E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: “Do të mbrojmë votën dhe me ish-policë”

Autori i Lajmit: red.
Partia Socialiste është e vendosur të mbrojë me çdo kusht votën e zgjedhësve më 28 qershor dhe për këtë është e gatshme të organizojë grupe të ndryshme njerëzish, ndër të cilët dhe ish-policë të larguar nga detyra. Emra të njohur si Pjerin Ndreu, Artan Didi, Xhevahir Karaj, do të jenë pjesë e strukturave të saj në mbrojtje të votës. Nënsekretari për çështje ligjore, Damian Gjiknuri, thotë se socialistët do ta monitorojnë me vëmendje procesin. “Do t i bëjmë sytë katër që të mos lejojmë asnjë shkelje, asnjë cenim të votës së shqiptarëve nga ana e qeverisë, sepse qeveritë kryesisht kanë tendencën për të abuzuar me pushtetin. Në PS janë ofruar shumë kategori njerëzish, përfshirë edhe ish-policë, të cilët në mënyrë të paligjshme janë liruar nga detyra, megjithëse kanë qenë policë të trajnuar, pra oficerë policie karriere, ashtu sikurse janë ofruar dhe shumë shtetas të tjerë, të cilët kanë punuar në administratën publike dhe janë hequr në mënyrë të paligjshme. Këta njerëz, një pjesë e mirë e tyre janë të angazhuar në strukturat e PS-së, një pjesë mund të jenë bërë anëtarë të PS-së, një pjesë tjetër mund të jenë bërë vullnetarë të cilët duan të kontribuojnë për zgjedhje të lira e të ndershme. Këta njerëz do të ofrojnë vullnetin e tyre dhe disponibilitetin fizik për të qenë në qendra votimi të caktuara, duke vëzhguar situatën në terren, duke denoncuar të gjitha faktet”, - tha Gjiknuri. Më 18 shkurt 2007, një grup vullnetarësh, me në krye deputetin atëherë socialist, Paulin Sterkaj, ka vepruar në Tiranë. Nuk do të ishte hera e parë thotë Gjiknuri që demokratët do të tentonin manipulim të votës. Veç ish- policëve në Partinë Socialiste janë afruar edhe një pjesë e mirë e ish-punonjësve të administratës që ndihmojnë për një proces zgjedhor të rregullt.
Ky lajm është publikuar: 08/04/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›