E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: INSTAT bën propagandë për Berishën

Partia Socialiste ka akuzuar sot Institutin e Statistikave (INSTAT), si institucion që është vënë në shërbim të kryeministrit dhe mazhorancës. Deputeti i PS-së, Ilir Beqja, e quajti këtë institucion "si Institut i Propagandës Berishiane".

Në një deklarata dhënë sot për mediat, Beqja u shpreh se të gjitha të dhënat janë të falsifikuara nga INSTAT.

"Për Partinë Socialiste, informacioni statistikor, është e mirë publike dhe detyrim publik. Në mbrojtje të kësaj të mire publike dhe në përmbushje të këtij detyrimi publik, ne përsërisim se po vlerësojmë edhe mundësinë e një padie penale ndaj këtij institucioni që nga pasuri kombëtare është kthyer në Institut të Propagandës Berishiane", u shpreh Beqja.

Ai theksoi se prej muajsh, Partia Socialiste ka ndjekur me shqetësim fshehjen që po i bëhet statistikave zyrtare, nga Instituti i Statistikave "që është katandisur në një vegël në shërbim të demagogjisë së Sali Berishës".

Sipas tij prej katër muajsh Instituti i Statistikave nuk është në gjendje t'u tregojë shqiptarëve se sa janë shtrenjtuar shpenzimet shëndetësore.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›