E Shtunë, 31 Tetor 2026

Projekti i PD: Ja si do të hapen dosjet e spiunëve

Pas nisjes së debatit publik për dosjet e sigurimit, deputeti i PD-së, Aleksandër Biberaj, ka depozituar në Kuvend një variant për hapjen e këtyre dosjeve. 

ADI SHKEMBI

Në draftin e propozuar prej tij, i cili është një bashkim i tre drafteve të paraqitura më parë nga PD, PS e PDK, përcaktohen kategoritë që do të verifikohen si dhe papajtueshmëria e funksioneve, çka do të thotë se ish-zyrtarët e regjimit, të cilët kanë mbajtur një seri postesh, të përcaktuara në nenin 4, nuk do të mund të zgjidhen dot në nivele të larta drejtuese. Të tillë janë ish-anëtarët ose kandidatët e byrosë politike, ish-anëtarët ose kandidatët e komitetit qendror të partisë, ish-ministrat, ish-anëtarët e këshillit presidencial etj. Kështu dy prej deputetëve të parë që do të lënë politikën, nëse ky variant i paraqitur nga deputeti Biberaj do të miratohet, janë ish-ministri i Arsimit, Skënder Gjinushi dhe ish-ministri i Brendshëm, Gramoz Ruçi, të cilët bëjnë pjesë në pikën "b" të nenit 4, ku thuhet se "Pastërtia e figurës morale të funksionarit, të përcaktuar në nenin 3 të këtij ligji, është e papajtueshme, me mbajtjen prej tij, gjatë periudhës 29 nëntor 1944 deri më 31 mars 1991 të një prej detyrave të mëposhtme: Anëtarë qeverie, anëtarë i këshillit presidencial, kryetar dhe anëtar i Gjykatës së Lartë, prokuror i Përgjithshëm dhe zëvendës të tij, para zgjedhjeve të 31 marsit 1991". Gjithashtu deputeti i PD-së propozon që për zbatimin e ligjit të ngrihet autoriteti i Kontrollit të Figurave, i cili përbëhet nga pesë anëtarë që propozohen nga Presidenti, Këshilli i Ministrave, drejtori i Përgjithshëm i SHISH, grupi i maxhorancës dhe grupi i opozitës në Parlament. Ndërkohë, në nenin 20 të këtij pr/ligji thuhet se, Autoriteti i Kontrollit të figurave do të nisë verifikimin e zyrtarëve në detyrë sipas nenit 3 të këtij ligji, i cili fillon me Presidentin dhe të dekretuarit prej tij, deputetët e Kuvendit dhe të zgjedhurit prej Kuvendit dhe vazhdon me anëtarët e qeverisë, zv.ministrat etj. Ky proces do të përfundojë brenda gjashtë muajve.

Papajtueshmëria e funksioneve

Pastërtia e figurës morale të funksionarit, të përcaktuar në nenin 3 të këtij ligji, është e papajtueshme, me mbajtjen prej tij, gjatë periudhës 29 nëntor 1944 deri më 31 mars 1991 të një prej detyrave të mëposhtme:
a) Anëtar ose kandidat i Byrosë Politike, anëtar ose kandidat i Komitetit Qendror të PPSH-së, sekretar i parë ose i dytë i komitetit të partisë së rrethit, kryetar ose zv. kryetar i komitetit ekzekutiv të rrethit, me përjashtim të rasteve kur është larguar vetë nga detyra në mënyrë publike;
b) Anëtarë qeverie, anëtarë i Këshillit Presidencial, kryetar dhe anëtar i Gjykatës së Lartë, prokuror i Përgjithshëm dhe zëvendës të tij, para zgjedhjeve të 31 marsit 1991;
c) Zv. Ministër i Punëve të Brendshme, oficer madhor apo funksionar drejtues i organeve të Sigurimit të Shtetit si dhe kryetar dege; punonjës operativ (legal apo ilegal), bashkëpunëtor sekret i organeve të Sigurimit të Shtetit;
d) Bashkëpunëtor si dhe agjent në shërbim të shërbimeve të huaja apo të organeve analoge;
e) I dënuar me vendim të formës së prerë, për krimet kundër njerëzimit, për shpifje apo dëshmi të rremë në procese politike speciale;
f) Anëtar i Komisionit Qendror të Dëbim-Internimeve;
g) Hetues në organet e Sigurimit të Shtetit si dhe prokuror, gjyqtar apo ndihmës gjyqtar në procese politike speciale;
h) Denoncues apo dëshmitar rëndues në proceset politike.

