E Diel, 1 Nëntor 2026

PS: Drafti ekziston, PD pranoi konsensusin

Diplomatët, sërish konsultime për formulën e zgjidhjes së krizës politike

Tri ditë pas insistimit të Berishës për mosekzistencën e një drafti, nuk ka pasur asnjë koment nga OSBE-ja, kreu i së cilës ka deklaruar se është shpërndarë një material. Por diplomatët perëndimorë në Tiranë mësohet se kanë zhvilluar konsultime intensive si me njëri-tjetrin, por edhe me përfaqësues të PS-së dhe PD-së për të avancuar arritjen e zgjidhjes. Ndërkaq, dy nga ekspertët e opozitës konfirmojnë se drafti ekziston, por është Berisha ai që e injoron. “Faktori ndërkombëtar, apo miqtë ndërkombëtarë, gjatë gjithë kësaj periudhe kanë qenë mjaft të shqetësuar për degradimin e krizës politike në Shqipëri dhe kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm si me përfaqësues të opozitës edhe me përfaqësues të mazhorancës dhe pas shkëmbimit të opinioneve me aktorët politikë kanë arritur në një draft/propozim, të cilin ne e kemi pranuar duke marrë parasysh situatën e rëndë politike që kalon vendi dhe sfidat që ka përballë. Një propozim, i cili i hap në thelb rrugën transparencës së zgjedhjeve të kaluara dhe nga ana tjetër investon një institucion autoritar siç është Komisioni i Venecias, që ka një ekspertizë shumë të dalluar për një çështje e cila mund të jetë objekt interpretimi për hapjen e kutive të votimit”, ka deklaruar deputeti Ditmir Bushati. Sipas deputetit dhe juristit Damian Gjiknuri, kjo situatë është parashikuar qartë në nenin 178 të Kodit Zgjedhor. “Pra, materialet zgjedhore ruhen në arkivat shtetërorë, gjë që do të thotë se janë të aksesueshme në çdo kohë për çështje hetimore, kurse fletët e votimit ka përcaktuar që asgjësohen pasi nuk kanë më rëndësi publike. Nuk parashikohen sekuenca, mbase për arsye praktike mund të mendohet që ato të asgjësohen në momentin kur hapen, por përderisa kemi një interes publik dhe për aq kohë sa Kodi Zgjedhor nuk ka parashikuar sekuenca dhe as nuk ka thënë që patjetër duhet bërë menjëherë, si dhe kur ka një krizë politike në mes dhe kur ka një interes për hetim, kjo gjë mund të realizohet shumë thjesht. Mjafton me aktin e KQZ, i cili do të bënte të mundur hapjen e kutive të materialeve zgjedhore sipas ligjit dhe të përcaktohej dhe ruajtja e tyre derisa Komisioni i Venecias të shprehej për këtë. Ose një zgjidhje tjetër do të ishte që komisioni hetimor me planin e hetimit t’i bënte një kërkesë KQZ-së, ku t’i thoshte që ju do t’i ruani kutitë me fletët e votimit derisa të shprehet Komisioni i Venecias”, ka deklaruar Gjiknuri.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›