Ndoka:Berisha të mbledhë tryezën e mazhorancës për reformën
Klasa politike shqiptare i ka dhënë fund ditëve të “paqes” së imponuar nga marrja e ftesës së anëtarësimit të Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut dhe i është rikthyer debatit politik aty ku e kishte lënë, pra, tek reforma zgjedhore. Vendosmëria e partive të mëdha, PS dhe PD, për të miratuar ndryshimin e sistemit zgjedhor në Kushtetutë pa një konsensus të gjerë, ka bërë që të “vegjlit” reagojnë ashpër, duke shprehur mospajtimin e tyre. PDK, si një nga forcat më të mëdha aleate të partisë në qeverisje, e konsideron nismën për amendimin e Kushtetutës pa konsensus, si një aventurë. Sipas kreut të kësaj force, Nard Ndoka, është e panevojshme që ndryshimet kushtetuese të bëhen të veçanta nga ato në Kodin Zgjedhor. Ai ka kërkuar që këto ndryshime të diskutohen një herë në Komisionin e Reformës Zgjedhore dhe të kalojnë si një paketë e tërë për miratim në Kuvend. “Kjo është një aventurë e PS dhe nëse kjo gjen mbështetjen edhe nga PD, atëherë kjo është shumë e rrezikshme. Ne duhet t’i kundërshtojmë këto nisma”,- tha Ndoka. Duke vijuar në qëndrimin e vet, Ndoka, që është dhe pjesë e kabinetit qeverisës, ka kërcënuar PD-në se në rast se nuk do të ketë një reflektim në këtë drejtim, atëherë PDK do të marrë vendimet e veta, qoftë edhe në drejtim të bashkëpunimit qeverisës. “Në rast se do të ketë tendenca për vazhduar në këtë drejtim atëherë ne do të mbajmë qëndrimet tona, qofshin këto edhe refraktare”,- u shpreh Ndoka. Në mënyrë që marrëdhëniet brenda koalicionit të mos shkojnë në një pikë pa kthim, Ndoka ka bërë të ditur se i ka kërkuar kryeministrit Sali Berisha që të mbledhë sa më parë tryezën e partive të djathta, për të diskutuar dhe rakorduar qëndrimet e përbashkëta. “Ne i kemi kërkuar edhe kryeministrit Berisha, si kryetari i partisë më të madhe të mazhorancës, që të mbledhë tryezën e partive të mazhorancës, për të mos pasur nisma të njëanshme”,- tha Ndoka. Ndërkohë, përsa i përket ndryshimeve në qeveri, ai është shprehur se ato duhet të bëhen vetëm pas një analize të thellë për çdo sektor.