Topalli, letër 64 deputetëve të PS-së për bojkotin
"Si kryetare e Kuvendit, në mënyrë të vazhdueshme kam bërë thirrje që çdo deputet i zgjedhur duhet të zërë vend në Kuvend dhe të marrë pjesë në veprimtarinë e tij, në përmbushje të detyrimit si përfaqësues i zgjedhësve", thuhet në letrën drejtuar deputetëve të PS-së, të publikuar nga zyra e shtypit e parlamentit. Duke iu referuar kushtetutës ajo iu kujton atyre që "mandati i deputetit mbaron ose është i pavlefshëm, sipas rastit: a) kur nuk bën betimin ..; b) kur mungon pa arsye mbi gjashtë muaj rresht në Kuvend". "Më 6 mars, mbushen 6 muaj nga mbledhja e Kuvendit në legjislaturën e XVIII-të. Sesioni i ri i legjislaturës mblidhet më 18 janar. Në këto rrethana ju njoftoj se ju keni mundësi të ndërprisni bojkotin dhe të mos lejoni mbarimin e mandatit tuaj për shkak të mos bërjes së betimit, si dhe të mospjesëmarrjes në punimet e Kuvendit për 6 muaj rresht", thuhet në letër. Me këtë, rast kryetarja Topalli i informon deputetët e PS-së se në seancën e parë të hapjes së sesionit të ri në 18 Janar, Kuvendi do të debatojë mbi situatën e emergjencës civile në Shkodër.