PS: Jemi kundër centralit bërthamor, t’i nënshtrohet procesit të referendumit Deputeti i PS, Besnik Baraj

Partia Socialiste ka kritikuar sot qeverinë për mungesë transparence në lidhje me ndërtimin e centralit bërthamor në Shqipëri. Përmes një deklarate për shtyp, deputeti socialist, Besnik Baraj, tha se ditët e fundit opinioni publik shqiptar nëpërmjet mediave italiane u njoh me idenë e ngritjes së një reaktori bërthamor në Shqipëri. “Kjo ide ka thuajse 2 vjet që artikulohet në nivelin e kryeministrit dhe rrethit të tij, me ulje ngritjet përkatëse në varësi të interesave dhe klimës politike. Partia Socialiste, padyshim mbështet çdo iniciativë e cila çon në zhvillimin ekonomik e teknologjik të vendit, por në lidhje me centralin bërthamor ne shprehemi kundër”, tha Baraj. Sipas tij, iniciativa kaq të rëndësishme në çdo vend demokratik realizohen pas një konsulte të gjerë me komunitetin. “Duke qenë i pari central ai duhet të kalojë në një proces referendumi kombëtar. Nga pikëpamja ligjore kjo e drejtë buron nga vetë legjislacioni shqiptar pas ratifikimit të konventës së Ahrusit vite më parë”, theksoi zyrtari socialist.