E Diel, 1 Nëntor 2026

Në qeli 4 persona u vetëvranë, 11 tentuan vetëflijimin

Raporti Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve publikon raportin për problematikën e vitit të kaluar

Në burgjet shqiptare, 4 persona janë vetëvrarë dhe 11 të tjerë e kanë tentuar vetëflijimin. Kjo shifër është publikuar në raportin e veprimtarisë së institucionit për vitin 2009. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka nën administrim 21 institucione të ekzekutimeve të vendimeve penale, prej të cilëve Institutin e Veçantë, një tjetër Institut për të Mitur dhe Qendra Spitalore. Kapacitetet maksimale të institucioneve në vend janë për 4380 persona. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve deklaron se janë shënuar gjithashtu edhe 21 raste të refuzimit të ushqimit në institucionet penale. Arsyet kryesore të ngritura nga të dënuarit kanë qenë ankesa ndaj shërbimit gjyqësor, atij të prokurorisë, si dhe për arsye transferimi nga një institucion në tjetrin. Për vetëvrasjet në raport shkruhet se ato kanë qenë shqetësim serioz i institucionit, ku në shkallë vendi kanë ndodhur 4 raste, ndërsa janë evidentuar 11 raste të tjera të tentativës për vetëvrasje. Sipas tyre, këto ngjarje kanë ardhur si pasojë e problemeve personale të viktimave, mospërballimi i dënimeve afatgjata, si dhe shkaqe të tjera depresive. Sipas drejtuesve ka pasur raste edhe të abuzimit me detyrën dhe për këtë janë ndëshkuar duke u larguar nga detyra 172 punonjës, kurse 196 të tjerë kanë marrë vërejtje dhe paralajmërime për largim nga puna. Burgjet shqiptare kanë trajtuar 32 materiale të institucionit të Avokatit të Popullit në lidhje me përmirësimin e kushteve të jetesës në IEVP, për zgjidhjen e problemeve të ndryshme në qeli të konstatuara nga Avokati i Popullit. Bazuar në letrat dërguar këtij institucioni u është kthyer përgjigje 455 të dënuarve dhe të paraburgosurve në lidhje me kërkesat dhe ankesat e tyre për transferim, njohje amnistie, falje, leje shpërblyese dhe të veçanta, njohjen e ditëve të punës etj. Duke synuar përmirësimin e politikave sociale për rehabilitimin e personave me liri të kufizuar, rëndësi i është kushtuar arsimimit dhe punësimit të të burgosurve. Sipas drejtorit të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, në 4 institucione penale përfundoi procesi mësimor për vitin akademik 2009. Në shkollën e IEVP Fushë-Krujë u morën 16 dëftesa, në Peqin 38 dëftesa, në Korçë 32 dëftesa, Vaqar 7 dëftesa. Për punësimin u ngrit pranë DPB-së Komisioni i Vlerësimit të Punës në Burgje, i cili evidentoi organikat e punës për të burgosurit mbështetur në nevojat për punë të institucioneve. Miratimi i organikave me një numër prej 412 të dënuarish do t’i hapë rrugë për këtë vit lidhjes së kontratave të punës me të dënuarit, ku do të parashikohet shpërblimi nëpërmjet një page që do të mbulohet nga buxheti i shtetit. Numri i të burgosurve të punësuar në IEVP në fund të vitit 2009 ishte 685.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›