Rryshfet për të zhdukur veprat penale, pranga shefit të krimeve
Tiranë- Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm ka arrestuar mesditën e sotme shefin e krimeve në Komisariatin numër 1 në kryeqytet.
Mësohet se i arrestuari Fatos Goxhaj ka kryer veprën penale të korrupsionit, pasi në këmbim të parave ai ka kryer lehtësira në disa çështje penale.
Ai kishte disa kohë që ishte nën hetim dhe të premten i është komunikuar transferimi në Komisariatin e Përmetit.
Arrestimi është realizuar nga bashkëpunimi i SHKB -së me Task Forcën e Prokurorisë, pas një urdhëri të lëshuar nga gjyqëtari Sokol Toma, në Gjykatën e Tiranës.
Bëhet e ditur se Prokuroria falë hetimeve ka mbledhur shumë prova, përmes së cilave Gjykata ka dhënë dhe urdhrin për arrestimin e tij. Sipas policisë Goxhaj ka marrë rryshfet që nga Dhjetori i vitit 2010 deri në muajin Prill të këtij viti në këmbim të mbylljes së çështjeve kriminale.
Gjithashtu nën hetim janë edhe disa efektivë të këtij Komisariati, pasi dyshohet të kenë bashkëpunuar me shefin e tyre.