Berisha: Iu nënshtrova një operacioni, por disa operacione kanë domethënie tjetër Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, gjatë një mbledhje të grupit Parlamentar Demokrat

Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, bëri të ditur sot se më datë 26 mars, i është nënshtruar një ndërhyrje të lehtë kirurgjikale në këmbë dhe gjendja e tij shëndetësore është shumë e mirë. Gjatë fjalës së mbajtur në mbledhjen e grupit Parlamentar Demokrat, Berisha tha se mediat dje ishin subjekt i një agresioni mesazhesh dhe trillimesh të njeriut që është i njohur se vuan tmerrësisht nga “mesazhomania”, dhe i dyndi mediat me mesazhe lidhur me këtë operacion. “Një njeri që ndërton suksesin vetëm mbi krizën, sëmundjen dhe fatkeqësinë, nuk mund të imagjinohet se ç’mund të bëjë. Është vërtetë se ditën e premte në orën 20.15 iu nënshtrova një ndërhyrje të planifikuar kirurgjikale për një problem të vogël në shpinën e këmbës, që më vështirësonte në ecjet e mia, dhe kjo është pasioni im”, njoftoi Kryeministri. Sipas tij, operacioni u krye pa asnjë lloj ndërlikimi me anestezi dhe zgjati 75 minuta dhe unë kam përmbushur gjithë detyrimet e mia përveç ecjes së zgjatur si çdo fundjavë tjetër. Por, krahas kësaj, ai tha se operacionet janë për njerëzit, por janë disa operacione që kanë një domethënie tjetër. “Nuk dua të përdor mjekësinë për politikë por ka disa operacione që mund edhe të mos bëhen, si të transplantosh flokët, të heqësh xhufkat në qepalla dhe të nxihen sytë më keq, apo kur shkon për të ngulur dhëmbë të rinj dhe s'të mbajnë”, ironizoi Kryeministri Berisha.