PROJEKTLIGJ PËR PASTËRTINË E FIGURAVE TË FUNKSIONARËVE TË LARTË TË ADMINISTRATËS PUBLIKE DHE TË ZGJEDHURVE

Neni 3
Subjektet e verifikimit
(Varianti I)
Hapen të gjitha arkivat e ish-Sigurimit të Shtetit dhe bëhen publike me përjashtim të atyre që trajtojnë çështje të sigurisë kombëtare.
(Varianti II)
Hapen të gjitha arkivat e ish-Sigurimit të Shtetit, por nuk bëhen publike.
Çdo qytetar i interesuar mund të marrë informacion për veten e vet ose familjen e tij, pranë Autoritetit të Kontrollit të Figurave.
(Varianti III)
Subjekti i verifikimit sipas këtij ligji, janë të gjithë funksionarët publikë, të zgjedhur apo të emëruar, të cilët aktualisht ushtrojnë apo do të ushtrojnë një nga funksionet e mëposhtme:
a) Presidenti i Republikës së Shqipërisë dhe të dekretuarit nga Presidenti i Republikës;
b) Deputetët e Kuvendit të Shqipërisë si dhe të zgjedhurit nga Kuvendi;
c) Anëtarët e Këshillit të Ministrave, zëvendësministrat, sekretarët e përgjithshëm, funksionarët politikë, drejtorët e përgjithshëm dhe drejtorët e drejtorive të dikastereve, si dhe të barazuarit me ta në strukturat e tjera shtetërore;
d) Anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë si dhe gjyqtarët e prokurorët e të gjitha niveleve të gjykatave dhe prokurorive;
e) Funksionarë të lartë të Presidencës, administratës së Kuvendit, të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, të Gjykatës së Lartë, të Gjykatës Kushtetuese, të Prokurorisë së Përgjithshme, sipas rangjeve të caktuara në pikën c;
f) Guvernatorë, zëvendësguvernatorë dhe drejtorët e Bankës së Shqipërisë;
g) Funksionarë në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë, si dhe oficerët me gradë "Gjeneral" dhe "Kolonel";
h) Prefektët, kryetarët e këshillave të qarkut si dhe kryetarët e bashkive dhe komunave;
i) Anëtarët e këshillave të qarkut si dhe të këshillave bashkiake;
j) Funksionarë në Shërbimin Informativ Shtetëror (SHISH), në Shërbimin Informativ Ushtarak (SHIU) dhe në Shërbimin Informativ të Rendit (SHIR);
k) Funksionarë në Gardën e Republikës;
l) Drejtues të Policisë së Shtetit, drejtorë dhe shefa policie në nivel qarku si dhe në nivel komisariati;
m) Diplomatët në përfaqësitë tona diplomatike;
n) Drejtuesit dhe anëtarët e forumeve drejtuese në nivel qendror apo lokal të partive politike parlamentare si dhe të atyre që financohen nga buxheti i shtetit;
o) Drejtues, kryeredaktorë dhe redaktorë të mediave audio-vizive, si dhe të mediave të shkruara me një tirazh ditor më të madh se 2000 kopje në ditë;
p) Akademikë, rektorë/ zv. rektorë, dekanë të universiteteve shtetërore si dhe drejtorët e shkollave të mesme publike.
q) Përfaqësuesit e lartë të komuniteteve fetare me nënshtetësi shqiptare.
KREU II
AUTORITETI I KONTROLLIT TË FIGURAVE
Neni 5
Statusi dhe Përbërja e Autoritetit
Për zbatimin e këtij ligji, krijohet Autoriteti i Kontrollit të Figurave, i cili organizohet dhe funksionon si autoritet i pavarur.
Autoriteti është organ i përhershëm mbikëqyrjeje dhe kontrolli i pastërtisë së figurave të funksionarëve.
Autoriteti përbëhet nga 5 anëtarë, të cilët propozohen si vijon:
a) Presidenti i Republikës;
b) Këshilli i Ministrave;
c) Drejtori i Përgjithshëm i SHISH;
d) Grupi parlamentar më i madh i maxhorancës;
e) Grupi parlamentar më i madh i opozitës.
Anëtarët e Autoritetit miratohen nga Kuvendi i Shqipërisë.
(Varianti I)
Përfaqësuesi i Presidentit zgjidhet kryetar, ndërsa ai i Këshillit të Ministrave n/kryetar.
(Varianti II)
Kryetar zgjidhet i propozuari që merr me shumë vota në Kuvend, ndërsa n/kryetar i dyti sipas votave.
Neni 7
Fillimi i detyrës nga anëtarët e Autoritetit
Anëtarët e Autoritetit fillojnë ushtrimin e detyrës brenda 5 ditëve nga miratimi i Autoritetit.
Neni 8
Përfundimi i detyrës nga anëtarët e Autoritetit
Mandati i anëtarëve të Autoritetit është 5-vjeçar.
Çdo anëtar i Autoritetit zëvendësohet apo lirohet nga detyra, në një nga rastet kur:
