Regjistrimi i popullsisë, Godo: Rrit numrin fiktiv të minoriteteve
Politikani dhe historiani Sabri Godo u shpreh se edhe deklarimi i fesë nuk shërben asgjë, përveçse mund të nxisë rivalitete fetare.
TIRANË- Nismën e qeverisë për të kryer rregjistrimin e popullsisë mbi baza etnike dhe fetare, politikani dhe historiani Sabri Godo e cilëson, si të panevojshëm
Për më tepër sipas tij, kjo do të sillte rivalitete fetare dhe do të rriste në mënyrë fiktive numrin e minoriteteve, veçanërisht atij grek. Në një intervistë për gazetën "Shekulli" Godo e shikon këtë edhe si një nënshtrim ndaj interesave greke në Shqipëri.
Ai vë në dukje se Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut që përfaqëson interesat e minoritetit grek, ka insistuar që prej krijimit të saj, që rregjistrimi të kryhej mbi baza fetare dhe etnike. Sipas Godos, kjo do të ishte edhe një justifikim për shtetin grek, për të rritur shifrat e minoritetit të tij në vendin tonë, përtej asaj ç'ka është në të vërtetë.
"Të gjithë ata që marrin pensione nga Greqia kanë ndryshuar dokumente për ndërrimin e kombësive ose edhe ata që kanë dashur një vizë pune apo kanë dashur të shkojnë të punojnë diku, kanë bërë të gjithë këtë gjë.
Ky është një realitet, sikundër thashë. Tani, dikush përpiqet nga Greqia ta nxisë këtë, për të thënë më në fund se në Shqipëri ka minoritet përtej asaj që është në vërtetë dhe që ka më shumë njerëz të kombësisë greke, nga ç'ka në të vërtetë", - tha Godo gjatë intervistës.
Z. Godo si e konsideroni nismën e qeverisë për rregjistrimin e popullsisë mbi baza etnike dhe fetare?
Unë mendoj se, sidomos ky rregjistrimi fetar është pakuptim dhe nuk i shërben ndonjë qëllimi. Rregjistrimi në përgjithësi i popullsisë dhe banesave është një gjë e domosdoshme, por nuk ka pse shtohen edhe tregues të tjerë të tillë, që sipas meje veçse do të krijojnë shqetësim.
Në Shqipëri prej kohe kanë ekzistuar barrierat që ndanin më parë njerëzit e besimeve të ndryshme për t'u martuar ndërmjet tyre. Kurse tani, askush nuk pyet se cilit besim fetar, i përket njeriu tjetër që ka përballë. Kemi për fat të mirë këtë harmoni fetare në Shqipëri. Nuk kemi pse të nxisim rivalitete sepse kjo mua nuk më duket se i shërben ndonjë gjëje tjetër.
Përsa i përket rregjistrimit të përkatësisë etnike të shtetasve, mua më duket se në kushtet e tanishme dhe për 2-3 vitet që vijnë, kjo duhet të lihet mënjanë. Duhet të flasim hapur dhe të pranojmë faktin, se një pjesë e shqiptarëve, që kanë dashur të emigrojnë ose të kenë lëvizje të lirë, kanë pranuar të bëjnë kombësi tjetër.
Kjo ka ndodhur me emigrantët në Greqi. Por, ka edhe nga krahina të tjera të veriut, që janë deklaruar bullgarë, kanë marrë dokumente për të vërtetuar këtë gjë, që është fallco në të vërtetë.
Në qoftë se në këto kushte tani, kur shqiptarët kanë qenë të detyruar të bëjnë gjëra, që janë jashtë dëshirës dhe dinjitetit të tyre, do të çonte në rezultate që nuk i përgjigjen realitetit.
Në ç'mënyrë mund të sjellë rivalitete fetare, rregjistrimi i popullsisë mbi këtë bazë?
Po mund të ketë njerëz të atillë që janë tepër të dhënë pas feve, që mund të shkojnë deri ekstrem.
Mund të çonte në një lloj gare dhe pastaj në shtrirjen më tej të rrejtit të foltoreve, kishave, xhamive dhe manastireve, që kanë mbuluar një pjesë të vendit. Unë nuk shoh ndonjë gjë tjetër se ku mund të na çojë kjo.
