Tenton ti ikë shpërthimit, plagoset kinezi
FUSHË-KRUJË – Tentonte t’i largohej goditjeve të shpërthimit, por përfundon këmbëthyer. Specialisti kinez i ndërtimit Sheng Ulung, u dërgua në spital, ku mësohet të jetë në gjendje jo të rëndë. Ndërkaq, burimet zyrtare u shprehën se policia shoqëroi në komisariat pronarin e firmës ndërtuese, si dhe punëtorin që po merrej me shpërthimin e minave. Sipas shpjegimeve të dhëna, pasditen e së mërkurës po punohej për çeljen e një sheshi ku pritet të ndërtohet fabrika e çimentos, e pikërisht në fshatin Borizanë të Fushë-Krujës. Në këtë vend ishte i pranishëm edhe 34-vjeçari Sheng Ulung. Nuk dihet nëse ka qenë ndonjë mosmarrëveshje për kohën e shpërthimit apo mosdijeni për kohën, që ka çuar në trembjen e specialistit kinez. Si rrjedhojë, pas ndezjes së minave, shpërthimi i të cilave do të shkaktonte thyerjen e gurëve, 34-vjeçari ka vrapuar për t’u larguar prej atij vendi. Por, si pasojë, ka mbetur i vrarë në këmbë, edhe pse fatmirësisht mësohet të mos ketë pësuar asnjë dëm tjetër. Nga ana e policisë, pas shoqërimit për në spital të të plagosurit u shoqëruan për t’u marrë në pyetje pronari i firmës ndërtuese, si dhe punëtori që po shpërthente minat. Prej tyre dhe prej vetë 34-vjeçarit kinez pritet që të merret një version më i qartë për ngjarjen e ndodhur.