SHBA: Dhuna e deputetit ndaj gazetarit, e dënueshme
Kanë reaguar dje në kor jo vetëm shoqëria civile, por edhe qeveria shqiptare dhe ambasada e SHBA-së, ndaj dhunës që deputeti Tom Doshi ndërmori ndaj gazetarit, Besar Likmeta. Të rinjtë e lëvizjes "Mjaft!", së bashku me disa përfaqësues të medias, kanë protestuar dje në mesditë përpara dyerve të Kuvendit kundër aktit të dhunës së ushtruar ndaj gazetarit Besar Likmeta, i agjencisë së lajmeve BIRN, nga deputeti demokristian Tom Doshi. Sipas përfaqësuesve të "Mjaft!" ky akt dhune është ushtruar si pasojë e një investigimi që gazetari Likmeta kishte bërë në lidhje me diplomën e deputetit të PDK-së, e cila i kishte rezultuar false. Por ndërsa aktivistët e lëvizjes MJAFT! protestonin jashtë Kuvendit kundër dhunës, deputetët brenda në sallë ku po zhvillohej një seance parlamentare po fyenin njëri-tjetrin, madje me kërcënime të tipit "ta pres zverkun, maskara".
Në këtë protestë, përfaqësuesit e "Mjaft!" kërkuan nga Kuvendi jo vetëm që të dënojë këtë dhunë, por t‘i heqë mandatin deputetit Tom Doshi, pasi sipas tyre ai nuk mund të përfaqësojë më vullnetin e votuesve shqiptarë. Nga ana tjetër, Kryeministri Sali Berisha, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare jashtë vendit, ka kërkuar fillimin e hetimeve për këtë ngjarje. "Kryeministri ka mësuar me shqetësim lajmin e përdorimit të dhunës ndaj gazetarit Besar Likmeta nga deputeti Tom Doshi, në prani të deputetit Arben Isaraj. Duke dënuar këtë akt dhune dhe çdo akt tjetër ndaj gazetarëve, Kryeministri i kërkon autoriteteve përgjegjëse të ndërmarrin një hetim të thelluar dhe të plotë ndaj këtij akti të papranueshëm". Paralel me Kryeministrinë ka reaguar edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë. Ambasadori i SHBA-së, në Shqipëri, Xhon Uidhers ka dënuar aktin dhe ka bërë të ditur se dhuna ndaj gazetarëve është e patolerueshme. Ambasada bëri të ditur se është në pritje të përfundimeve të hetimeve në lidhje me këtë çështje. Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Uidhers, ka dalë në një deklaratë të posaçme për shtyp në lidhje me këtë ngjarje, duke e cilësuar shumë të rëndë, aq më shumë kur në vend kanë qenë edhe dy anëtarë të Parlamentit Shqiptarë. Uidhers theksoi se raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit e ka dënuar me forcë dhunën ndaj fjalës së lirë, e në veçanti ndaj gazetarëve. Në lidhje me këtë ngjarje, reagoi edhe kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. Me anë të një deklarate, Topalli bëri të ditur se është i papranueshëm çdo akt dhune, kudo dhe kurdo, aq më tepër akti i dhunës ndaj gazetarit. Po aq e dënueshme dhe e papranueshme sa goditja ndaj gazetarit është edhe soditja në këtë akt të shëmtuar. Kryetarja e Kuvendit, në varësi të konkluzioneve të zbardhjes së ngjarjes do të veprojë konform ligjit dhe Rregullores. Lëvizja "MJAFT!" njoftoi përmes një komunikimi zyrtar të gjitha përfaqësitë diplomatike në Shqipëri, se gazetari Besar Likmeta i agjencisë ndërkombëtare BIRN është rrahur brutalisht nga deputi i PDK-së Tom Doshi. Me anën e një letre të dërguar sot në adresë të të gjithë Trupit Diplomatik të akredituar në Tiranë, MJAFT! informon se deputeti Doshi ka qënë i shoqëruar nga deputeti i Partisë Socialiste Arben Isaraj, në momentin kur ka dhunuar gazetarin Likmeta. Isaraj, njofton "MJAFT!" Trupin Diplomatik, jo vetëm që nuk ka ndërhyrë, por ka marrë pjesë paraprakisht në debatin mes Doshit dhe Likmetës.
