Ndiqej nga policia,mban peng 29-vjeçarin
POGRADEC - Ndiqej nga policia për armëmbajtje pa leje, u shpëton prangave pasi merr peng për 2 orë një person. Të paktën tre akuza rëndojnë mbi 25-vjeçarin pogradecar, Spartak çela, por më e rënda është ajo për rrëmbim dhe mbajtje peng personi. Ky person është në kërkim nga policia pasi është larguar, pasi mbajti peng një të ri. Ngjarja ka ndodhur brenda në qytetin e Pogradecit, në rrethana krejt të rastësishme. Sipas burimeve të policisë, 25-vjeçari çela po ndiqej nga policia lokale sepse dyshohej për armëmbajtje pa leje. I ndodhur nën ndjekjen e policisë, në një moment çoroditjeje, i riu ka dashur të përfitojë për t'i shpëtuar ndjekjes, duke marrë si peng një person të rastësishëm, 29-vjeçarin S.Muçlari, nga fshati Memlisht, i rrethit të Pogradecit. "I riu Spartak çela po ndiqej nga policia për armëmbajtje pa leje, dhe nuk kishte asnjë njohje apo konflikt me personin që mori si peng", tha një drejtues i policisë rajonale të Korçës. Sipas burimeve zyrtare të policisë, çela me një pistoletë në dorë e ka ndaluar emigrantin dhe nën kërcënimin e armës e ka detyruar të udhëtojë në mjetin e tij deri në lagjen 3 të qytetit të Pogradecit. Emigranti nga fshati Memlisht udhëtonte me një mjet tip "SEAT" me targa greke. Në momentin kur ai ka shkuar deri ku e detyroi i riu pogradecar me armë në dorë, ky i fundit ka qëlluar dy herë në ajër me pistoletë dhe më pas është larguar duke i shpëtuar kështu ndjekjes së policisë. Policia tha se 25-vjeçari çela është shpallur në kërkim, ndërsa nuk bëhen të ditura rrethanat sesi ai u pikas me pistoletë në dorë. g.a.