E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi-Brenda: Përparësia e presidencës ceke, zgjerimi i BE-së

Autori i Lajmit: red.
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, priti sot një takim në Pallatin e Brigadave, Kryetarin e Komisionit për Kushtetutën dhe Çështjet Ligjore të Parlamentit çek, Marek Brenda, dhe delegacionin që e shoqëronte në kuadër të vizitës së tij zyrtare në vendin tonë. Brenda theksoi se Republika Cceke, e cila ka edhe presidencën e radhës të Bashkimit Evropian, ka si përparësi zgjerimin dhe integrimin e bllokut me vende të Ballkanit, por duke u kujtuar atyre që të plotësojnë standardet e kërkuara. Fillimisht parlamentari cek, Brenda, i bëri zotit Topi urimet më të përzemërta për anëtarësimin e Shqipërisë me të drejta të plota në Aleancën e Atlantikut të Veriut. Më pas të dy personalitetet diskutuan për zhvillimet aktuale në vend dhe më konkretisht reforma në sistemin e drejtësisë. Në këtë drejtim Brenda shprehu mbështetjen e shtetit çek dhe vlerësoi se reformat në drejtësi në funksion të rritjes dhe konsolidimit të pavarësisë së gjyqësorit përbëjnë standarde të vërteta integruese. Ndërsa presidenti Topi në fjalën e tij konfirmoi vullnetin dhe angazhimin e klasës politike shqiptare për realizimin e zgjedhjeve të lira, të ndershme dhe të pakontestueshme, si një garanci më shumë për të ardhmen e Shqipërisë në familjen e madhe evropiane.
Ky lajm është publikuar: 08/04/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›