E Shtunë, 31 Tetor 2026

ZBARDHEN NEGOCIATAT - PS mbyll grevën pa kutitë,Rama e Berisha në Strasburg



Rama: Po ndërpresim grevën për vizat

ADI SHKEMBI

“Unë dëshiroj të ndaj me ju bindjen se të gjithë së bashku duhet t’i bëjmë një ftesë atyre që janë ende në sakrificën e grevës së urisë, që të bien në një mendje me ne për ta ndalur këtë grevë”. Me këtë fjali i është drejtuar mbrëmë kreu i PS-së, Edi Rama protestuesve të mbledhur për të 20-tën ditë rresht para Kryeministrisë, por edhe deputetëve dhe mbështetësve, të cilët që nga 30 prilli vendosën të nisnin grevën e urisë. Në rreth 30 minuta, kreu i opozitës tha se ndërprerja e kësaj greve dhe nisja e negociatave, këtë herë në Strasburg, është një shans i ri për vendin që nuk duhet humbur. “është ora e një shansi të ri, është momenti i një mundësie të re, është dita për të mos e lënë këtë shans të humbasë dhe këtë mundësi të zhbëhet, sepse çdo shans që humbet, çdo mundësi që zhbëhet, është kohë e çmuar dhe energji e vyer, që humbet e ç’bëhet në një përpjekje të jashtëzakonshme, në një përpjekje të denjë sa vetë liria dhe të drejtat e njeriut, por njëkohësisht në një përpjekje plotësisht të shmangshme, në rast se forca e arsyes triumfon mbi arsyen e forcës”, u shpreh kreu i PS-së. Por në të njëjtën kohë, sipas tij, opozita nuk do të ndalet dhe tërhiqet nëse negociatat për transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit, do të dështojnë. “Le të urojmë miq, të dashur motra dhe vëllezër, qytetarë e qytetare të këtij vendi, se nesër është dita e mbarë, por le ta përshëndesim njëri-tjetrin duke garantuar njëkohësisht, se ne nuk ndalemi, ne nuk zmbrapsemi dhe se ne jemi të gatshëm për përpjekje e sakrifica të reja, në rast se zgjidhja nuk do të vijë dhe në rast se arsyeja e forcës do vazhdojë t’i imponohet forcës së arsyes”, vijoi më tej Rama.
Vizat e integrimi
Nga bulevardi përpara Kryeministrisë dhe Kuvendit, kreu i opozitës konfirmoi pjesëmarrjen në tryezën e sotme në Strasburg, ku përballë tij do të jetë Kryeministri Berisha. Sipas Ramës, opozita është gati të jetë në këto negociata dhe t’i hapë rrugën vendit, i cili është në prag të liberalizimit të vizave dhe në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Evropian. “Nesër përfaqësuesit më të lartë të së majtës dhe të djathtës evropiane, me mbështetjen e të gjithë komunitetit ndërkombëtar presin në tryezë të dyja palët, për të kërkuar zgjidhjen dhe për t’i hapur rrugën jo vetëm transparencës, por edhe përballjes me sfidat e integrimit”, u shpreh lideri i opozitës. Sipas Ramës “përgjigja ime në emrin e të gjithëve ju, në emër të të gjithë atyre që kanë qenë pjesë e rrugës së gjatë dhe të mundimshme të kësaj proteste, këtu e muaj të tërë më parë, dhe në emër të atyre që këtë protestë e ngritën në pidestal me sakrificën e tyre këtu në grevën e urisë, ka qenë e menjëhershme dhe pa asnjë ngurrim, po ne jemi të gatshëm t’i japim zgjidhje kësaj krize. Ne jemi të gatshëm të hapim rrugën e liberalizimit të vizave. Ne jemi të gatshëm të hapim rrugën e integrimit të vërtetë të Shqipërisë drejt BE”. Kryetari i Partisë Socialiste theksoi para mbështetësve të tij se opozita për asnjë moment nuk e ka harruar se në çfarë momenti dhe në cilën pjesë të rrugës drejt Bashkimit Evropian është Shqipëria. Sipas tij, megjithëse maxhoranca i ka akuzuar se po pengojnë heqjen e vizave dhe ecjen drejt BE-së, kjo protestë është mbajtur pikërisht për të kërkuar “asgjë më shumë dhe asgjë më pak sesa Shqipërinë si gjithë Evropa”. Në fjalën e tij, e fundit në këto protesta pa ndërprerje, Rama falënderoi të gjithë qytetarët që iu përgjigjën pozitivisht ftesës për pjesëmarrje çdo ditë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, por nuk harroi edhe 202 grevistët, të cilët prej 20 ditësh pranuan të ‘ngujohen’. “U kërkoj ndjesë që sot nuk mund t’i përmend që të gjithë me radhë. Në rast se disa prej tyre do t’i veçoj, kjo nuk e bën aspak më të vogël kontributin e atyre që këtu nuk mund t’i përmend, për arsye kohe dhe vendi. Dua të veçoj me radhë Blendi Klosin i cili, ndryshe nga të tjerët që do të përmend, hyri në këtë grevë, me barrën e një organizmi që nuk ja këshillonte sakrificën që ai e bëri. Duke kapërcyer çdo parashikim edhe pse na mbajti të gjithëve me zemër të dridhur përditë, në një lojë me vdekjen. E cila ishte shprehja më shembullore e kësaj sakrifice të pashoqe. Fatmir Xhafën, që u kujdes orë e çast, që gjithçka të shkojë mirë mes të gjithëve. Shega Ligorin, që sot është në spital, e plagosur në këtë përpjekje të stërzgjatur”, u shpreh kreu i PS-së, i cili falënderoi edhe Arben Malajn dhe mjekët, të cilët ndihmuan grevistët në të gjitha ditët e qëndrimit në çadrat para Kryeministrisë.

