E Shtunë, 31 Tetor 2026

Koçi: Të rivendoset dialogu tek e majta

06/01/2009  PS ’91 thirrje për bashkëpunim

Partia Socialiste ’91 kërkoi rivendosjen e dialogut mes partive të koalicionit të majtë me qëllim fitoren e zgjedhjeve parlamentare të këtij viti. Kreu i kësaj partie Petro Koçi gjatë një deklarate për shtyp u shpreh se “jemi optimistë për rezultat fitues, edhe pse duhen kapërcyer një sërë pengesash të prodhuara nga pazaret Rama-Berisha të vitit 2008. Fitorja bëhet edhe më e garantuar nëse rivendoset dialogu dhe realizmi në marrëdhëniet mes dy koalicioneve të majta, që do të garojnë zgjedhjet e ardhshme”. Sipas tij, PS ’91 kërkoi edhe në rastin e rishikimit të Kodit Elektoral një zgjidhje mirëkuptimi për formulën e përbërjes së komisioneve zgjedhore, por zgjidhja u hodh poshtë gjatë votimit në parlament nga marrëveshja PD-PS për “Ligjin për Prokurorinë”. Për këtë arsye Koçi lëshoi një propozim, i cili do të sillte dhe një bashkëpunim të mundshëm mes palëve. “Shansi është në procesin e propozimit dhe vendimmarrjes konkrete për përbërjen e komisioneve zgjedhore. PS-ja duhet ta shohë këtë nga këndvështrimi i kohezionit perspektiv e koalicionit paszgjedhor mes dy koalicioneve të majta. Ripropozojmë këtë zgjidhje në emër të fitores së zgjedhjeve”, - vlerësoi Koçi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›