PS: Nuk e njohim komisionin. Bumçi: Veprojnë për interesat e Ramës
Grupi parlamentar i Partisë Socialiste vendosi dje që të nisë protestat, si pasojë e mostransparencës së mazhorancës për zgjedhjet e kaluara, ndërsa Partia Demokratike akuzoi se opozita po ndërmerr veprime të nxituara vetëm për interes të Edi Ramës. Paraditen e djeshme, deputetët socialistë, pas një mbledhjeje grupi në selinë rozë, rikonfirmuan qëndrimet e mbajtura ditët e fundit, për një reagim të organizuar qytetar, pas dështimit të seancës parlamentare të 18 marsit dhe gjetjes së konsensusit mes palëve. Deputetja e PS-së në Tiranë, Vasilika Hysi, pas përfundimit të mbledhjes deklaroi se opozita nuk kishte ndërmend të tërhiqej nga mbrojtja e kauzës së saj. “Nuk bëjmë asnjë hap mbrapa në përpjekjen për të shpëtuar zgjedhjet e ardhshme dhe demokracinë në Shqipëri”, theksoi ajo, duke folur në emër të grupit socialit. Në këtë mënyrë, deputetët socialistë kanë rënë dakord me vijën e ideuar nga kreu i selisë rozë, Edi Rama, për rinisjen e një fushate protestash në mbarë vendin, me synim imponimin e një zgjidhjeje për hetimin e zgjedhjeve të fundit. Po kështu, zyra e shtypit të PS-së thekson se në funksion të masave organizative për lëvizjen e re, deputetët socialistë do të zbresin në bazë, me synim koordinimin me degët e partisë në rrethe. Në njoftim theksohet se ky është vetëm një hap paraprak, që sipas gjasave do të duhet të marrë miratimin final nga Asambleja Kombëtare, që do të mblidhet shumë shpejt. Por socialistët ende nuk kanë ndërmarrë një vendim nëse do të vijojnë ta bojkotojnë Parlamentin apo do të jenë pjesë e tij. Ky vendim pritet të ndërmerret së shpejti nga strukturat e socialistëve.
“Grupi parlamentar i PS-së do të mbrojë kauzën e popullit opozitar për transparencë, duke qenë bashkë me popullin në përpjekjen për lirinë e votës dhe të drejtën e transparencës”, theksoi deputetja Hysi, në lidhje me qëllimin e mbledhjes së grupit socialist. Nga ana tjetër, pas këtij qëndrimi reagoi edhe deputeti i Partisë Demokratike, Aldo Bumçi. Sipas tij, opozita po nxitohet në vendimet e saj, sepse mazhoranca i ka ofruar të gjithë transparencën e nevojshme për çështjen e zgjedhjeve. “E gjithë opozita po punon për interesat personale të kryetarit të saj, Edi Rama, ndërkohë mazhoranca është e vendosur në respektimin e ligjeve të vendit”, konstatoi deputeti demokrat. Sipas tij, opozita në të vërtetë nuk është e interesuar për transparencë të zgjedhjeve të 28 qershorit. Por sipas Bumçit, ishte mazhoranca ajo që vendosi t’i shkonte në fund kësaj çështjeje, duke kërkuar ngritjen e komisionit për të bërë edhe transparencën e mëtejshme të procesit zgjedhor. “Në atë seancë u votua një komision për të cilin edhe vetë Partia Socialiste kishte paraqitur kërkesë”, tha Bumçi, duke theksuar se akuzat e opozitës ndaj mazhorancës ishin të pabaza. Po kështu, sulmet e opozitës ndaj mazhorancës, Bumçi i konsideroi si të paargumentuara dhe në funksion të interesave të ngushta personale të kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama.
#