Sajmir Tahiri
Deputeti i Partisë Socialiste, Sajmir Tahiri tha në mitingun e radhës së opozitës përpara Kryeministrisë, se kërkesat e opozitës janë e drejta e çdo qytetari. Sipas tij, me këtë aksion politik opozita nuk po kërkon favore nga Qeveria dhe maxhoranca, por atë që parashikon Kushtetuta e vendit. “Kemi më shumë se 9 muaj që kërkojmë transparencë. Nuk po kërkojmë as nder dhe as favor, por vetëm aq sa na jep ligji dhe Kushtetuta dhe që nuk na e merr dot njeri. Po kërkojmë atë që na takon si shtetas të lirë të Republikës”, u shpreh Tahiri, ndërsa tha se beteja e opozitës do të përfundojë vetëm atëherë, kur siç tha ai, pushteti do t’i nënshtrohet ligjit.

Elsa Lila
Në mitingun e fundit të opozitës, përpara se Kryetari i saj Edi Rama të lajmëronte mbylljen e grevës, foli edhe këngëtarja e njohur, Elsa Lila, e cila iu bashkua aksionit të opozitës dy javë më parë. Duke iu drejtuar të pranishmëve në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ajo tha se “Kam vite e vite që populli im më fal ngrohtësi pa fund, por kurrë në jetën time nuk jam ndjerë më e dobishme për popullin tim si në këtë moment. Ju faleminderit që na mbështesni, që jeni kaq të palodhur e kaq të vendosur”. Këngëtarja, e cila ka marrë pjesë edhe në festivalin italian “Sanremo”, u bë pjesë e grevës së urisë pak ditë pasi ajo nisi, ku bëri thirrje për bashkimin e të gjithë qytetarëve me opozitën.

