E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bosch: Zgjedhjet të jenë të lira dhe të ndershme

Ambasadori i OSBE-së vëzhgon ecurinë e procesit të aplikimit të qytetarëve për karta identiteti

TIRANË- Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Robert Bosch, deklaroi dje se zgjedhjet e ardhshme duhet të jenë të lira dhe të ndershme. I pranishëm bashkë me zv.ministrin e Brendshëm, Ferdinand Poni, në Njësinë Bashkiake Nr.7 në Tiranë, për të vëzhguar nga afër ecurinë e procesit të aplikimit të qytetarëve për letërnjoftime elektronike, Bosch beri thirrje që të gjithë qytetarët të pajisen me karta identiteti.

"Ne si OSBE jemi të interesuar për të pasur zgjedhje të lira e të mira, e për këtë arsye jemi të interesuar gjithashtu që, njerëzit të vijnë sa më shpejt të jetë e mundur për t'u pajisur me karta identiteti.

Me sa shoh, aktualisht punonjëset e kësaj zyre nuk janë të gjitha të zëna, si dhe nuk ka radhë të gjata. Në këtë zyrë ka pesë fronte pune dhe po aplikojnë vetëm dy qytetarë.

Njerëzit nuk po vijnë aq shpejt sa duhet, pra ka më shumë kapacitet se ata që vijnë, në një kohë kur procedura e aplikimit zgjat vetëm pesë minuta",- tha ambasadori Bosch. Nga ana e tij, zv-ministri Poni i shpjegoi ambasadorit Bosch mënyrën e aplikimit dhe e informoi atë se në zyrat e aplikimit punohet deri në orën 21:00 të mbrëmjes. Poni u shpreh se është i domosdoshëm interesimi maksimal i qytetarëve, të cilëve u bëri thirrje të shkojnë për të aplikuar, pasi edhe koha është e shkurtër.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›