E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rritja e TVSH, rrit çmimet e cigareve në treg

Çmimet e cigareve në tregun shqiptar pësuan një rritje prej 10 lekësh për paketë gjatë ditëve të fundit, si pasojë e rritjes së tatimit mbi vlerën e shtuar që hyri në fuqi nga 1 korriku i këtij viti. Çmimi i paketave ekonomike u rrit nga 120-130 lekë në 13-140 lekë për paketë, ndërsa çmimi i paketave të shtrenjta u rrit nga 150-160 lekë në 160-180 lekë për paketë. Burime nga tregu i cigareve bënë të ditur se rritja qe thjeshtë pasojë e një udhëzimi të ri të Ministrisë së Financave mbi zbatimin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar mbi çmimin final në produktet e duhanit dhe të hidrokarbureve. Udhëzimi i konsideron shitësit me pakicë si “nënfurnitorë” të grosistëve dhe i ka detyruar grosistët të paguajnë TVSH edhe mbi normën e fitimit të shitësve me pakicë. Për pasojë, cigaret filluan të taksohen nga 2 deri në 7 lekë më shumë për paketë, gjë që u pasqyrua në çmimin final që paguajnë konsumatorët.

Por duket se rritja e çmimeve të paketave nuk është problemi i vetëm. Qeveria shqiptare synoi të zbatojë një strategji të rritjes së akcizës së cigareve tre vite më parë, por hoqi dorë pas rritjes së parë për shkak se mes çmimit të cigareve në Shqipëri dhe çmimeve në vendet fqinje, u krijua një hendek i konsiderueshëm që favorizoi kontrabandën. Taksimi i barabartë i mallrave të forta si cigare, kafe e duhan, është metoda kryesore që përdoret nga vendet e zhvilluara për të shmangur kontrabandën e përmasave të vogla. Gjatë tre viteve të fundit, taksimi shumë më i lartë i cigareve dhe naftës ka krijuar një oportunitet të ri për tregtarët e vegjël nga Kosova e Mali i Zi. Prania e cigareve me pulla malazeze të destinuara për shitje vetëm në dyqane kufitare pa taksa, është bërë gjë e zakonshme nëpër rrugët e Tiranës. Në total kontrabanda po shtohet dhe shanset për të blerë paketa pa pullë fiskale shqiptare në treg është shumë i lartë. Disa javë më parë, policia greke ndaloi një anije ku gjendeshin cigare kontrabandë të destinuara për në Shqipëri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›