E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skandali, Topalli: Pango të dorëzojë mandatin

Leskaj: "Ky njeri s'mund të ketë më imunitet dhe nuk mund të mbrohet me imunitet deputeti"


TIRANË- Videoja skandal e ish-ministrit të Kulturës, Ylli Pango, për vetë perversitetin njerëzor që transmetonte, është kthyer menjëherë në një çështje, e cila është dënuar pothuajse edhe nga e gjithë politika, përfshi këtu edhe vetë mazhorancën, e cila gati një vit e gjysmë më parë, e votoi si ministër.


Imazhet e paraqitura në këtë video kanë shokuar jo vetëm opinionin publik, por edhe kolegët e tij, të cilët gjatë seancës së djeshme parlamentare nuk kanë nguruar ta konsiderojnë edhe si ish-deputet, duke marrë të mirëqenë faktin se kjo ngjarje ka mbyllur përfundimisht jetën e tij politike dhe parlamentare, njëkohësisht.


Por, me gjithë qëndrimin gati të unifikuar në dënimin e këtij akti, palët politike të përfaqësuara nga Kuvend nuk kanë munguar që, edhe në këtë seancë të përfshihen në debat, duke ndjekur natyrisht interesat e tyre politike.


Kryetarja e grupit socialist, Valentina Leskaj, ndërsa ka dënuar ashpër këtë veprim, i ka kërkuar Kryeministrit Sali Berisha që t'u kërkojë ndjesë publike qytetarëve shqiptarë për ministrin që u ofroi, ndërsa për vetë Pangon ka kërkuar që t'i hiqet imuniteti dhe të vihet në dispozicion të Prokurorisë.

"Ky njeri nuk mund të ketë më imunitet dhe nuk mund të mbrohet me imunitet deputeti, ndërkohë që duhet të përgjigjet në bazë të kodit penal për veprën e kryer", - tha Leskaj. Madje, ajo ka ngritur shqetësimin se, një rast i tillë, ka rrëzuar keqazi besueshmërinë e qytetarëve te institucionet tona shtetërore.

Por, i menjëhershëm ka qenë reagimi i vetë Kryeparlamentares Topalli, e cila në mungesë të Kryeministrit, si përfaqësuesja më e madhe e mazhorancës në sallën e Kuvendit, është përpjekur që të rikuperojë sadopak imazhin e dëmtuar të mazhorancës, duke shkuar edhe më tej në qëndrimin e saj ndaj kësaj ngjarjeje, kur ka kërkuar që Pango të dorëzojë mandatin e deputetit.

"Zotëria në fjalë ka tradhtuar moralin e PD-së, ka tradhtuar shqiptarët që e kanë votuar. Si Kryetare e Parlamentit, nuk kërkoj vetëm lënien e imunitetit, do t'i kërkoj që të lëshojë mandatin", - tha Topalli.

Ndërkohë që, pjesë e debatit janë bërë dhe përfaqësues të tjerë të të dyja krahëve politikë, të cilët kanë akuzuar njëri-tjetrin edhe për raste të tjera të ngjashme, pavarësisht se jo kaq shumë të bujshme.

"Ju jeni opozita që ka bashkëpunuar me skandalet. Dhe të gjitha skandalet që keni pasur gjatë kohës që qeverisnin. Ka pasur skandale më të rënda, ka pasur raste të ngjashme që kanë përfunduar edhe më keq", - u shpreh kryetari i grupit parlamentar demokrat, Astrit Patozi.

Nga ana tjetër, sekretari i grupit socialist, Musa Ulqini, e ka konsideruar këtë çështje si skandal jo vetëm për përmbajtjen e saj, e cila, sipas tij, është e neveritshme, por edhe për vetë mënyrën sesi shumica dhe Kryeministri Berisha është përpjekur ta mbyllë.

Ulqini është shprehur se reagimi i Kryeministrit për të shkarkuar ministrin e vet, nuk është i sinqertë, pasi ai ka hezituar ta shkarkojë më parë kur dhe është vënë në dijeni për ekzistencën e kësaj videoje.

"Një skandal po kaq i turpshëm është edhe mënyra sesi keni vepruar ju, zonja Kryetare dhe kupola e PD-së për ta mbyllur këtë turp, për të cilin Berisha dhe ju kishit dijeni prej disa ditësh", - tha Ulqini.

Valentina Leskaj:


"Skandali i fundit tregoi se si kanë përfunduar institucionet e shtetit, se ku ka përfunduar ligji i shërbimit civil, dhe se si është goditur vetë shteti. Publiku shqiptar pa degjenerimin e institucioneve dhe kjo është shumë e rëndë.

Kryeministri njoftoi dje se shkarkoi ministrin e turpit, po Kryeministrim në vend që t'i lërë të hapur rrugën, që ish-ministri të mund të bëjë shpjegime, jo më si ministër, siç deklaroi, duhet t'u kërkojë ndjesë shqiptarëve për ministrin që u ofroi.

Nëse mbrëmë kjo çështje ishte çështje e një ministri, sot kjo është çështje e Parlamentit, i cili duhet të mbajë një qëndrim, për një deputet që ka kryer veprën e turpit. Ky njeri nuk mund të ketë më imunitet dhe nuk mund të mbrohet me imunitet deputeti, ndërkohë që duhet të përgjigjet në bazë të kodit penal për veprën e kryer".