a) jep dorëheqjen;
b) nxjerr për të tretë, informacione konfidenciale, të marra gjatë ushtrimit të detyrës;
c) kryen veprime që cenojnë rëndë integritetin e tij;
Kuvendi i Shqipërisë brenda 10 ditësh nga marrja dijeni për një nga rastet e përcaktuara nga shkronjat "a", "b", dhe "c", me kërkesë të Autoritetit apo propozuesit, nis procedurën për zëvendësimin e anëtarëve.
Neni 9
Veprimtaria e Autoritetit
a) Autoriteti organizohet dhe funksionon si autoritet i pavarur, si organ i përhershëm mbikëqyrje dhe kontrolli i pastërtisë së figurave të funksionarëve, sipas kritereve te përcaktuara në këtë ligj.
b) Mbledhjet e Autoritetit janë të vlefshme, kur janë të pranishëm të paktën 4 anëtarë, ndërsa vendim-marrja kur për të shprehen pro ose kundër, të paktën 3 anëtarë, sipas rastit. Ndalohet abstenimi, apo tërheqja e anëtarëve nga votimi.
c) Autoriteti gjatë veprimtarisë së vet, asistohet, nga një personel ndihmës i SHISH, Ministrisë së Brendshme si dhe i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, për të cilët është bërë më parë verifikimi i pastërtisë së figurës. Numri i personelit ndihmës dhe buxheti përcaktohet nga Këshilli i Ministrave.
d) Autoriteti brenda 1 muaji miraton rregulloren e funksionimit. Pjesë e kësaj rregulloreje është edhe mënyra e ndarjes së përgjegjësive dhe e komunikimit ndërmjet Autoritetit dhe stafit ndihmës të tij.
e) Anëtarët e Autoritetit përfitojnë pagën në nivelin e anëtarëve të autoriteteve/enteve të tjera homologe.
Neni 11
Të drejta të Autoritetit
1. Autoriteti shtetëror, në funksion të përmbushjes së detyrave të ngarkuara me këtë ligj, ka të drejtë të kërkojë t'i vihen në dispozicion të gjitha materialet arkivore, duke përfshirë edhe dokumentacionet e Partisë së Punës të Shqipërisë, nga të cilat mund të merren të dhëna për veprimtarinë e Sigurimit të Shtetit dhe të personave të veçantë, që kanë të bëjnë me zbatimin e këtij ligji.
2. Ministria e Brendshme, Shërbimi Informativ Shtetëror, gjykatat dhe prokuroritë, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, janë të detyruara t'i paraqesin menjëherë komisionit, kundrejt kërkesës, të gjitha materialet arkivore të kërkuara.
Neni 12
Nisja e procedurës së verifikimit
Autoriteti vihet në lëvizje dhe nis procedurën e verifikimit të funksionarëve:
a) me kërkesë me shkrim, të titullarit të institucionit apo organit të emërtesës së tij, për funksionarin publik;
b) kryesisht, për të gjithë subjektet e përcaktuara në nenin 3, të këtij ligji.
Neni 13
Detyrimi për njoftime për emërimet apo zgjedhjet e reja
Drejtuesi i çdo institucioni apo organi përfaqësues i emërtesës, depoziton brenda 10 ditësh, njoftimin për emërime apo zgjedhje të reja, në një nga funksionet e përcaktuara në nenin 3, të këtij ligji. Vendimi i emërtesës apo zgjedhjes bëhet i formës së prerë, vetëm pas verifikimit si të pajtueshme të figurës së zyrtarit.
Neni 14
Afatet dhe procedurat e shqyrtimit nga Autoriteti
1. Brenda 30 ditëve, Autoriteti shqyrton sipas procedurës së përcaktuar në këtë ligj, papajtueshmërinë morale të figurës së objektit që kryen një nga funksionet e përcaktuara në nenin 3 të këtij ligji. Në përfundim të verifikimit, Autoriteti procedon si vijon:
a) Kur rezulton se zyrtari është i pa përfshirë (nuk paraqet papajtueshmëri) një kopje e këtij vendimi, i komunikohet sipas formularëve aneksi "A" dhe "A/1" bashkëlidhur këtij ligji, eprorit të institucionit apo organit, që e ka zgjedhur si dhe për dijeni zyrtarit  konkret;
b) Kur rezulton se zyrtari është i përfshirë (ka papajtueshmëri), kopje e vendimit për çështjen, i dërgohet këtij të fundit si material konfidencial, sipas formularit aneksi"B/1", bashkëlidhur. Çdo zyrtar, që në përfundim të hetimit klasifikohet i përfshirë, sipas këtij ligji, i garantohet e drejta për t'u njohur me materialin e shqyrtuar. Komisioni ka detyrim të vendosë në dispozicion të zyrtarit materialin për njohje, vetëm kur zyrtari nënshkruan "formularin për mbrojtje të informacionit të klasifikuar".
