E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pas sondazhit, Berisha: Lufta ndaj korrupsionit solli NATO-n

Një ditë pasi sondazhi i USAID-it nxori perceptimin e korrupsionit te shqiptarët në masën 92%, Kryeministri Berisha deklaroi dje se ftesa në NATO erdhi pikërisht nga lufta kundër korrupsionit. 

ADI SHKEMBI

Në vijim të turit "Shqipëria në NATO", kreu i qeverisë u takua dje me të rinj në "Qytetin Studenti". Në fjalën para të rinjve, një prej pikave kryesore të Kryeministrit ishte pikërisht lufta kundër korrupsionit. "Ne morëm ftesën për anëtarësim në NATO, sepse qeveria tregoi një vullnet të hekurt në luftën kundër korrupsionit. Sot vërtet ka korrupsion, por nuk ka më zyrtarë me konflikte interesi, sikurse ishin më parë me monopole në ushqime, monopole të naftës dhe monopole të tjera. Akti i parë i kësaj qeverie ishte nxjerrja e saj jashtë konfliktit të interesit. Sot ende ka korrupsion, por dua t'ju njoftoj ju se administrata e sotme ka shpenzime operative rreth 31 për qind apo 110 milionë euro më pak sesa administrata para saj", u shpreh kreu i qeverisë. Sipas tij, "sot vërtet ka korrupsion, por duke luftuar korrupsionin në taksa, tatime dhe dogana ne ia kemi dalë, me gjithë uljen më të madhe të taksave në Evropë, të mbledhim në buxhetin e shtetit rreth 1.2 miliardë dollarë dhe kjo përbën një nga rritjet financiare më madhore të Shqipërisë". Duke u ndalur në investimet e qeverisë në fushën e arsimit, Kryeministri Berisha tha se është bërë realitet premtimi i dhënë tre vjet më parë gjatë fushatës elektorale për t'u hapur dyert e universiteteve të gjithë nxënësve që përfundojnë gjimnazin. Sipas tij, në këto vite të mandatit qeveritar të koalicionit të djathtë, u bë e mundur dyfishimi i buxhetit në universitete si dhe rritja e numrit të studentëve nga 52 mijë në 100 mijë. "3 vjet më parë ju premtova se në çdo shkollë do të ketë internet, dhe unë ju informoj se deri në fund të këtij viti, të gjithë të rinjtë në shkollat e Shqipërisë do të mund të lundrojnë në internet. Me shpejtësi do të shtrihet mësimi elektronik dhe të rinjtë do të kenë aksesin më të plotë në shoqërinë e informacionit, pasi mosha dixhitale e bën Shqipërinë më të re", vijoi më tej Kryeministri Berisha. Duke informuar më tej mbi projektet e qeverisë në fushën e arsimit, Kryeministri u ndal te fondi i ekselencës, duke ftuar rektorët e universiteteve "që të bëjnë projekte, pasi qeveria do t'i financojë ato". Kryeministri Berisha duket se nuk ka lënë pa ironizuar pak edhe kryetarin e Bashkisë së Tiranës, njëherësh kryetar i PS-së. "Ne po investojmë për një Shqipëri të pastër. Dua t'ju them se nuk duhet ta gjykojmë pastërtinë e Shqipërisë nga Tirana. Tirana nuk është e pastër për shumë arsye, por para së gjithash Tiranës i nevojitet një trafik krejt tjetër. Ne do të bëjmë çmos që Tiranën, pavarësisht se drejtohet nga socialistët, ta ndihmojmë për të dalë nga ndotja", theksoi Berisha. Në të njëjtën kohë, kreu i qeverisë premtoi rritje të investimeve në infrastrukturë, duke thënë se këtë vit po investohen në rrugë rreth 1.1 miliard dollarë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›