova ishte që shkolla ishte ideja më e mirë për jetën time.

Cilat janë mbresat që keni mbi Italinë dhe italianët?

Popull indiferent, por nuk është Italia që pasqyrohet për shumicën e të huajve. Ka natyrisht vështirësi për t’u integruar, por më të shumtat e tyre burojnë nga ne.

Jeni të kënaqur mbi çfarë dhe si po studioni?

Marrim shumë informacione, por nuk më pëlqen mënyra autodidaktike, sepse jemi mësuar më një sistem rus kontrolli. Këtu pavarësia është e madhe, dhe nuk e di sa e ndihmon studentin.

Cila është ambicia juaj mbi profesionin e ardhshëm?

Do kisha dëshirë të bëhesha një avokat dhe një politikan i mirë.

Le të kthejmë sytë mbrapa: krahasoni Shqipërinë që latë sapo mbaruat gjimnazin, me atë që gjetët herën e fundit që u kthyet.

Shqipëria ka ndryshuar rrënjësisht, dhe, sikur të kthehesha në atdhe pas një kohe të gjatë larg, nuk  do u besoja syve. Problemi kryesor për mua ngelet mentaliteti ynë mendjengushtë që nuk na lë të ecim përpara. Duhet të ndryshojmë përditë nga pak, pa humbur traditat e mira që kemi.

Cili është pikëvështrimi juaj mbi arsimin shqiptar?

Sistemi shkollor shqiptar, për sa i përket lëndëve sociale, është i ndikuar nga regjimi i kaluar, ndërkohë që shkencat ekzakte janë më të zhvilluara.

Imagjinoni një sekondë veten në krye të shtetit: cilat do ishin ligjet tuaja të para?

Ligji i parë që do firmosja, do ishte reforma e drejtësisë. Duhet rikthyer besimi te shteti.

Përse sipas jush emigrantët shqiptarë, në prag të 2009-ës, nuk kanë akoma mundësinë e votës për vendin e tyre?

Për dy faktorë: së pari falë çorganizimit tonë, sepse ne mezi sigurojmë mbarëvajtjen e votimit në vend, jo më jashtë shtetit. Së dyti kam përshtypjen që politika shqiptare ka frikë nga emigrantët.

Çfarë do ndryshonte nëse do e kishit mundësinë e votimit?

Duke na dhënë të drejtën e votës, do saldohet më shumë lidhja morale dhe ekonomike me Shqipërinë. Të mos harrojmë që emigrantët investojnë gjithmonë e më pak në vendin e tyre, dhe me të ashtuquajturën “gjeneratën e dytë”, do bëhet akoma më keq.

Sa larg standardeve evropiane është Shqipëria?

Besoj se Shqipëria në përgjithësi është larg. Aparenca luksoze e shtresës së lartë të gënjen. Blloku nuk është Tirana, dhe Tirana nuk është Shqipëria, dhe mos të harrojmë që në Evropë nuk do futet vetëm Blloku.

Të bëjmë një udhëtim në të ardhmen: ku dhe si e imagjinoni veten pas dhjetë viteve?

Ëndrra ime është të gjej veten në Shqipëri, në shërbim të njerëzve, dhe në shërbim të vetes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›