Erald Kapri

Greva e urisë u ndërpre pas një dite të gjatë negociatash të iniciuara nga ndërkombëtarët. Dita e djeshme ka qenë e ngarkuar për dy liderët politikë kryesorë të vendit, Berisha e Rama, të cilët kanë negociuar direkt me përfaqësuesit më të lartë të Bashkimit Evropian për t'i dhënë fund ngërçit politik që kulmoi me grevë urie para zyrës së kryeministrit. Mësohet se Berisha e Rama, kanë komunikuar dje me telefon me Komisionerin e Zgjerimit të Bashkimit Evropian Stefan Fule, i cili arriti të bindë liderët politikë të ulen në tavolinë dhe të ndërpritet greva e urisë. Komisionari Fule ka zhvilluar biseda telefonike të veçuara me Kryeministrin dhe liderin e opozitës, nga ku u arrit që sot të zhvillohet një takim mes të dyve në Strasburg, në prani në komisionerit Fule por edhe të disa figurave politike qendrore të Parlamentit Evropian. Burime pranë kampeve politike, bëjnë me dije se kryeministri Berisha ka kërkuar ndërprerjen e grevës së urisë si kusht për tu ulur në tryezë, çka duket se u arrit. Nga ana tjetër, është siguruar tryeza e bisedimeve, kësaj here në Strasburg. Tryeza duket se do të ketë vëmendjen më të veçantë ndërkombëtare, që nga nisja e ngërçit politik. Komisioneri Fule kishte programuar një vizitë zyrtare në Algjeri, por ai ka anuluar këtë vizitë për të marrë pjesë në tryezën mes liderëve politikë shqiptarë, për të arritur kompromisin politik. Ndërkaq mësohet se Parlamenti Evropian ka kërkuar zgjidhjen e menjëhershme të krizës politike ndryshe, vendi do të përballet me pasoja për anëtarësimin në BE. Një letër e bashkëfirmosur nga Josef Daul dhe Martin Shulz i është dërguar Berishës e Ramës. "Dy grupet tona politike kanë frikë se nuk mund të nxirret një konkluzion mbi çështjen e funksionimit të demokracisë pa zgjidhjen me kompromis të krizës politike aktuale. Ne do të preferonim të kërkonim së bashku ndërprerjen e procesit të anëtarësimit deri në kohën kur të arrihet një zgjidhje e ndershme e ngatërresës, në vend që të rrezikohet një rekomandim negativ", thuhet në këtë letër.
Tryeza
Që nga nisja e ngërçit politik, ndërkombëtarët reaguan për zgjidhjen e saj, por sot në Strasburg do të jetë ndryshe pasi të gjithë do të ulen në tavolinë. Zyra e kryeministrit Berisha njoftoi zyrtarisht se sot në Strasburg do të zhvillohet një darkë, ku do të marrin pjesë figura politike më me peshë në Parlamentin Evropian. Në darkë, ku përballë do të jenë Berisha e Rama, do të jenë të pranishëm Joseph Daul, Kryetar i Grupit të Partisë Popullore Evropiane në Parlamentin Evropian dhe Martin Schulz, Kryetar i Grupit të Partisë së Socialistëve Evropianë në Parlamentin Evropian. Sipas njoftimit zyrtar, në darkë do të jetë i pranishëm edhe lideri i opozitës Rama. "Me ftesë të zotit Joseph Daul, Kryetar i Grupit të Partisë Popullore Evropiane në Parlamentin Evropian dhe me ftesë të zotit Martin Schulz, Kryetar i Grupit të Partisë së Socialistëve Evropianë në Parlamentin Evropian, Kryeministri Berisha niset për në Strasbourg, për të marrë pjesë në një darkë që shtrohet për Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, zotin Sali Berisha dhe për Kryetarin e Partisë Socialiste, zotin Edi Rama", thuhet në njoftimin zyrtar. Në këtë darkë, ku i pranishëm do të jetë edhe komisioneri Fule, do të tentohet të arrihet një zgjidhje për situatën politike. Gjithsesi ende nuk është bërë e ditur ndonjë agjendë specifike për këtë darkë, si dhe për mënyrën e zhvillimit të saj. "Gjatë kësaj darke do të diskutohet gjerësisht mbi rrugët dhe mbi mënyrat për t'i dhënë fund ngërçit politik në Shqipëri", thuhet më tej në njoftimin zyrtar të kryeministrisë. Ende nuk bëhet e ditur se nga kush do të shoqërohen liderët Berisha e Rama.
Negociatat
Sot në Strasburg do të zhvillohet darka mes liderëve politikë shqiptarë dhe atyre të Parlamentit Evropian për arritjen e një kompromisi. Sipas njoftimeve paraprake, ende nuk ka një draft konkret për zgjidhjen e situatës politike. Darka e sotme do të tentojë arritjen e zgjidhjes, por në tavolinën e restorantit në Strazburg ku do të darkohet, nuk do të ketë asgjë të shkruar. Liderët politike të Parlamentit Evropian, Joseph Daul nga të djathtët dhe Martin Schulz nga të majtët, mund të japin rekomandimet e tyre para liderëve politikë shqiptarë. Në media prej ditësh po qarkullon propozimi për zgjidhjen e kësaj situatë. Ky propozim ka të bëjë me hapjen e materialeve zgjedhore. Gjithsesi ende nuk ka një deklaratë politike për mbështetjen e këtij propozimi, por duket se ai mbetet më i pranueshmi. Tryeza e sotme në Strasburg duket se do të hedhë dritë për arritjen e kompromisit. Takimi do të nisë në mbrëmje ndërsa nuk njoftohet si do të procedohet më tej.

Berisha: I hapur për opsionet e opozitës

Rreth 1 orë para se të niste protestën e fundit Partia Socialiste, Kryeministri Sali Berisha tha se maxhoranca është e hapur për të diskutuar të gjitha opsionet e paraqitura nga opozita. Duke folur nga qyteti i Durrësit, ku mori pjesë në fillimin e punimeve të kalatës lindore në Portin e Durrësit, kreu i Qeverisë tha se "gjërat ecin dhe do të thotë që çdo forcë politike bën zgjedhjet e veta. Unë mbetem i hapur për respekt të plotë ndaj opozitës, mbetem i hapur në respekt të opsioneve që opozita i gjykon më të përshtatshme, për veten e saj. Një gjë është e sigurt, që Qeveria ka për detyrë të krijojë hapësira, pastaj secila forcë është e lirë të marrë qëndrimet dhe vendimet që do". Sipas tij, të gjitha institucionet në vend janë duke funksionuar normalisht, megjithëse opozita prej 20 ditësh ndërmori një grevë urie dhe protesta për të kërkuar hapjen e kutive të votimit. Berisha theksoi në të njëjtën kohë, se fakti që qytetarët po protestojnë është shenjë e demokracisë në vend. "Të jeni të sigurt se institucionet po funksionojnë me intensitet të plotë. Kjo është një e vërtetë e pamohueshme, siç është një e vërtetë që një grevë, ose një kamping është vendosur para zyrave të mia, dëshmi madhore e funksionimit të demokracisë së këtij vendi. Qytetarët kanë pasur dhe do kenë të drejtë të protestojnë edhe aty ku nuk ua pret mendja të tjerëve", vijoi më tej kreu i ekzekutivit. Berisha konfirmoi se do të jetë i hapur për dialog me opozitën për nxjerrjen e vendit nga kriza.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›