E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS-PD në numërimin e votave

Dy partitë e mëdha, PS-PD do të jenë protagoniste dhe në Kodin e ri Zgjedhor. 

Aristir Lumezi

Mësohet se drafti që po konsultohet ende mes dy partive të mëdha, PS-PD, sanksionon që përbërja e komisioneve zgjedhore dhe grupeve të numërimit të ketë tre anëtarë, një përfaqësues të PS, një të PD dhe një gjyqtar. Nëse dy forcat e mëdha do të bien dakord për këtë variant, kjo do të ndezë debate mes tyre dhe forcave të tjera politike parlamentare. Pas ndryshimeve kushtetuese, për të cilat PD dhe PS u akuzuan për pakte të fshehta në kurriz të partive të tjera parlamentare, Kodi i ri Zgjedhor, pritet të rikthejë klimën e ndezur politike në vend. Mësohet se në mbledhjen e sotme të parë të komisionit të posaçëm për Reformën Zgjedhore, pjesëtarëve të partive të vogla parlamentare u është premtuar se ditën e hënë do kenë në duart e tyre draftin e përfunduar për Kodin e ri Zgjedhor. Anëtarë të komisionit të posaçëm për Reformën Zgjedhore, u shprehën dje se varianti më i mirë i përbërjes së komisioneve zgjedhore, duke filluar që nga ai i qendrës së votimit e deri tek Komisioni Zgjedhor Rajonal do të ishte ai me shtatë anëtarë, ku sipas peshës elektorale të partive parlamentare të përcaktohet dhe pjesëmarrja në komisione.
Drafti
Selia rozë ka kohë që punon për Kodin e ri Zgjedhor. Një grup juristësh janë angazhuar pranë PS për të hartuar dispozitat e reja në kodin e ri, i cili duhet thënë se është konsultuar me disa variante kodesh elektorale të vendeve evropiane. Por për t'i ardhur në ndihmë juristëve, në përpjekje për të korrigjuar difektet e vërejtura nga zgjedhjet e fundit, selia rozë shpërndahu pak kohë më parë një pyetësor. Përmes tij, juristëve të njohur dhe ekspertë të çështjeve zgjedhore, u kërkohej të jepnin mendimet dhe opinionet e tyre rreth Kodit të ri Zgjedhor, përbërjes së KQZ-së, varësisë së saj, etj. PS u kërkoi juristëve në pyetësorin e tyre të jepnin mendime për kompozimin e KQZ-së, nëse ajo duhet të jetë një organ permanent apo i pjesshëm. Por ajo që bie në sy, sa i takon çështjes së rindërtimit të KQZ-së, është varësia e saj. Propozimi i socialistëve në pyetësor ishte që KQZ-ja mund të mos jetë një organ më vete, por ai mund të jetë edhe i varur nga Kuvendi, apo dhe nga Ministria e Brendshme. Por pas ndryshimeve kushtetuese të 21 prillit, KQZ nuk është më një organ kushtetues, por i vendosur në Kodin Zgjedhor. Ende nuk dihet se cila do të jetë përbërja e KQZ-së, nëse propozimet për anëtarë të saj do të vijnë nga politika apo do të vijnë nga fusha e jurisprudencës, duke e shkëputur atë plotësisht nga ndikimi partiak.

Reforma, PS-PD zotohen brenda muajit

Dy partitë që gëzojnë edhe veton në Komisionin e Reformës Zgjedhore janë zotuar për të realizuar brenda këtij muaji ndryshimet në ligjin zgjedhor. "Ne jemi të vendosur të bëjmë më shumë se kaq, përtej asaj që është redaktim dhe rishikim i kodit nga këndvështrimi i sistemit të ri", deklaroi bashkëkryetari demokrat, Ilir Rusmali. Ndërsa bashkëkryetari socialist i komisionit, Fatmir Xhafaj, shkoi në të njëjtin vlerësim për rëndësinë e komisionit në zgjidhjen e rregullave të lojës për procesin e ardhshëm elektoral, sipas standardeve më të mira të mundshme. "Qëllimi i PS-së është që brenda muajit korrik të mbyllim këtë proces, pasi zvarritja do të krijonte vështirësi për fazën përgatitore për zgjedhjet e ardhshme", tha Xhafaj. Kryetarja e Kuvendit, Topalli, theksoi se "ekspertët kanë punuar gjatë kësaj kohe dhe deputetët kanë përpara një material të gatshëm". Ndërsa përfaqësuesit e partive të tjera, i LSI-së, Spartak Braho dhe Arjan Madhi i PR-së, u shprehën skeptikë në lidhje me realizimin e reformës brenda korrikut, duke u shprehur se Parlamenti mund të dështojë përsëri me reformën zgjedhore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›