PS: Do të rrisim përfaqësimin e grave në vendimmarrje
Gjatë takimit të organizuar nga Platforma IDR mbi rolin e grave në vendimmarrje, koordinatorja kombëtare e Forumit të Gruas Socialiste Shqiptare, Ermira Danaj, bëri një prezantim të nismave dhe objektivave të PS-së mbi përfshirjen e grave dhe vajzave në jetën sociale dhe politike. Danaj tha se PS-ja ka shënuar një risi të veçantë duke krijuar hapësira të konsiderueshme për gratë, të cilat përbëjnë 30% të delegatëve në Kongres, 50% të Asamblesë Kombëtare dhe 50% të Kryesisë së Partisë. Sipas saj, objektivi i PS-së është rritja e përfaqësimit të grave në vendimmarrje.
“Për këtë arsye, përfshirja e kuotave për pjesëmarrjen e grave dhe vajzave në sistemin vendimmarrës, është shumë i rëndësishëm për shoqërinë shqiptare, sepse bën të mundur që ato të ndikojnë në hartimin apo mënyrat e zbatimit të programeve dhe politikave të ndryshme; bën të mundur që në hartimin e politikave apo buxheteve të merret në konsideratë se si këto politika apo buxhete prekin dhe ndikojnë të gratë dhe te burrat dhe ç’është më e rëndësishmja ndihmon në rritjen e ndërgjegjësimit të grave dhe vajzave për mundësitë dhe potencialet që ato kanë”, - tha Danaj.
28 Maj 2008