A është e pranueshme që popullsia të rregjistrohet mbi baza fetare dhe etnike, kur Kushtetuta i trajton të gjithë në mënyrë të barabartë, pavarësisht besimit fetar dhe përkatësisë etnike?
Kjo ka qenë diskutuar në kohën e Kushtetutës dhe është hedhur poshtë. Sepse një herë, nuk është e domosdoshme, nuk i shërben ndonjë gjëje. Nuk na jep ndonjë të dhënë që të orientohemi për të bërë diçka.
Ndërsa çdo rregjistrim tjetër që mund të bëhet në fushën e ekonomisë ose të problemeve të ndryshme shoqërore, jam dakord me atë që thonë se "këto na duhen për të përcaktuar më mirë detyrimet që duhet të marrë vendi sot dhe në të ardhmen". Punë të tilla më duken krejt të sipërfaqshme dhe nuk na hyjnë në punë për ndonjë gjë.
Historiani Pëllumb Xhufi e ka cilësuar nismën e qeverisë për rregjistrimin e popullsisë mbi baza etnike dhe fetare, si një nënshtrim të Shqipërisë ndaj interesave të shtetit grek, si mendoni, a qëndron një aryestim i tillë?
Mua më duket se Pëllumb Xhufi ka një farë të drejte, meqënëse në këtë çështje kanë ngulur këmbë, sidomos Partia e Bashkimit të të Drejtave të Njeriut, që dihet që përfaqëson interesat e minoritetit grek dhe organizata Omonia. Që prej fillimit ata kanë ngulur këmbë në këtë gjë.
Të gjithë ata që marrin pensione nga Greqia kanë ndryshuar dokumente për ndërrimin e kombësive ose edhe ata që kanë dashur një vizë pune apo kanë dashur të shkojnë të punojnë diku, kanë bërë të gjithë këtë gjë. Ky është një realitet, sikundër thashë.
Tani, dikush përpiqet nga Greqia ta nxisë këtë, për të thënë më në fund se në Shqipëri ka minoritet përtej asaj që është në vërtetë dhe që ka më shumë njerëz të kombësisë greke, nga ç'ka në të vërtetë.
Kombësia
Përsa i përket regjistrimit të përkatësisë etnike të shtetasve, mua më duket se në kushtet e tanishme dhe për 2-3 vitet që vijnë, kjo duhet të lihet mënjanë. Duhet të flasim hapur dhe të pranojmë faktin, se një pjesë e shqiptarëve, që kanë dashur të emigrojnë ose të kenë lëvizje të lirë, kanë pranuar të bëjnë kombësi tjetër.
Kjo ka ndodhur me emigrantët në Greqi. Por, ka edhe nga krahina të tjera të veriut, që janë deklaruar bullgarë, kanë marrë dokumente për të vërtetuar këtë gjë, që është fallco në të vërtetë
Deklarimi
Nuk është e domosdoshme, nuk i shërben ndonjë gjëje. Nuk na jep ndonjë të dhënë që të orientohemi për të bërë diçka. Ndërsa çdo regjistrim tjetër që mund të bëhet në fushën e ekonomisë ose të problemeve të ndryshme shoqërore, jam dakord me atë që thonë se "këto na duhen për të përcaktuar më mirë detyrimet që duhet të marrë vendi sot dhe në të ardhmen". Punë të tilla më duken krejt të sipërfaqshme dhe nuk na hyjnë në punë për ndonjë gjë.
Feja
Regjistrimi fetar është pakuptim dhe nuk i shërben ndonjë qëllimi. Regjistrimi në përgjithësi i popullsisë dhe banesave është një gjë e domosdoshme, por nuk ka pse shtohen edhe tregues të tjerë të tillë, që sipas meje veçse do të krijojnë shqetësim.
Në Shqipëri prej kohe kanë ekzistuar barrierat që ndanin më parë njerëzit e besimeve të ndryshme për t'u martuar ndërmjet tyre. Kurse tani, askush nuk pyet se cilit besim fetar, i përket njeriu tjetër që ka përballë. Kemi për fat të mirë këtë harmoni fetare në Shqipëri.