Droga, kërkohet ndërlidhësi i grupeve kriminale
Një ndërlidhës i grupit kriminal që trafikonte lëndë narkotike, i cili u shkatërrua nga prokuroria gjatë operacionit të koduar “Ura”, është shpallur në kërkim ndërkombëtar. Burime nga Prokuroria e Përgjithshme thanë se personi në fjalë është identifikuar, por gjatë ekzekutimit të masës së arrestit nga gjykata ai nuk është gjetur në vendstrehimet e tij. Sipas hetuesve të çështjes, i shpalluri në kërkim kishte një rol thelbësor në organizimin e grupit kriminal të drejtuar nga shtetasi Endrit Dokle, i cili po gjykohet aktualisht në gjykatë për disa vrasje, i arrestuar në vitin 2006. Dokle drejtonte grupin kriminal nga qelia e burgut nëpërmjet telefonit dhe shpeshherë kontaktonte me ndërlidhësin për të gjetur sasitë e lëndës narkotike që më pas do të trafikoheshin në Itali. Burime nga akuza qendrore thanë se Endrit Dokle arrinte të kontaktonte me ndërlidhësin dhe “porosiste” nga ai sasi të konsiderueshme heroine. Ndërlidhësi dyshohet se kontaktonte me disa persona nga Librazhdi, duke iu siguruar kështu shtatë anëtarëve të grupit sasinë e lëndës narkotike.
HetimetShtatë personat e arrestuar disa ditë më parë me urdhër të Prokurorisë së Krimeve të Rënda kanë bashkëpunuar me një tjetër grup kriminal që qendrën e kishte në qytetin e Librazhdit. Disa prej këtyre personave janë arrestuar gjatë operacionit të koduar “Oktapodi”. Burime nga akuza qendrore thanë se këto dy grupe kriminale shkëmbenin heroinë me qëllim dërgimin e saj në Itali. Sipas të dhënave nga prokuroria shqiptare, por edhe ajo italiane, lënda narkotike blihej në Maqedoni dhe Kosovë nga të dyja grupet. “Në mes të këtyre grupeve, të cilat merrnin dhe jepnin lëndë narkotike, ndodhej një person ndërlidhës, i cili ende nuk është arrestuar. Në shumicën e rasteve përdoreshin korrierët për të transportuar lëndën narkotike”, thanë burimet nga akuza qendrore. Sipas tyre, shtatë të arrestuarit e operacionit “Ura” kanë trafikuar 40 kilogramë heroinë. Kjo sasi është dërguar në Itali me dy episode, me nga 20 kilogramë. Nga dyshimet e ngritura dyshohet se grupi kishte vite që kryente këtë aktivitet kriminal, dhe për pasojë mendohet se ai ka trafikuar në Itali rreth 200 kilogramë heroinë. Ndërkohë, më 10 maj të vitit 2009, Drejtoria Kundër Krimit të Organizuar në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, finalizuan operacionin e koduar “Oktapodi”, ku u bë sekuestrimi i 8 kilogramëve lëndë narkotike heroinë, si dhe u arrestuan në flagrancë tre shtetasit E.Gj, 66 vjeç, djali i tij O.Gj, 22 vjeç dhe nipi E.Gj, 20 vjeç, që të tre nga qyteti i Librazhdit. Këta persona dyshohet se bashkëpunonin me shtatë të arrestuarit e operacionit “Ura”.
GrupiHetimet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda kanë përcaktuar se të akuzuarit dhe arrestuarit gjatë operacionit të koduar “Ura” kishin pseudonime. Shtetasi Isuf Buna përdorte pseudonimin “Lalushi”, Shefqet Vata njihej ndryshe si “çeti”, Jorid Xhunga kishte nofkën “Ruçi” e “Ridi”, Edmond Taullaj (vëllai i Indrit Taullajt) njihej si “Moke”, Vito Babe kishte pseudonimin “Vehap” dhe Eglantina Lulo njihej si “Tina”. Hetimet për aktivitetin kriminal të këtij grupi kanë filluar në muajin shtator të vitit 2008, në kuadër të procedimit penal numër 84 të regjistruar në Prokurorinë për Krime të Rënda në Tiranë. “Ky grup kriminal ka pasur si aktivitet të tij trafikimin e heroinës në drejtim të Italisë, në rrugë tokësore duke bashkëpunuar me elementë kriminalë në vende të tjera si Kosovë, Bosnjë, Kroaci e Itali”, thanë burimet nga akuza qendrore. Ndërkohë individë të hetuar nga prokuroria kanë organizuar grupe kriminale për trafikimin e narkotikëve nga qelitë e burgut. Mësohet se Prokuroria e Krimeve të Rënda ra në gjurmët e këtij grupi falë informacioneve të Prokurorisë së Durrësit. “Dosja është referuar nga Prokuroria e Durrësit në vitin 1998”, thanë burimet nga Prokuroria e Përgjithshme, të cilat saktësojnë se hetimet kanë filluar pas vrasjes së shtetasit Arjan Saliu në qytetin bregdetar. Menjëherë pas kësaj vrasjeje, prokuroria zbuloi se një grup personash kryenin aktivitet kriminal në fushën e trafikut të narkotikëve. Nga të dhënat e mbledhura, përgjimet e vëzhgimet, rezultoi se grupi kishte një shtrirje rajonale dhe drejtohej nga një person i paraburgosur dhe në proces gjykimi te Krimet e Rënda. Ka të dhëna se lënda narkotike dërgohej nga Shqipëria dhe sapo nisej, drejtësia shqiptare lajmëronte në kohë shtetin italian për sasitë e drogës. Lënda nuk sekuestrohej në territorin shqiptar për shkak të mosdekonspirimit të hetimeve.
#