E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS-PD lexojnë politikisht shifrat e raportit të TIA

Pozita dhe opozita lexuan në mënyrat e tyre raportin e "Transparency International" për indeksin e korrupsionit. Partia Socialiste dhe ajo Demokratike akuzuan njëra-tjetrën për zbritjen në renditje që ka shënuar Shqipëria në raport. Sipas deputetit socialist, Saimir Tahiri, të dhënat vërtetuan shqetësimet e vazhdueshme të shprehura nga media, opinioni publik, organizatat e shoqërisë civile, nga partnerët tanë ndërkombëtarë e po kështu nga PS, mbi përhapjen dramatike të korrupsionit në vendin tonë dhe pamundësinë, paaftësinë e mungesën e vullnetit të qeverisë së Sali Berishës për ta luftuar atë. "Pra Shqipëria e Saliut, Shkëlzenit, Argitës, Fazlliçit, Delijorgjit, Rrahmanit, Lulzim Bashës, Sokol Olldashit, Fatmir Mediut, Fari Balliut dhe e tufës mafioze që sot qeveris në ‘Republikën Personale e Familjare‘ të Sali Berishës, ka degraduar në spiralen e rrezikshme të korrupsionit elitar për shkak të atyre që sot gjenden të veshur me imunitetin familjar, ministror e parlamentar e që komandohen e mbrohen prej Sali Berishës", tha Tahiri. Zëdhënësja e PD-së, Erla Mëhilli veçoi dje tre faktorët që e çuan Shqipërinë në një rënie në krahasim me vitin e kaluar. "Informojmë shqiptarët se shkaku kryesor i kësaj rënieje qëndron në qytezën ‘Rama - Delijorgji‘ me 51 pallate. Në praktikën më korruptive në planet të dhënies së lejeve të ndërtimit nga Bashkia e Tiranës për vitin 2008", tha Mëhilli. Dhe kjo rënie, tha ajo, qëndron në procedurën e stërzgjatur dhe tejet korruptive të marrjes së lejeve në Tiranë, për të cilin Edi Rama renditet i 173 në botë me afatin rekord 399 ditë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›