Paloka: Sistemi i ri zgjedhor, strategji të reja
Deputeti i Partisë Demokratike, Edi Paloka deklaroi dje, se së shpejti kjo parti do të nisë edhe riorganizimin e saj në kuadër të bërjes gati për procesin e ardhshëm zgjedhor. Në një prononcim për mediat, deputeti i PD-së, Paloka deklaroi se në kuadër të sistemit të ri proporcion rajonal, demokratët kanë nevojë t’i kthehen edhe komunikimit të tyre me bazën. “Ne duhet të bëjmë fushatë kolektive në bazë, sepse sistemi i ri zgjedhor, proporcional rajonali na detyron të dalim si kolektiv, pasi votohet partia dhe në bazë të votave që merr partia, fitohen mandate për deputetë në Kuvend”, deklaroi Paloka në një prononcim për mediat, duke shtuar se edhe vetë kandidatët e kësaj partie do të jenë gjithashtu, të detyruar të bëjnë fushatë. Sipas tij, Partia Demokratike i ka humbur një pjesë të mirë të lidhjeve të saj me elektoratin, për shkak sepse ka qenë më shumë e përqendruar në punët e qeverisë. Por sipas tij, lidhja e munguar do të plotësohet tashmë me rikthimin e kësaj partie në bazë.