E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trupat izraelite fillojnë tërheqjen nga Gaza



Pas armëpushimit të njëanshëm, forcat izraelite filluan tërheqjen nga Rripi i Gazës pas tri javësh ofensivë kundër lëvizjes islamike Hamas. Izraeli shpalli armëpushimin e njëanshëm, ndërkaq Hamasi tha se do të ndalojë sulmet për një javë në mënyrë që t’u lejojë trupave izraelite të tërhiqen nga Gaza. Izraeli tha se i ka arritur objektivat për t’i dobësuar mundësitë e Hamasit që të sulmojë Izraelin. Kryeministri izraelit, Ehud Olmert, tha se Izraeli nuk është i interesuar që trupat e tij të mbeten në Gazë dhe se dëshiron që ato të largohen sa më shpejt që të jetë e mundur. Udhëheqësi i lëvizjes militante palestineze, Hamas, Ismail Hanija, është shprehur se populli palestinez arriti një fitore të madhe mbi Izraelin. Duke folur në televizion, ai tha se ofensiva trejavore e Izraelit në Rripin e Gazës kishte dështuar dhe nuk kishte arritur t'i gjunjëzonte palestinezët. Në Rripin e Gazës ka filluar pastrimi i rrugëve nga rrënojat e ndërtesave të shkatërruara, ndërsa kostoja e dëmeve nga sulmet trejavore llogaritet në 1.9 miliardë dollarë. Konflikti më i fundit në Rripin e Gazës ka marrë jetën e 1300 palestinezëve, ku më shumë se gjysma janë civilë. Hamasi tha se janë vrarë vetëm 48 luftëtarë.

20 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›