BE, Pack: Mos aplikoni për statusin kandidat
Kryetarja e Delegacionit në PE, jep përgjigje të prerë. "BE nuk u kthen përgjigje brenda vitit"
TIRANË- "Jo, jo dhe jo". Kjo ishte përgjigja e prerë e Kryetares së Delegacionit për Evropën Juglindore në Parlamentin Europian, Doris Pack, lidhur me qëndrimin këmbëngulës të Kryeministrit Sali Berisha, për të bërë kërkesën për statusin e vendit kandidat në BE, brenda gjashtëmujorit të parë të këtij viti.
E pyetur nga "Alsat", nga Brukseli, Doris Pack, ka shkuar tej parashikimeve, teksa shprehet se Shqipëria nuk do të marrë përgjigje brenda këtij viti. "Jo, jo, jo, unë po ju them që ata nuk mund të marrin asnjë dritë jeshile gjatë këtij viti.
Ju flas nga eksperienca ime. Tani kemi presidencën çeke, por presidenca çeke nuk mund ta bëjë e vetme, pasi duhet të jenë dakord të 27 vendet dhe, pikërisht në këtë moment, ne kemi probleme të tjera, sesa t'i përgjigjemi kësaj kërkese.
Kemi një situatë ku kemi edhe zgjedhjet, siç ju thashë, dhe konstituimin e komisionit të ri. Unë jam e sigurt. Të paktën kështu mendoj, ndoshta dhe gabohem, por eksperienca ime, që është e gjatë në këtë çështje, më thotë që nuk do të ketë asnjë përgjigje këtë vit. Pra, ju lutem, prisni. Prisni dhe nëse e bëjnë në fund të vitit aplikimin, atëherë mund të marrin përgjigjen vitin tjetër. Kjo do të ishte rruga korrekte.
Më besoni", - tha dje kryetarja e delegacionit në PE, Doris Pack. Kjo e fundit vlerëson hapat e ndërmarra nga Shqipëria, por nisur nga situata e brendshme në BE, Pack thekson se kërkesa duhet të shtyhet.
"Mendoj se fillimisht duhet të them se Shqipëria ka bërë hapa të mëdha përpara dhe për këtë duhet ta vlerësoj. Por nuk është momenti për të kërkuar statusin kandidat. Sepse, nëse e shihni çfarë ndodh në BE në këtë moment që po flasim, do të kemi dhe zgjedhjet e Parlamentit Evropian, do të kemi një Komision të ri.
Ata nuk do të marrin asnjë përgjigje. Kjo do të thotë se, ta bësh kërkesën në muajin prill, për shembull, atëherë nuk do të ketë asnjë përgjigje gjatë këtij viti dhe do të duhet të presin.
Pra, është më shumë frustruese që të kërkosh diçka dhe të mos marrësh përgjigje në kohë, sesa të presësh dhe të vazhdosh të punosh drejt Bashkimit Evropian.
Dhe unë mendoj se nuk ju bën asnjë dëm nëse ata presin. Si një mike e Shqipërisë, unë mund t'ju them, ju lutem prisni.
Dhe mos e përdorni këtë për ndonjë manovër politike, pasi kjo gjë nuk ju ndihmon", - tha ajo. Plot dy ditë më parë, edhe komisioneri për zgjerimin në BE, Olli Rehn bëri të qartë se duhet të plotësoheshin disa kritere politike, përfshi këtu edhe zgjedhjet, me qëllim afrimin e Shqipërisë në BE.
Reagimi i europianëve vjen menjëherë pas deklaratës optimiste të kreut të ekzekutivit Berisha, në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, i cili ndër të tjera theksoi se Shqipëria duhet të kërkonte statusin e vendit kandidat për në BE, përpos problemeve që ka aktualisht Unioni Evropian.