2. Kur zyrtari nuk është dakord me vendimin e shkronjës "b'', të paragrafit të parë të këtij neni apo ka pretendime të tjera ndaj komisionit, ai gëzon të drejtën të paraqesë shpjegime me shkrim për çështjen brenda 30 ditëve. Komisioni ka detyrim të shqyrtojë shpjegimet e zyrtarit dhe brenda 10 ditësh nga paraqitja e tyre të vendosë:
a) lënien në fuqi të vendimit, ose:
b) ndryshimin e tij.
Një kopje e këtij vendimi i njoftohet brenda 10 ditësh, zyrtarit dhe institucionit të tij të punës apo organit që e ka zgjedhur. Njoftimi i institucionit kryhet sipas formularit "B". Ky vendim mund të ankohet vetëm sipas procedurës së përcaktuar në nenin 16 të këtij ligji.                                           
Neni 15
Vendimi i Autoritetit
1. Vendimi i komisionit i shkronjës "b", pika 1, e nenit 14, të këtij ligji, është i formës së prerë dhe i pa ankueshëm, kur funksionari apo trashëgimtarët e tij ezaurojnë sipas afateve dhe procedurave përkatëse, mjetet e ankimit të përcaktuara në këtë ligj.
2. Vendimi i komisionit i shkronjës "a", pika 1, e nenit 14 të këtij ligji, merr formë të prerë menjëherë me nënshkrimin e procesverbalit nga të gjithë anëtarët e mbledhjes. Kryetari i komisionit sipas formularit "A" dhe "A/1", nënshkruan vendimin e komunikimit.
Neni 16
Ankimi gjyqësor
Kundër vendimit të komisionit, zyrtari apo funksionari, ka të drejtë të paraqesë ankim në Gjykatën e Lartë, brenda 7 ditëve nga dita e njoftimit të vendimit. Gjykata e Lartë, brenda 15 ditëve nga depozitimi i ankimit, zhvillon shqyrtimin gjyqësor me dyer të mbyllura, në prani të palëve dhe vendos për çështjen. Vendimi është i formës së prerë dhe i pa ankueshëm. Një kopje e dispozitivit të këtij vendimi i komunikohet palëve dhe botohet në "Fletoren zyrtare", brenda 10 ditësh.
Neni 17
Pasojat e vendimit
1. Eprori i institucionit apo organi i emërtesës së tij, menjëherë, pas marrjes së vendimit të komisionit:
a) kur zyrtari është i pa përfshirë, depoziton një kopje të vendimit në dosjen individuale të personelit;
b) kur zyrtari është i përfshirë, depoziton një kopje të vendimit në dosjen individuale të personelit, dhe cakton brenda 3 ditësh, një seancë të mbyllur për t'u informuar, për qëndrimin që do të ndjekë zyrtari në vijim. Gjatë zhvillimit të kësaj seance mbahet procesverbali, i cili firmoset nga të gjithë të pranishmit dhe zyrtari dhe një kopje e tij i dorëzohet në përfundim të seancës edhe zyrtarit. Eprori direkt në përfundim të këtij takimi, ndjek këtë procedure:
i) kur funksionari deklaron/ose depoziton dorëheqjen e menjëhershme nga detyra, eprori, arkivon kopjen e vendimit të komisionit si dokument të klasifikuar;
ii) kur funksionari deklaron se, refuzon dorëheqjen vullnetare eprori i institucionit, arkivon kopjen e vendimit të komisionit, dhe brenda 10 ditësh:
Përfundon marrëdhëniet e punës me zyrtarin, për shkak të padenjësisë së figurës së tij.
Kur zyrtari apo funksionari bën ankim gjyqësor sipas nenit 16, të këtij ligji, eprori i institucionit apo i organit i emërtesës sipas rastit, pezullon nisjen e procedurës në shkronjës "b" të këtij neni, deri në botimin e dispozitivit të vendimit të formës së prerë në "Fletoren Zyrtare''.
Neni 18
Transparenca me publikun
Autoriteti i Kontrollit të Figurave do të publikojë në faqen e vet zyrtare, informacion për numrin dhe identitetin e personave të verifikuar sipas këtij ligji dhe pozicionet përkatëse që ata kryejnë apo kryenin.
Gjithashtu, komisioni bën publike në këtë direktori, identitetin e të gjithë zyrtarëve të kualifikuar si të papajtueshëm për të vazhduar detyrën, për të cilët, eprori i institucionit apo organi i emërtesës, nuk ka përfunduar marrëdhënien e punës brenda afatit 10 ditor të caktuar sipas nenit 17, pika 1 shkronja c.

