E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Kërkojmë transparencë parlamentare dhe publike për kartat e identitetit”

06/01/2009  LSI tërheq vëmendjen e qeverisë për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor

Lëvizja Socialiste për Integrim tërhoqi dhe një herë tjetër vëmendjen e qeverisë “Berisha” për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. Për këtë parti është mjaft shqetësuese zvarritja e këtij procesi nga ana e qeverisjes aktuale. Nënkryetari i LSI-së Sokol Axhemi gjatë një konference për shtyp vuri në dukje se “ne e kemi theksuar edhe herë të tjera se zvarritja e këtij procesi rrezikon standardet e zgjedhjeve”. Axhemi kërkoi transparencë mbi këtë proces. “Pajisja e shqiptarëve me karta identiteti është dhe një ndër kushtet e vendosura nga ndërkombëtarët për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Ne si LSI kërkojmë transparencë parlamentare dhe publike për ecurinë e këtij procesi”, - vuri në dukje nënkryetari i LSI-së. Ndërkaq një tjetër çështje për të cilën Axhemi shfaqi shqetësimin e partisë së tij ishte dhe situata e rënduar në zonat e bllokuara nga reshjet e shumta të dëborës. “Lëvizja Socialiste për Integrim shpreh shqetësimin e saj për apatinë dhe mungesën e masave të marra nga ana e qeverisë dhe institucioneve në varësi të saj për të bërë të mundur përballimin e situatës tepër të vështirë të krijuar në zonat veriore, verilindore e juglindore të vendit si pasojë e reshjeve të dendura të dëborës”, - theksoi Axhemi. Sipas tij, një gjë e tillë tregon dukshëm se kjo qeveri nuk ka përgjegjshmërinë që kërkojnë situata të tilla të vështira, duke nisur kështu vitin me një dështim në përballimin e shqetësimit më të madh të këtyre ditëve: atë të mijëra banorëve që prej tri ditësh gjenden të izoluar nga dëbora dhe reshjet. “Prononcimet qeveritare për situatën tepër shqetësuese kanë qenë sporadike dhe në nivel shumë të ulët. Situata të tilla kërkojnë që vetë Kryeministri të ngrejë dhe të drejtojë një shtab emergjence për përballimin e situatës, pasi nuk mjafton demagogjia dhe deklaratat mediatike, por ndërhyrje urgjente dhe efikase në zhbllokimin e rrugëve, furnizimin me ushqime dhe me energji elektrike të banorëve të izoluar, kujdesin shëndetësor dhe akordimin e një fondi të posaçëm për t’i ardhur në ndihmë pushtetit vendor të këtyre zonave”, - vuri në dukje Axhemi lidhur me këtë çështje.

Kartat e identitetit

Për qeverinë “Berisha” procesi ka ecur sipas të gjithë plankalendarit që është parashikuar në zbatimin e projektit. Sipas ministrive përkatëse përfundimi i regjistrit të ri elektronik të shtetasve është hapi i parë i rëndësishëm në funksion edhe të prodhimit të kartave elektronike dhe pasaportave biometrike, që është baza e të dhënave për kartat elektronike dhe pasaportat.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›