E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS-PD dakord në parim për ndryshimin

25/01/2012  Negociatorët e dy partive takim informal për sistemin e ri zgjedhor

Sistemi proporcional kombëtar do të favorizonte dukshëm partitë e vogla

Dy partitë e mëdha, PS-ja dhe PD-ja, duket se kanë rënë dakord në lidhje me ndryshimin e sistemit nga proporcional-rajonal që është aktualisht në proporcional-kombëtar. Nga një takim informal që kanë zhvilluar negociatorët e të dy partive, aktualisht anëtarë të Komisionit të Reformës Zgjedhore, është rënë dakord që kjo të jetë temë e diskutimeve të mëvonshme pas konsultave dhe me partitë e koalicionit. Burime nga të dy kampet e konfirmuan këtë fakt për gazetën “Metropol”. Sipas tyre, kërkesa ka ardhur nga ana e Partisë Socialiste, e cila me anë të bashkëkryetarit për reformën Damian Gjiknuri ia ka propozuar çështjen në fjalë homologut të tij në PD Ilir Rusmali. Ky i fundit ka rënë parimisht dakord, por për ta lënë diskutimin e kësaj çështje për një kohë tjetër.

Diskutimet

Çështja e ndryshimit të sistemit ka kohë që kërkohet, kryesisht nga partitë e vogla, të cilat së bashku me ndryshimin e sistemimit kërkojnë dhe implementimit e listave të hapura, çka do të thotë se pas daljes së rezultatit do të jenë kryetarët e partive ata që do të vendosin se kush do të hyjë në parlament nga anëtarët. Partitë e vogla e justifikojnë këtë kërkesë me angazhimin që duhet të ketë gjithsecili në fushatë. Por më së shumti ky lloj sistemi, pra sistemi kombëtar-proporcional dhe listat e hapura duket se favorizojnë mbijetesën e partive të vogla dhe shtojnë autoritetin e kryetarëve aktualë.

Opozita

Më herët ishte Edi Rama që gjatë një interviste televizive u shpreh se veç të tjerave ishte dakord për ndryshimin e sistemit zgjedhor, por duhej rënë dakord dhe me liderin e mazhorancës. Në fakt, sistemin aktual ishte vetë PS-ja që e propozoi, por duket se në zgjedhjet e vitit 2009 ishin pikërisht aleatët e saj që u dëmtuan më shumë. Aktualisht në parlamentin e Shqipërisë, përjashto Vangjel Dulen, asnjë nga partitë e tjera aleate nuk mundi të marrë deputet në Kuvend, çka e ka vështirësuar së tepërmi mbijetesën e tyre, por dhe peshën në politikën shqiptare. Pas zgjedhjeve akuzat në adresë të PS-së dhe Edi Ramës në lidhje me këtë çështje ishin të shumta, sidomos nga ana e Paskal Milos, por dhe Skënder Gjinushit.

Mazhoranca

Për sa i përket mazhorancës, duket se ky sistem është mjaft i mirë për të. Aleati i saj më i madh, LSI-ja, në rast se del me partinë demokratike në koalicion, mund të marrë deri në 8 deputetë. Ndërsa për sa u përket të tjerëve, ata duhet të kënaqen me aq sa i jep kryeministri. Nga ana tjetër, dalja me një sistem proporcional të pastër do të favorizonte dukshëm dhe partinë e Bamir Topit, e cila nuk shihet me sy të mirë nga ana e kryeministrit. Gjasat që ndryshimi i sistemit të ndryshojë, pavarësisht rënies dakord të dy partive të mëdha, janë ende të pakta. Kjo sepse ky është sistemi më i mirë për dy kryetarët me elektorat më të madh që të mbajnë nën kontroll partinë si dhe të shmangin situata të pakëndshme, që mund të vijnë nga fuqizimet e aleatëve të tyre

Qëndrimi i LSI-së

"Bëhet fjalë për barazinë e votës së shqiptarëve, një nga kërkesat fondamentale të zgjedhjeve. Ne këtë kërkojmë, asgjë më shumë, asgjë me pak sesa të gjendet një formulë pa prekur Kushtetutën, ku vota e shqiptarëve të jetë e barabartë dhe ndarja e mandateve të jetë e drejtë në bazë të votave të secilit subjekt politik dhe shqiptarët të përfaqësohen në politikë me përfaqësuesit e tyre, për të cilët kanë votuar."

Qëndrimi i PS-së

Në takimin e parë për këtë vit krerët e Opozitës së Bashkuar u mblodhën në një drekë pune, ku diskutuan mbi pritshmëritë në zhvillimet politike. Edi Rama ka garantuar krerët e majtë se PS-ja mbështet kërkesën për ndryshimin e sistemit aktual zgjedhor. Por sipas tij kjo mbetet në vullnetin e mazhorancës qeverisëse për të bërë të mundur realizimin e tij.

Qëndrimi i PD-së

Kryeministri Sali Berisha ka kundërshtuar ndryshimin e sistemit zgjedhor aktual. Sipas tij, nuk është logjike që në çdo katër vjet të ndryshohet sistemi i zgjedhjeve. Berisha është shprehur se nga propozimet më të mira që ka bërë Rama në politikë ka qenë për sistemin zgjedhor dhe ndryshimet në Kushtetutë, sidomos ato për zgjedhjen e presidentit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›