Veriu i përmbytur, qeveria dhuron 30 mijë euro për Haitin

TIRANË - Në një kohë kur situata e krijuar nga përmbytjet në veriperëndim të vendit akoma nuk është stabilizuar dhe asnjë prej banorëve nuk është dëmshpërblyer për dëmet materiale që i janë shkaktuar, qeveria shqiptare vendos të ndihmojë Haitin, vendin e prekur nga tërmeti, pak ditë më parë.
Në njoftimin për shtyp të Kryeministrisë bëhet e ditur se qeveria shqiptare ka vendosur që nëpërmjet Kryqit të Kuq Ndërkombëtar të dhurojë për Haitin plot 30 mijë euro.
"Kryeministri Berisha i shpreh ngushëllimet autoriteteve më të larta në Haiti për tragjedinë e rëndë nga tërmeti. Haiti, sipas lajmeve shokuese nga ky vend, ka përjetuar një katastrofë njerëzore dhe materiale, të përmasave shumë të mëdha dhe ende të paparashikuara.
Thellësisht i tronditur dhe i prekur nga kjo tragjedi madhore që ka goditur këtë vend, Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, duke i shprehur Presidentit të Haitit, Qeverisë, familjeve të viktimave dhe popullit Haitian, ngushëllimet e tij më të thella, vendosi që Shqipëria, nëpërmjet Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, të dhurojë për këtë vend 30 mijë euro", - thuhet në njoftimin për shtyp të Këshillit të Ministrave.
Shqipëria i shtohet kështu listës së vendeve që po ndihmojnë këtë vend, i cili vetëm pak ditë më parë pësoi një tërmet që shkaktoi një katastrofë të vërtetë, ku mijëra njerëz mbetën të vdekur.
Por, qeveria shqiptare, e cila gjendet në një situatë aspak të favorshme me situatën e krijuar nga përmbytjet në veriperëndim të vendit dhe kur nuk janë dëmshpërblyer banorët e zonave të prekura, qeveria shqiptare dhuron plot 30 mijë euro në ndihmë të Haitit.