E Enjte, 5 Nëntor 2026

Administrata shtetërore heq dorë nga rekurset në Gjykatën e Lartë për disa çështje! Manja: Lehtësojmë stokun me 3800 dosje

Administrata shtetërore dhe shoqëritë tregtare me kapital shtetëror, aty ku shteti ka mbi 50 % të aksioneve, do të heqin dorë nga rekurset e bëra në Gjykatën e Lartë për disa çështje të karakterit civil dhe administrative. Kjo është vendosur nga qeveria, e cila përmes një udhëzuesi për heqjen dorë nga disa rekurse do të lehtësojë me 3800 çështje stokun e dosjeve në Gjykatën e Lartë. 

Në këtë vendim do të përfshihen çështjet që kanë të bëjnë me zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të punës, me njohjen e vjetërsisë në punë, apo në paditë me shpërblim dëmi, ku kushti i vetëm për këtë është që në çdo rast vlera e dispononit të Gjykatës së Lartë nuk do të jetë më tepër se 40-fishi i pagës minimale.

Teksa prezantonte vendimin e qeverisë, ministri i Drejtësisë Ulsi Manja tha se do të hiqet dorë edhe nga paditë e tjera ku shteti ka humbur në të 2 shkallët apo paditë që nuk garantojnë sukses në Gjykatën e Lartë për shkak të vendime unifikuese të kolegjeve të gjykatës së Lartë në të kaluarën. 

“Kemi miratuar udhëzimin që ka të bëjë me përcaktimin rregullave për heqjen dorë nga rekurset e depozituara në Gjykatën e Lartë dhe të pashqyrtuara akoma nga Gjykata e Lartë nga administrata shtetërore për disa çështje civile dhe administrative. Ky udhëzim ka për qëllim rritjen e eficensës së Gjykatës së Lartë duke e lehtësuar nga stoku i dosjeve të depozituara dhe që presin të gjykohen në këtë gjykatë. Ky udhëzim udhëzon të gjithë administratën shtetërore dhe shoqëritë tregtare me kapital shtetëror, ku shteti ka 50 % të aksioneve apo kuotave, që të dorë nga disa rekurse që kanë të bëjnë konkretisht me zgjidhen e mosmarrëveshjeve të punës, me njohjen e vjetërsisë në punë apo nga paditë për shpërblim dëmi.  Gjithashtu të heqin dorë nga paditë e tjera ku shteti ka humbur në të 2 shkallët e padisë çështjet apo paditë që nuk garantoj sukses në Gjykatën e Lartë për shkak të vendime unifikuese të kolegjeve të Gjykatës së Lartë në të kaluarën. Kushti i vetëm për heqjen dorë është se në çdo rast vlera e disponimit të gjykatës nuk duhet të jetë më tepër se sa 40-fishi i pagës minimale”, tha Manja.

Për shkak të procesit të vettingut Gjykata e Lartë mbeti jofunksionale për një kohë të gjatë, ku stoku ka shkuar në mbi 35 mijë dosje. Ky vendim i qeverisë bëhet pikërisht për të lehtësuar këtë gjykatë të paktën nga 3800 çështje, ndërsa 1000 çështje të tjera sipas ministrit Manja janë ende në shqyrtim nëse do hiqet dorë apo jo.

Aktualisht Gjykata e Lartë funksionon me 13 gjyqtarë nga 19 që duhet të ketë, ndërsa lehtësimi i stokut ka nisur përmes inventarizimit të dosjeve, kjo edhe me ndihmën e USAID,  megjithatë stoku vazhdon të mbetet i lartë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›