E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Nuk hyjmë në Kuvend pa u hapur kutitë

"Topallit t'i vijë turp që përdor postin për të bërë diversion, duke vazhduar gjahun e Sali Berishës"

TIRANË - Partia Socialiste refuzon ftesën e kryeparlamentares, Jozefina Topalli, për tu kthyer në Kuvend.

Në një dalje të posaçme për mediat, deputeti socialist, Saimir Tahiri, duke folur në emër të Partisë Socialiste ka bërë të qartë se grupi parlamentar i kësaj force nuk do të heqë dorë nga vendimi i tij për të mos u bërë pjesë e punimeve të Kuvendit për sa kohë mazhoranca nuk pranon të hapë kutitë e votimit për të bërë transparencën e zgjedhjeve.

"Sali Berisha ta harrojë se Partia Socialiste kthehet nga vendimi i saj mbi marrëdhënien e kushtëzuar me parlamentin. Sali Berisha ta harrojë se PS-ja do pushojë së kërkuari deri në fund, hapjen e kutive dhe zbardhjen e të vërtetës së 28 qershorit", - tha Tahiri në deklaratën e tij për mediat.

Madje, ai ka shkuar edhe më tej, duke e cilësuar letrën që kryetarja e Kuvendit i ka nisur deputetëve socialistë, si një përpjekje të dështuar për të futur përçarjen mes përfaqësuesve të zgjedhur socialistë.

"Jozefina Topallit t'i vijë turp që përdor postin për të bërë diversion, duke vazhduar gjahun e Sali Berishës për të joshur apo për të bërë presion mbi deputetët socialistë, përmes kësaj letre që nuk është asgjë tjetër veçse një kërcënim antikushtetues", - tha më tej Tahiri.

Selia rozë konfirmon edhe një herë se është në detyrimin e saj politike dhe moral që të vijojë betejën për të shpëtuar shqiptarët nga ajo që socialistët e konsiderojnë si keqqeverisje e Berishës dhe familjes së tij.
Në vijim të këtij qëllimi, PS-ja bën të ditur se ai që rrezikon të skadojë është mandati i qeverisë Berisha dhe jo mandati i deputetëve socialistë.

"Beteja e Partisë Socialiste është beteja e shqiptarëve për të shpëtuar nga pushteti i Sali Berishës, Jozefina Topallit dhe të gjithë atyre që çalojnë mendërisht kur flasin për Partinë Socialiste dhe mandatet e deputetëve të saj. Nuk janë mandatet e deputetëve që rrezikojnë të digjen, por është mandati i qeverisë së Sali Berishës që do digjet si një mandat që ushtrohet në mënyrë ilegjitime",- shtoi deputeti socialistë Saimir Tahiri.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›