Rama: Turi "Shqipëria në NATO", Berisha po fsheh dështimet
Kryetari i PS-së komenton turin paralel që po zhvillon kryeministri Sali Berisha
TIRANË- Turi "Dialog me Shqipërinë" i kryetarit të PS-së, Edi Rama, është ndalur në qytetin e Durrësit, ku në qendër të tij ka qenë pikërisht rinia dhe problemet që shqetësojnë atë. Gjatë një bashkëbisedimi me të rinjtë durrsakë, kryetari i PS-së për herë të parë ka pranuar të komentojë turin paralel që ka ndërmarrë kundërshtari i tij politik, Sali Berisha. Duke ironizuar këtë nismë, lideri i opozitës ka theksuar se kryeministri po përpiqet që nëpërmjet këtij turi të fshehë dështimet dhe premtimet e pambajtura të qeverisë së tij. "Është për të ardhur keq, që Kryeministri i Shqipërisë ka ndërmarrë një tur, që është një kopje e keqe e "Dialogut tonë me Shqipërinë". Për më tepër është edhe një shfaqje realisht e trishtuar, pasi ky është një kryeministër që po mbyll vitin e tretë të mandatit të tij dhe nuk është një kryeministër nga i cili sot shqiptarët dhe shqiptaret presin premtime të reja, por një kryeministër nga i cili sot qytetaret dhe qytetarët e vendit presin t'u thotë, ku shkuan premtimet e vjetra?!", - u shpreh Rama gjatë fjalës së vet. Gjithashtu ai nuk ka ngurruar që ta akuzojë atë për keqpërdorim të të rinjve të cilët vazhdojnë të gënjehen me premtime të pambajtura nga kryeministri. "Është për të ardhur keq, që Kryeministri i Shqipërisë, i vitit 2008, i Shqipërisë së shekullit të ri, i Shqipërisë së të rejave dhe të rinjve, që sot e gjithë ditën janë në pamundësi për të udhëtuar lirisht në Evropë, ka ndërmarrë një tur, duke arritur edhe të keqpërdorë të rejat e të rinjtë e Qytetit Studenti, ku sot jetohet më keq se 17 vjet më parë, nga pikëpamja e kushteve", - theksoi kryesocialisti. Ndërkohë duke u ndalur tek slogani i këtij turi, pra marrja e ftesës për në NATO, Rama është shprehur se kjo ngjarje po përdoret nga Berisha si një arritje personale. Ndërkohë që, sipas tij, marrja e ftesës nga ana e Shqipërisë në samitin e Bukureshtit ishte finalizimi i përpjekjeve shumëvjeçare të shqiptarëve. "Është për të ardhur keq, që sot kryeministri, 3 vjet nga fillimi i punës së tij, fshihet pas flamurit të NATO-s. A thua se flamuri i NATO-s, mjafton për të mbuluar të gjitha mosrealizimet?! Për të fshirë të gjitha ato premtimet për të cilat ai dhe qeveria e tij, u krijuan?!A thua se flamuri i NATO-s është një arritje e qeverisë, jo një arritje që aleatët tanë të mëdhenj ia njohën popullit shqiptar?! A thua se flamuri i NATO-s është flamuri i partisë dhe jo flamuri i një aleance ku Shqipëria hyri me shumë vonesë, në radhë të parë për shkak të politikës së vjetër të Sali Berishës", - ka pohuar Rama. Situata në vend dhe tranzicioni i pafund, kushtëzon sipas Ramës shqiptarët që të lënë pas të shkuarën dhe të bëhet pjesë e procesit transformues që PS ka nisur me politikën e re. Në këtë kuadër, ai ka garantuar të rinjtë e këtij qyteti se PS do të mund të hartojë një program politik dhe qeverisës plotësisht të zbatueshëm në praktikë.