E Shtunë, 31 Tetor 2026

Negociatat, PS-ja lë në hije kërkesën e LSI-së

06/01/2009  Zgjedhjet parlamentare të këtij viti, zbardhen qëndrimet mes partive të majta

Islami: “Të shmangim maksimalisht tavolinat e negociatave paraelektorale”

Partia Socialiste është përfshirë në përgatitjet për fushatën elektorale. E gjithë partia nga qendra në bazë po ndjek me radhë të gjithë hapat e përcaktuar nga lidershipi i Partisë Socialiste për garën elektorale të këtij viti. Por në axhendën e punës së kësaj partie krahas përgatitjeve elektorale dhe axhendës së saj parlamentare nuk pritet një strategji e veçantë sa u takon marrëdhënieve mes partive të spektrit të majtë. Ndalur në këtë moment, PS-ja duket e vendosur të shmangë negociatat parazgjedhore. Sekretari për çështjet elektorale në Partinë Socialiste Kastriot Islami vlerësoi faktin se kodi i ri do të masë pulsin e secilit subjekt. Madje, deputeti socialist shkoi më tej duke bërë të qartë se qëllimi i PS-së është të shmangë negociatat paraelektorale. “Të shmangim maksimalisht tavolinat e negociatave paraelektorale. Fakti që ato kanë qenë të ndara nëpërmjet këtij sistemi eliminohet në mënyrë të konsiderueshme, nuk eliminohet krejtësisht, por efekti i paraqitjes bashkë apo jo, apo në koalicion të përbërë, ka efekte jo aq të mëdha sa në sistemin e mëparshëm”, - vuri në dukje Islami lidhur me këtë çështje. Për rrjedhojë, Partia Socialiste, edhe pse jo në mënyrë të drejtpërdrejtë, u jep përgjigje thirrjeve të Lëvizjes Socialiste për Integrim për t’u ulur në tryezën e bisedimeve për zgjedhjet e përgjithshme të këtij viti. Por si për të sqaruar më tej qëndrimin dhe qëllimin e Partisë Socialiste, sekretari për çështjet elektorale zbardh dhe një tjetër detaj të strategjisë zgjedhore të partisë së tij. Sipas tij, kodi i ri nuk do të lejojë ripërtëritjen e skenarit të 2005-s, ku e majta humbi zgjedhjet si pasojë e përçarjeve brenda saj. “Krahas konkurrimit me kundërshtarin, që është Partia Demokratike, vazhdon konkurrenca e brendshme midis lojtarëve në koalicion të përbërë për të maksimalizuar suksesin e secilës anë”, - nënvizoi Islami lidhur me këtë çështje. Gjithashtu, për sa i përket infrastrukturës së zgjedhjeve Islami bëri me dije se Partia Socialiste do të nisë procedurat për seleksionimin e kandidaturave për komisionerë të KQZ-së pas shpalljes së datës së zgjedhjeve nga kreu i shtetit. Pak kohë më parë kreu i LSI-së pati lëshuar disa ftesa për bashkëpunim mes partisë së tij dhe PS-së. Madje, në funksion të këtyre ftesave lidershipi i LSI-së përcaktoi dhe një grup negociatorësh, përfaqësues të kësaj partie dhe të PS-së, të cilët do të bënin të mundur realizimin e një takimi Meta-Rama. Kështu, pas një takimi informal ky grup negociatorësh vendosi që ish-presidenti Rexhep Meidani të negocionte një takim të tillë. “Grupi i të Urtëve” të PS-së gjatë këtij takimi vendosi që të mandatojë ish-presidentin të takojë kreun socialist Rama për të bërë të mundur një takim mes tij dhe kryetarit të LSI-së Ilir Meta. Gjatë këtij takimi miqësor ishin të pranishëm ish-presidenti Meidani, ish-kryetari i Kuvendit Servet Pëllumbi, shkrimtari i njohur Dritëro Agolli, nënkryetari i LSI-së Sabit Brokaj. Figurat e njohura të së majtës, Pëllumbi, Agolli, Meidani, Brokaj, vazhdimisht kanë shprehur shqetësimin e tyre për situatën brenda së majtës, ndërsa kanë kërkuar bashkimin e tyre si garanci për të fituar zgjedhjet. Sipas tyre, ky bashkëpunim duhet të nisë me Kodin Zgjedhor, duke shfrytëzuar një shans që Presidenti i Republikës i dha së majtës me kthimin e tij sërish në Kuvend. Por nga ana e tij lidershipi i Partisë Socialiste me sa duket e ka vendosur tashmë që ftesave të tilla të mos u kthejë përgjigje, duke preferuar në këtë mënyrë të mos dëgjojë asnjë zë brenda kampit të majtë, por të ndjekë linjën e vet, të mirëpërcaktuar tashmë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›