Gjykata: “Albatros” borxh 27 mijë euro
Fatos Mahmutaj
Shoqëria ajrore "Albatros Airways" duhet t'i paguajë Agjencisë Nacionale të Trafikut Ajror rreth 27 mijë euro për procesin e humbur në maj të vitit të kaluar. Një javë më parë, Gjykata e Tiranës ka lëshuar urdhrin e ekzekutimit në bazë të të cilit ANTA është paraqitur në Zyrën e Përmbarimit, ku ka kërkuar vjeljen e kësaj shume. Vendimi që mban datën 22 tetor 2008, ka si objekt të vetin: "Lëshimin e urdhrit të ekzekutimit të Vendimit numër 3794 datë 21 maj 2007 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, të lënë në fuqi me vendimin numër 1135, datë 10 qershor 2008 të Gjykatës së Apelit Tiranë". Pikërisht ky vendim i dytë, i ka dhënë formë të prerë atij të Tiranës, çka ka detyruar palën paditëse, e cila është fituesja e çështjes, t'i kërkonte gjykatës së Faktit, të lëshonte urdhrin e ekzekutimit. President i shoqërisë ajrore "Albatros" është Aleksandër Hoxha, nipi i ish-presidentit të vendit Alfred Moisiu. Hoxha u përfshi në një konflikt me ish-kreun ANTA, Gazmend Dibra, tashmë Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, duke pretenduar një presion për ndërhyrje te daja i tij, në shkarkimin e ish-kryeprokurorit Theodhori Sollaku. Në vendimin e majit të vitit të kaluar, gjykata ka argumentuar se midis ANTA-s dhe "Albatros Airways" është lidhur një kontratë më 7 korrik 2005, për kryerje të shërbimeve navigacionale. ANTA, në padi ngre pretendimin se megjithë shërbimin e ofruar rregullisht "Albatrosit" për muajt qershor, korrik dhe gusht të vitit 2006 nuk ka kryer pagesën përkatëse. Fillimisht ANTA kërkoi në gjykatë edhe gjobat, sipas përcaktimeve të bëra në kontratë, por më pas hoqi dorë nga ky kërkim. Ndërsa pala e paditur gjatë prapësimeve në proces vuri theksin në faktin se nga ANTA nuk i ishin dorëzuar faturat përkatëse, mënyra dhe afatet e dorëzimit të të cilave ishin të përcaktuara shprehimisht në marrëveshje. Gjykata në procesin e zhvilluar vitin e kaluar pohon se është provuar në gjykim se ANTA i ka ofruar shërbimin "Albatros" dhe se përpilimi e dorëzimi i faturave është bërë konform kontratës dhe për më tepër i janë dorëzuar edhe në gjyq, si kompromis për të zgjidhur çështjen, por që nuk ishin pranuar nga i padituri. Duke llogaritur shumën për këta tre muaj, gjykata i është referuar faturave përkatëse të shërbimit, të cilat janë paraqitur në valutë. Ndërsa në faturën tatimore, ku monedha e shënuar ishte lekë, është llogaritur kursi përkatës i këmbimit, dhe në analizën e debitorëve për vitit 2006, të hartuar nga ANTA, kjo shumë është 26.848.41 euro, të cilat duhet të paguhen nga "Albatros".
Konflikt me ANTA për përgjimin e Dibrës
TIRANE - Kompania "Albatros", kreu i së cilës është Aleksandër Hoxha, nipi i ish-presidentit të Republikës Alferd Moisiu, u bë objekt i shkrimeve të gazetave dhe kronikave televizive në shtator të vitit 2006, pas publikimit të një përgjimi telefonik midis Hoxhës dhe ish-kreut tek ANTA, Gazmend Dibra. Hoxha pretendoi se Didra i kishte bërë presion duke i kërkuar ndërhyrjen te daja, (Moisiu) për të firmosur shkarkimin e ish-kryeprokurorit Sollaku. Për këtë shkak, Dibra u mor në përgjegjësi penale dhe pas procesit gjyqësor mori pafajësi. Aktualisht mban postin e kreut të Burgjeve. Gjatë kësaj kohe ANTA paditi kompaninë "Albatros" për mospagimin e detyrimeve dhe pas procesit që zgjati rreth një vit, fitoi nga gjykata të drejtën për t'u dëmshpërblyer në shumën rreth 27 mijë euro, që pritet të vilen nga përmbarimi. Nuk dihet nëse pala humbëse e gjyqit në dy Shkallët e Para i është drejtuar apo jo Gjykatës së Lartë me rekurs. fa.ma.