E Diel, 1 Nëntor 2026

PS, Leskaj: Të djathtët nuk kanë besim te Berisha

Raporti i USAID-it dhe IDRA-s ka shërbyer si përplasje mes pozitës dhe opozitës në Parlament.

Socialistët kanë bërë qeverinë përgjegjëse në lidhje me rritjen e korrupsionit. Kryetarja e grupit të PS-së, Valentina Leskaj, deklaroi dje se "edhe vetë qytetarët me bindje të djathta kanë humbur besimin te qeveria e tyre". "Raporti thekson qartë se ka rënë besimi te qeveria. Në raport flitet për korrupsionin e vitit të kaluar, por në rast se bëhet raporti për 2008-ën, të jeni të qartë se me ngjarjen e Gërdecit, korrupsioni do të shënojë shifra marramendëse. Se s'ka si të ndodhë ndryshe, kur kryeministri mbron persona të inkriminuar dhe i mban në poste kyçe", tha Leskaj në fjalën e saj. Ndërsa deputeti i PD-së, Bujar Leskaj, kërkoi që maxhoranca të votojë sa më parë ligjin për kufizimin e imunitetit. "Besimi i publikut te politika ka rënë dhe ne duhet të reflektojmë e të japim zgjidhje, duke hartuar një ligj përsa i takon imunitetit. Një ligj i tillë, që do t'i konsideronte deputetët të barabartë para ligjit si të gjithë qytetarët, do t'i përgjigjej zhvillimeve të vendit", tha Leskaj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›