Kriza ekonomike, Meta: LSI ka plan për biznesin e fasonëve
Kreu i LSI-së prezantoi dje planin e saj për të ulur efektet e krizës ekonomike në biznesin e fasonëve. Gjatë një konference për shtyp në selinë e LSI-së, Meta tha se “në këtë 1 Maj, si asnjë vit më parë po bien fort kambanat e rritjes së papunësisë në vend, si pasojë jo vetëm e krizës ekonomike globale, por njëkohësisht edhe si rezultat i krizës ekonomike për shkak të keqqeverisjes aktuale dhe mungesës së marrjes së masave për të përballuar këtë krizë”. Duke marrë shkas nga lajmi se 50 kompani që punojnë me material porositës të industrisë së masonëve, tha se LSI ka vullnet për të ndihmuar këtë biznes. “Lëvizja Socialiste për Integrim, duke shprehur shqetësimin e thellë pas lajmit të një dite më parë, se rreth 50 kompani që punojnë me material porositës të industrisë së fasonëve kanë ndërprerë aktivitetin e tyre, deklaron edhe një herë tjetër vullnetin e saj për të ndihmuar biznesin e fasonëve, i cili ka dhe numrin më të madh të të punësuarve në sektorin privat, 80-100 mijë vetë, për të përballuar këtë situatë krize. Kjo ka të bëjë jo vetëm me fatin e dhjetëra mijëra familjeve shqiptare, por njëkohësisht kemi parasysh se fasonët përfaqësojnë sot shumicën e eksporteve jashtë vendit”, tha Meta. Kreu i LSI-së prezantoi dhe planin konkret të kësaj force për të ulur pasojat e kësaj krize. “Plani i LSI-së për të përkrahur biznesin e fasonëve konsiston në subvencionimin në masën 50% të sigurimeve shoqërore për punëdhënësit deri në dhjetor të vitit 2011 dhe njëkohësisht për heqjen e tatim-fitimit për këto biznese, deri në dhjetor të vitit 2010. Njëkohësisht ky plan konsiston në disa masa të tjera që kanë të bëjnë me rimbursimin e menjëhershëm të TVSH-së për këto lloj biznesesh, pasi ato janë në vështirësi financiare dhe, së dyti, në ndërmjetësimin e Qeverisë me bankat për të ristrukturuar kreditë apo borxhet e tyre, në mënyrë që këto aktivitete të funksionojnë që të ruhen nivelet aktuale të punësimit”, tha Meta. Sipas tij, po në mes të këtyre lehtësirave të inkurajohet edhe zgjerimi i këtyre aktiviteteve, që në një kohë të shkurtër të punësojmë shumë më tepër shqiptarë e sidomos shqiptare, pasi dihet numri më i madh i të punësuarve në këto lloj aktivitetesh janë vajza dhe gra. Kreu i LSI-së akuzoi qeverinë se edhe pse i është kërkuar një plan strategjik antikrizë, ajo ende nuk e ka hartuar një të tillë. “Ende nuk ka asnjë plan qeveritar për të përballuar këtë krizë dhe për të ndihmuar bizneset që të mos falimentojnë, apo të shkurtojnë vendet e punës, edhe pse LSI prej 3 muajsh ka kërkuar nga Kryeministri aktual që të paraqesë një plan të tillë në Parlament”, tha Meta.