Jozefina Topalli:


"Jam e tronditur nga mënyra se si zonja Leskaj e trajtoi atë që ka ndodhur. Është shumë e rëndë, është shumë e turpshme, është e papranueshme.

Zotëria në fjalë ka tradhtuar moralin e PD-së, ka tradhtuar shqiptarët që e kanë votuar, nuk mund të trajtohet aq butë sa e trajtoni ju zonjë, është shumë e rëndë.

Si Kryetare e Parlamentit, nuk kërkoj vetëm lënien e imunitetit, do t'i kërkoj që të lëshojë mandatin.

Se mandati i tij nuk përfaqëson asnjë qytetar shqiptar që e ka votuar. Si nënë jam e tmerruar, e frikësuar, sepse kemi fëmijë dhe që nuk mund të imagjinohet... Përshëndes Kryeministrin Sali Berisha që, për 4 minuta, e ka shkarkuar".

Valentina Leskaj:


"Nuk ju shkon abuzivizmi, mos kujtoni se me abuzivizmin tuaj do të bëheni jorgan i qeverisë së skandaleve.

Unë e thashë qartë, jo vetëm heqjen e imunitetit, por i jam referuar dhe kodit penal, që ai të shkojë atje ku e ka vendin. Nuk thashë afate dënimi, se kjo është diferenca mes nesh dhe jush.

Atë e kanë institucionet që zbatojnë ligjin. Nëse keni parë ligjin, kam thënë se ky njeri turpëron Parlamentin. Duhet hequr nga Parlamenti dhe duhet të përgjigjet në bazë të Kodit Penal. Nuk mund ta kapërceni hallin tuaj duke akuzuar opozitën.

Nuk mund të pastroni njollat tuaja, duke u përpjekur që t'ia kaloni opozitës. Ky është morali i qeverisë suaj".

Astrit Patozi:


"Ju sot po përpiqeni të përftoni kredencialet e rrënuara politike me një histori, e cila është mbyllur vetëm 5 minuta pasi ka ndodhur.

Nuk është ai standardi që ne kemi vendosur, standardi që kemi vendosur dhe vazhdojmë ta mbajmë, është veprimi pas kësaj.

Një mazhorancë, një qeveri, nuk mund të identifikohet në rast se njëri prej nesh, apo disa prej nesh, bëjnë veprime të ndryshme.

Standardi përcaktohet pas mënyrës se si reflektohet. Ju jeni opozita që ka bashkëpunuar me skandalet dhe të gjitha skandalet që keni pasur gjatë kohës që qeverisnin. Ka pasur skandale më të rënda, ka pasur raste të ngjashme, që kanë përfunduar edhe më keq.

Ju keni kryetarin tuaj, i cili prej 3-4 vjetësh qarkullon i zhveshur para qytetarëve shqiptarë... Ju bashkudhëtoni me skandalin, se jeni vetë skandali. Ne u kemi dhënë shqiptarëve standarde që janë dorëheqje, edhe në rast ... dhe ju i dini rastet".

Musa Ulqini:


"Në një transmetim të paprecedent, ne ndoqëm ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, të keqpërdorte në mënyrë të turpshme postin shtetëror të ministrit, në një përpjekje amorale dhe antiligjore, për të përfituar nga hallet e njerëzve në nevojë, të cilët në përputhje me ligjet e shtetit, trokasin në zyrat e institucioneve për të kërkuar punë. Ngjarja që shqiptarët ndoqën, është, padyshim, një skandal i turpshëm.


Një skandal po kaq i turpshëm është edhe mënyra sesi keni vepruar ju, zonja Kryetare, dhe kupola e PD-së, për ta mbyllur këtë turp, për të cilin Berisha dhe ju kishit dijeni prej disa ditësh".

Genc Pollo:


"Çdo veprim apo mosveprim, ka një natyrë individuale dhe përgjegjësia është e tillë. Por, përtej kufirit të përgjegjësisë individuale, është edhe përgjegjësia e të tjerëve, pra përgjegjësia e eprorit apo e forumeve politike, të cilët gjithashtu gjykohen nga veprimet apo mosveprimet e tyre.


Dhe ne kemi një përvojë në Shqipëri, përvojë 18-vjeçare, gjithashtu, dhe vendet e tjera më të zhvilluara dhe me demokraci më të pasur, kanë një katalog jo të vogël skandalesh, madje dhe shumë të ngjashëm.


Por, ndërkohë që indinjata morale e atij që abuzon me detyrën në këmbim të favoreve, qofshin këto të natyrës financiare ose të natyrës seksuale, është e natyrshme, është legjitime dhe duhet përkrahur.


Por, nuk duhet parë kaq, pasi duhet të shohim sesi reagohet dhe këtu kemi një rast konkret, kemi reagimin e menjëhershëm të Kryeministrit, që nuk toleroi që, një person, i cili në mënyrë të turpshme u paraqit duke u abuzuar me ofiqin publik, të mund të vazhdonte të mbante këtë ofiq".

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›