Policia, bllokimi i TIMS, italianët kërkonin para kesh
Prej më tepër se një jave rrjeti kompjuterik jashtë funksionit. Pritet rinisja pas pagesës me letër krediti
TIRANE- Kontraktori italian, kërkon paradhënie me lekë në dorë për rinisjen e punës së sistemit të transmetimit të të dhënave në linjë i Policisë së Shtetit, i njohur ndryshe me emrin TIMS.
Ky mësohet se është edhe shkaku i pushimit të punës së këtij sistemi që mban në serverin e tij, të gjithë bazën e të dhënave të pasaportave, hyrje daljet në pikat e kalimit kufitar si dhe listën e personave në kërkim.
Sipas burimeve të Policisë së Shtetit, pala italiane një kontraktor privat që siguron frekuencën e dhe linjën satelitore për funksionimin e sistemit TIMS në të gjithë vendin ka kërkuar parapagim një shumë parash sipas kontratës.
Deri këtu duket se gjithçka është sipas kontratës së nënshkruar mes palëve, por kontradikta mësohet se qëndron në faktin se paratë janë kërkuar të paguhen në formë kesh, ose të derdhen në bankë në llogarinë e firmës.
Një formë e tillë pagese mësohet se është kundër ligjit të sistemit shqiptar të pagesave çka ka krijuar probleme në funksionimin e të gjithë sistemit online të Policisë së Shtetit dhe më tej edhe të sistemit të transmetimit të të dhënave në rrjet.
Burime të Policisë së Shtetit, pohuan dje për gazetën "Shekulli", se për periudhën e fundit, kontrata mes Policisë së Shtetit dhe kontraktorit italian është firmosur nga pala shqiptare.
Më tej mësohet se kontrata e firmosur, është nisur për në adresën e palës italiane për ta firmosur. Mësohet se pagesa është përgatitur të kryhet ashtu si edhe në rastet e pagesave të mëparshme nëpërmjet letrave të kreditit.
Gjatë këtyre ditëve, funksionarët e Lartë të Policisë së Shtetit, kanë qëndruar në pritje të firmosjes së kontratës së firmës italiane me qëllim rinisjen e funksionimit të sistemit të transmetimit të të dhënave në rrjet të Policisë.
Rrjeti (NETWORK) i Policisë së Shtetit, ka më tepër se një javë që është jashtë funksionit dhe ka bërë që në të gjithë vendin, të bllokohet transmetimi i informacionit kriminal, si dhe i informacioneve të tjera të nevojshme për Policinë në bazë.