E Shtunë, 31 Tetor 2026

7 minibashkiakë, Ramës: Jep dorëheqjen!



Shtatë krerë minibashkie i kërkojnë kryebashkiakut Edi Rama, që të japë dorëheqjen pas rrëzimit të buxhetit për 2009. Në një deklaratë të përbashkët krerët e këtyre minibashkive reaguan ndaj qëndrimit të dy ditëve më parë të kryebashkiakut Edi Rama, duke e akuzuar këtë të fundit se nuk ka bërë gjë tjetër, veçse ka sjellë një kopje të buxhetit të vitit 2008. Kryetarja e minibashkisë numër 6, Luzhiana Abazi, e pyeta nëse e mbështesin largimin e Ramës, pasi u rrëzua buxheti, tha se dorëheqja e zotit Rama është vetë në dorën e zotit Rama. “Për sa kohë ai nuk bën ndryshim mbi kërkesat që shtrohen nga kryetarët e njësive bashkiake, që janë zëri i komunitetit, atëherë ai duhet të dorëhiqet”, - shtoi ajo. Ndërkohë që Armand Halebi, kryetar i Shoqatës së Njësive Bashkiake të Tiranës dhe kryetar i Njësisë nr.9 i kujtoi Ramës se ky buxhet është një kopje e buxhetit të investimeve apo projekteve të parealizuara për vitin 2008. “Ne jemi sot këtu si shprehës të vullnetit të komuniteteve që përfaqësojmë dhe si mbrojtës të interesave të tyre jashtë përkatësive politike për ti kërkuar. Z. Rama, të marrë në konsideratë prioritetet e kërkuara nga Njësitë Bashkiake, Këshillat Bashkiakë dhe banorët e tyre, t’i pasqyrojë ato në projektbuxhet dhe të mos bëhet pengesë për realizimin e investimeve që ky buxhet të jetë realisht për qytetarët e Tiranës”, - u shpreh Halebi. Ndërsa në lidhje me mundësinë e zgjedhjeve në Këshillin Bashkiak, kryetari i minibashkisë numër 3, Ilir Kokona, tha se ky është problemi i Ramës. “Unë mendoj që Rama duhet të kuptojë nëse është gati të shkojë në zgjedhje. Që nuk është politike, kjo kuptohet shumë mirë, për shkak se ne i kemi miratuar këto edhe në këshillat e njësive bashkiake, ku janë të gjitha forcat politike të përfshira. Pra, nuk duhet të ngatërrohen problemet teknike me problemet politike. Kurse, në qoftë se do të shkojmë në zgjedhje, nëse miratohet apo jo buxheti, kjo tashmë është në dorë të kryetarit të bashkisë, për shkak se ai i di të gjitha propozimet e bëra nga ne, nga këshilltarët dhe është në dorë të tij për t’i reflektuar këto në projektbuxhet”, - deklaroi Kokona. Në këtë pikë ai shprehu dhe mëdyshjet e tij se nuk mund të jetë kryetari i bashkisë ai që mund të bëjë një lojë politike, pavarësisht se vota kundër e këshilltarëve është për çështje teknike. “Nuk flitet që të ndërpritet apo jo mandati i kryetarit të bashkisë apo kryetarit të minibashkisë. Dhe këtu kam frikë se është lojë politike, pasi nuk ndërpritet mandati i kryetarit të bashkisë, por mandati i këshilltarëve. Pra, kjo mund të jetë lojë politike, por të kërkosh buxhetin dhe të kërkosh ato çfarë kanë thënë edhe këshilltarët e PS-së dhe të gjithë bashkë, nuk është politike”, - shtoi Kokona.

Ndërsa, Haki Mustafaj, kryetar i Njësisë Bashkiake nr. 11, tha se Rama nuk ka treguar interes për t’u takuar me 11 kryetar të njësive bashkiake, për t’i dëgjuar ato, qoftë edhe nëse nuk i merr parasysh konsideratat dhe propozimet që kanë. “Ju duhet të kuptoni, që nuk kemi dalë këtu për t’iu kundërvënë Edit, por ne kemi dalë për të mbrojtur komunitetin dhe për të kërkuar atë që i kanë premtuar këshilltarëve dhe ne, dhe ato për të cilat zonat tona kanë nevojë dhe e dinë më mirë ato se vetë Edi”, - tha Mustafaj.

Kryesimi i minibashkive

Minibashkia 1: Lindita Nikolli, PS

Minibashkia 2: Përparim Bodinaku, PS

Minibashkia 3: Ilir Kokona, PS’91

Minibashkia 4: Vaid Kalala, PS

Minibashkia 5: Jeta Seitaj, PS

Minibashkia 6: Luzhiana Abazi, LSI

Minibashkia 7: Pandi Sara, PS’91

Minibashkia 8: Arben Tafaj, PD

Minibashkia 9: Armond Halebi, LSI

Minibashkia 10: Gerti Bogdani, PD

Minibashkia 11: Haki Mustafa, PD

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›