PS: Të prishen kontratat me firmat spekulante në miniera
Partia Socialiste akuzon qeverinë “Berisha” si shkaktare të situatës së rënduar në minierat në verilindje të vendit, ku po ndodhin gjithnjë e më shpesh raste vdekjesh të minatorëve. Sekretari për Programin në PS, Ilir Beqja, pasi ngushëlloi familjarët e Mehmet Ramës, minatorit më të fundit që humbi jetën në këto miniera, kërkoi nga qeveria që të ndërpresë kontratën me firmat spekuluese në këto miniera dhe mbylljen e tyre.
Qeveria është përgjegjëse për situatën e rëndë të krijuar në minierat e Bulqizës dhe Batrës, ku çdo muaj humb jetën një minator. Ministria përkatëse duhet të kishte marrë me kohë përgjegjësitë politike. Nuk mund të vazhdohet me konkluzionet cinike që fajtor ishte minatori. Situata është tejet kritike në këto miniera ndaj duhen marrë masa radikale për të mbyllur shpellat e vdekjes, deri sa të garantohet jeta e atyre që punojnë në këto galeri. Të sigurohet ndërkohë shpërblimi i minatorëve gjatë kohës së nevojshme që do të bëhet garantimi i jetës brenda këtyre minierave. Duhet menjëherë të prishen kontratat e vdekjes me firmat spekulante dhe të zbatohen masa të ashpra ligjore për shfrytëzuesit e palicencuar”, - tha Beqja.
28 Maj 2008