E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qendër e re për lehtësimin e procedurave për investime



nertila maho

Investitorët e interesuar për sektorin energjetik do t’i nënshtrohen procedurave më të lehtësuara, që do të mundësohet nga Qendra Kombëtare e Aplikimeve Energjetike. Kjo është reforma më e re e Qeverisë, të cilën dje e ka bërë publike për mediat, Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti. “Brenda QKL do të krijohet një drejtori e re, e cila do të merret vetëm me aplikimet energjetike, me të gjitha lejet dhe licencat që investitorët duhet të marrin në procesin e zbatimit të një koncesioni në fushën e energjetikës” tha Prifti. Nga e hëna, sikurse konfirmoi ministri, do të ngrihet një grup pune që do të merret me ndryshimet ligjore dhe nënligjore, çka do të pasojë më vonë edhe me përzgjedhjen dhe trajnimin e personelit të kësaj Qendre të re, e cila brenda disa javëve do të fillojë funksionimin. Synimi i kësaj reforme, sipas kreut të Energjetikës, është lehtësimi i procedurave duke qenë se pas dhënies së lejes koncesionare janë edhe 60 leje të tjera që duhen marrë, për të filluar investimin dhe për të zbatuar atë deri në fund. “Të gjitha këto leje dhe licenca do të trajtohen nga Qendra Kombëtare e Licencimit, për të lehtësuar në një mënyrë të jashtëzakonshme realizimin e investimit energjetik. Ne kemi bërë një kontroll të të gjitha koncesioneve, që janë dhënë deri tani dhe kemi vërejtur që ka shumë burokraci e shumë pengesa pas dhënies së koncesionit”. Sipas ministrit, ky ishte një motiv për të ndërhyrë në mënyrë që të rritet eficenca e investimit, për ta përshpejtuar, për të goditur korrupsionin dhe për ta bërë hedhjen në treg të energjisë së re në një afat të shpejtë.
Koncesionet
Ministri Prifti theksoi edhe njëherë dje se energjetika është fusha e investimeve më vitale që ka sot Shqipëria, ndërkohë koncesionet në energjetikë mund të konsiderohen si të suksesshme. “Nga 114 koncesione që janë dhënë, rreth 40 kanë filluar punë dhe janë pothuajse gjysma e tyre në proces të përfundimit të punimeve dhe shumë shpejt pritet të fillojë hedhja e energjisë në rrjet”, tha ai. Lidhur me “tregtimin” e lejeve për koncesionet, ministri u shpreh se kompanitë në momentin që nuk i kanë zbatuar i kanë nxjerrë në shitje. “Nuk është ndonjë praktikë biznesi e ndaluar nga legjislacioni shqiptar. Ata kanë të drejtë të krijojnë kompani të përbashkëta me të tjerët, të shesin një pjesë të aksioneve, si çdo kompani në të gjithë botën”, tha Prifti. Ndërkohë, që në një panoramë të investitorëve që kanë qenë më të interesuar për sektorin energjetik në Shqipëri, ministri renditi disa. “Kryesisht mbizotërojnë koncesione të përbashkëta mes kompanive shqiptare dhe kompanive të huaja. Vendin e parë në këto koncesione e zënë investitorët italianë, ku mund të them se janë përfshirë në rreth 50 për qind të koncesioneve të dhëna, pastaj ka kompani gjermane, austriake, izraelite, ka kompani norvegjeze, greke”, tha kreu i Energjetikës. Interesit të medias për ngritjen e centralit bërthamor në Shqipëri, ministri ju përgjigj duke nënvizuar se aktualisht është e nevojshme që të krijohet terreni i duhur, duke qenë se interesi ka qenë i madh. “Unë nuk mund them që realiteti i një centrali bërthamor në Shqipëri është shumë i afërt, sepse ne kemi akoma kohë për t’u përgatitur, për të krijuar të gjithë legjislacionin, për të krijuar një ekip të duhur që të njohë këtë lloj industrie, që të ketë mundësi që ta monitorojë këtë lloj industrie”, tha Prifti.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›