PS-PD, me 81 vota shtyjnë reformën
bledar hoti
Kuvendi shtyn për dy javë mandatin e Komisionit të posaçëm të Reformës Zgjedhore. Mandati i këtij komisioni u shty deri më datë 14 nëntor, me qëllim për të arritur konsensusin e mbetur pezull mes demokratëve dhe socialistëve. Me 81 vota pro, 7 kundër dhe 2 abstenime, maxhoranca i dha dhe dy javë kohë komisionit të posaçëm për hartimin e paketës së plotë të Kodit Zgjedhor. Në këtë seancë kanë votuar kundër deputetët e LSI-së, Pëllumb Xhufi, Ndre Legisi, Spartak Braho, Nikollaq Neranxi, Dritan Prifti, Neritan Ceka i PAD-së dhe Petro Koçi. Ndërsa abstenuan kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule dhe deputeti Leonard Solis i PBDNJ-së. Partitë e tjera kanë shprehur me anë të votës dyshimin për realizimin në kohë të reformës, madje kanë akuzuar PS-PD për mosrealizimin e saj. Kështu reagimet kanë ardhur nga të dyja kahet, si LSI dhe PDK. Pas votimit deputeti i LSI-së, Spartak Braho, njëkohësisht dhe anëtari i komisionit, kërkoi riformatimin e tij, pasi PDR-ja është shkrirë si parti dhe se nuk ka më përfaqësim. Kjo është shtyrja e pestë që i bëhet Komisionit të posaçëm për Reformën Zgjedhore. Ky duket se është edhe limiti i fundit ligjor, që Kodi Zgjedhor të votohet sipas ligjit 6 muaj para zhvillimit të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, të cilat parashikohen të mbahen në muajin qershor 2009. Afati i këtij komisioni ishte 31 tetori, por ngecja e këtij procesi detyroi Kuvendin të shtynte për dy javë punën e ekspertëve dhe anëtarëve. Kësaj here afati final është 14 nëntori.
Ngecja e konsensusit
Pas votimit në Kuvend, bashkëkryetari i Komisionit të posaçëm të Reformës Zgjedhore, socialisti Fatmir Xhafaj, deklaroi dje se puna ka ecur mirë për Kodin Zgjedhor, duke bërë të ditur dhe përplasjet me demokratët. Ndarja e mandateve në zona zgjedhore duket se është pengesa mes dy kampeve politike. "Kodi Zgjedhor nga pikëpamja e punës së ekspertëve pothuajse ka përfunduar. Ka mbetur pjesa për pushtetin vendor, janë rregullimet e fundit dhe disa gjëra që lidhen me një aneks që duhet t'i bashkëngjitet Kodit lidhur me përcaktimin e zonave të administrimit zgjedhor në një qark. Kjo është ajo që mund t'u them për Kodin", deklaroi Xhafaj. Disa ditë më parë, edhe bashkëkryetari demokrat, Ilir Rusmali deklaroi se ekspertët kanë realizuar gjithçka, duke theksuar se përplasja është vetëm për çështje teknike. Ekspertët e të dyja kampeve kanë punuar gjatë këtyre ditëve, por arritja e konsensusit politik nuk është arritur ende mes palëve. Ndërsa mësohet se PS-PD kanë rënë që Komisioni i ri Zgjedhjeve të ketë 7 anëtarë gjithsej, duke hequr dorë nga përbërja me nëntë anëtarë. Gjithashtu KQZ-ja do të jetë institucion i pavarur, me përbërje politike. Ndërsa është hedhur ideja që numërimi i procesit të votimit të realizohet nën vëzhgimin e kamerave filmike. Për këtë ka një pakt politik, por ende nuk është konkretizuar realisht. Pasi një ide e tillë kërkon një votim të përqendruar të votave sipas 12 qarqeve. Filmimi i tyre shihet si një mundësi për apelim në gjykata, pasi çdo votë do të fokusohet nga objektivi i kamerave. Ndërsa ndërkombëtarët kishin marrë garancitë nga dy partitë e mëdha se Kodi i ri Zgjedhor, por konsensusi duket ende i largët.
votimi
Pro shtyrjes së afatit
81 deputetë
Kundër 7 deputetë
Abstenim 2 deputetë
Votat kundër
Ceka PAD
Xhufi LSI
Legisi LSI
Neranxi LSI
Braho LSI
Koçi PS91
Prifti LSI
Abstenim
Dule PBDNJ
Solis PBDNJ
“PD-PS pakt kundër PDK dhe LSI”
Kryetari i PDK-së, Nard Ndoka, akuzoi dy partitë PS dhe PD se po kërkojnë të shkatërrojnë demokracinë. "Kemi fakte dhe prova të pakundërshtueshme se këto dy parti, në pakt të fshehtë me njëra tjetrën, po përpiqen të hartojnë një Kod që ka si pikësynim të godasë dhe të eliminojë rivalët politikë të Ramës dhe Berishës në të majtë dhe në të djathtë. Ky pakt ka vetëm një pikësynim, vjedhjen e mandateve të PDK-së dhe të LSI, penalizimin e tyre politik, vetëm pse këto dy parti nuk janë shndërruar në parti vasale, apo në parti satelite të dy partive të vjetra", theksoi Ndoka.