"Liria e shprehjes është një ndër të drejtat themelore të njeriut. Ne kërkojmë që të mbështesni këtë të drejtë duke shprehur shqetësimin Tuaj, pranë autoriteteve shtetërore", thuhet në letrën zyrtare që MJAFT! i dërgoi dje Trupit Diplomatik të akredituar në Shqipëri.Ndërkaq, në një deklaratë të tij, Unioni i Gazetarëve thekson se Ky akt dhune dëshmon edhe një herë të vërtetat e konstatuara dhe të denoncuara kohë pas kohe prej Unionit të Gazetarëve për mungesën e lirisë së rregullit dhe të barazisë para ligjit, të qytetarëve të thjeshtë, të profesionistëve dhe të përfaqësuesve me imunitet".
Deklaratë e plotë e deputetit të PDK-së
Tom Doshi: E vërteta ime mbi ngjarjen
Nëpërmjet medias u njoha me disa deklarime në lidhje me një incident të ndodhur midis meje dhe një personi që m‘u prezantua si redaktor i një faqeje interneti, emri i së cilës nuk më kujtohet për momentin. Nga tërësia e deklarimeve vë re, me shqetësim, se në mënyrë të pakuptimtë dhe të qëllimshme, dikush apo disa shtrembërojnë të vërtetën, ndaj ndiej detyrimin të sqaroj në radhë të parë si qytetar e pastaj si deputet si më poshtë: Ditën e hënë, më 10 mars, rreth orës 20:30, kur mbas seancës parlamentare po darkoja me deputetët Nard Ndoka, Jak Ndoka, Pashk Ujka, Ymer Tola dhe Paulin Sterkaj, mora një telefonatë, ku m‘u kërkua takim në lidhje me një pretendim të këtij personi për problemin e një diplome. E njoftova që isha i zënë për momentin dhe e lamë të flasim një ditë tjetër. Çuditërisht mbas diçka më shumë se një ore, rreth orës 22:00 marr në celular një SMS (të cilën e disponoj) ku përsëri m‘u kërkua takim me ngulm nga po ky person. E telefonova i çuditur se pse duhej të takoheshim kaq vonë, kur jo më pas se një orë e gjysmë përpara kishim vendosur të takoheshim një ditë tjetër. Gjithsesi duke parë këmbënguljen e zotërisë, vendosëm të takoheshim në "Sheraton", rreth orës 22:30. E sugjerova unë vendtakimin në "Sheraton" pasi kisha lënë një takim me deputetin Isaraj në këtë orë. Ishim ulur së bashku me z.Isaraj në kafenë e hotel "Sheraton"-it, kur një person, i cili ishte duke pirë konjak në banakun e lokalit, erdhi në tavolinën tonë pas rreth 15 minutash. Në fakt na bëri përshtypje, sepse po pinte i vetëm në banak. U prezantua dhe e ftuam të ulet në tavolinën tonë. Që në momentin që u ul, fjalia e parë që tha ishte: Unë jam ai që e kam nxjerrë në internet me emër. Pyetja që i drejtova i çuditur ishte: Çfarë kërkoni nga unë, pasi tashmë lajmi është publik dhe nuk kam ndonjë koment mbi të. M‘u përgjigj se do të vazhdoj ta botoj përsëri, por mund të gjejmë edhe mënyrën se si të mos botohet. Vazhdoi duke thënë se edhe ai donte të jetonte më mirë dhe të bënte karrierë. E pyes se çfarë kuptonte me mënyra të tjera dhe m‘u përgjigj se kërkonte nga unë 10.000 euro dhe premtoi se me t‘ia paguar këtë shumë, nuk do merrej më me këtë problem. Në këto momente, i habitur, i kërkova një dokument identifikimi. M‘u përgjigj se nuk punonte për ndonjë organ mediash vizive a të shkruar në Shqipëri, por ishte redaktor i një faqeje informative në internet, me qendër a në Bosnjë a në Beograd, nuk më kujtohet mirë. Në moment i revoltuar dhe irrituar jashtë mase, i them se mua nuk m‘ka ndodh kurrë të më vendos njeri gjobë. Personi i prezantuar si redaktor me një qetësi të habitshme më thotë që ti je nga deputetët më të pasur, i ke arritur ç‘ke dashur në jetë dhe unë kam pikësynimet e mia në jetë. I nervozuar ngrihem nga tavolina për t‘u larguar dhe ndërkohë ky person, duke nënqeshur më thotë atëherë do vazhdoni të lexoni shkrimet e mia pa emër për ty. Në moment, i ngritur siç isha, nuk munda të kontrolloj veten nga pafytyrësia dhe provokimi i këtij personi dhe në gjaknxehtësi e sipër e godas me çantën e dokumenteve dhe celularin që mbaj me vete.