E Diel, 1 Nëntor 2026

Celulari i katërt, sa e vështirë hyrja në treg

Hyrja në treg e operatorit të katërt celular nuk do të jetë aspak e lehtë, për vetë faktin se Shqipëria ofron një treg prej tre milionë banorësh.

Një tjetër “pengesë” për celularin e katërt shikohet edhe ligji i ri “Për komunikimet elektronike”, i cili sipas metodologjisë në përllogaritjen e tarifave nuk u lë shteg kompanive që të fitojnë në kurriz të abonentëve.

Megjithatë, institucioni përgjegjës, Ministria e Telekomunikacioneve, prej dy muajsh ka nisur procedurën e zhvillimit të tenderit, që mundëson futjen në treg të një tjetër kompanie celulare, me synim rritjen e konkurrencës dhe uljen e tarifave.

Aktualisht ministria nuk e ka ende të qartë se kur mund të zhvillohet tenderi, por siguron se brenda vitit në Shqipëri do të ushtrojnë aktivitetin e tyre katër kompani të shërbimit të telefonisë celulare.

“Gjatë dy muajve të fundit kemi bërë njoftimin e shpalljes së interesit për licencën e katërt celulare, si dhe kemi përgatitur kuadrin ligjor që do të ndiqet për zhvillimin e tenderit. Enti Rregullator i Telekomunikacioneve ka përfunduar ligjin “Për komunikimin elektronik”, në bazë të së cilit ka hyrë në fuqi edhe metodologjia e re e përllogaritjes së tarifave”, tha për “Shqip” ministri Olldashi.

Kreu i Telekomunikacioneve nuk e fsheh vështirësinë që has ky proces, duke e lidhur me numrin e kompanive që janë aktualisht në treg dhe me numrin e abonentëve që ofron vendi ynë.

“Kemi tre kompani celulare për tre milionë banorë. E katërta duhet t’i bëjë mirë llogaritë përpara se të paraqesë ofertën e marrjes së licencës”.

Procesin e bën edhe më të vështirë kushti i palës shqiptare. “Kompania në momentin e paraqitjes së ofertës teknike duhet të marrë përsipër një gamë shërbimesh me tarifa të reduktuara.

Pra, në tender do të fitojë ajo kompani që ofron tarifa të ulëta, si për tregun, ashtu dhe në raport me subjektet e tjera pjesëmarrëse në procedurën e prokurimit publik”, shtoi më tej ministri i Telekomunikacioneve.

Për sa i takon afatit, ministri nuk jep ndonjë datë të caktuar, por shton se ka pasur mjaft interes nga kompani të njohura në arenën ndërkombëtare.  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›