“Spiunët”, Balla akuzon Topallin

Projektligji për spiunët dhe hapja e dosjeve vazhdon të shkaktojë debate të ashpra politike në Kuvend.

BLEDAR HOTI

Diskutimet jashtë rendit të ditës kanë prekur pikërisht këtë temë të nxehtë të politikës shqiptare, ku palët nuk ngurruan të akuzojnë njëra-tjetrën. Socialisti Taulant Balla në diskutimin e tij e cilësoi si të paprecedentë deklaratën e dy ditë më parë të Topallit, se "në Presidencë dhe në Kryeministri ekzistojnë ish-spiunë dhe ish-bashkëpunëtorë të sigurimit të shtetit". "Çfarë ka ndodhur me ty zonja Kryetare fundjavën e kaluar, që papritmas u kujtove se në sirtarët e Kuvendit ishin pluhurosur 3 projektligje, të cilët me urdhrin tënd nuk lejoheshin të hynin në shqyrtim? Zonja Kryetare, ju duhet të na thoni se pse i keni vonuar këto 3 projektligje për 1 vit e gjysmë? Unë nuk kam asnjë dyshim se ju i keni bllokuar me qëllim", iu drejtua Balla, Topallit. Sipas deputetit socialist, në këto 17 vite ky ligj është përdorur si mjet presioni ndaj politikanëve dhe zyrtarëve të tjerë. "Të lutem më hiq një merak mua dhe disa gazetarëve që kanë publikuar lista pseudonimesh. Çfarë lidhje ka dosja dizenjatorja me Ju. Meqenëse ju keni deklaruar që të largohen spiunët nga Presidenca e Qeveria dhe sigurisht duke qenë se ti je bërë tashmë eksperte hetimesh për këdo në Shqipëri, gjyqtare, prokurore, presidente, deputete, na thuaj edhe ne kush janë spiunët në Qeveri dhe Presidencë. Sulmi yt, zonja Kryetare, është i paprecedentë", theksoi Balla. Ndërsa Topalli i është kundërpërgjigjur se po pret me padurim që të miratohen këto projektligje. "Zoti Balla, je i mërzitur shumë se këto tre projektligjet do t'i kalojmë. Ju asnjëherë nuk e keni pasur seriozisht, por ju jeni përpjekur të abuzoni, të shpifni dhe kjo është një ndër risitë jo të parat, ndoshta periferike apo të cilat ky Kuvend duhet t'i mbyllë gojën të gjithë atyre që shpifin, ndoshta do të shikonin pak përpara brenda familjes së tyre dhe në këtë mënyrë duhet të jenë në rregull me ndërgjegjen e tyre. Në asnjë institucion të shtetit nuk duhet të punojnë njerëz me dosje, dhe aq më tepër në sistemin e drejtësisë, njerëz që kanë marrë pjesë në gjykata politike apo për të mbuluar problemet e tyre apo të familjarëve të tyre", tha Kryetarja e Kuvendit. Ndërsa demokristiani Nard Ndoka ka cilësuar si mjaft të mirë projektligjin e hartuar nga PDK-ja për këtë çështje. "Pavarësisht vonesës, PDK-ja kërkon që kjo iniciativë duhet të shkojë deri në fund. Ish-spiunët e sigurimit të shtetit, së bashku me ish-komunistët fanatikë, kanë pasur një ndikim të jashtëzakonshëm në politikën shqiptare gjatë këtyre viteve të tranzicionit. Ata kanë pasur një ndikim mjaft negativ, penalizues për sistemin e ri demokratik", tha Ndoka. Sipas tij, këto kontingjente ideuan strategjinë e konfliktit permanent politik, sabotuan dialogun dhe tolerancën politike, nxitën dhe u bënë pjesë e grupeve kriminale të trafiqeve, të drogës, instaluan sistemin e korrupsionit, sabotuan institucionet e reja demokratike, mbollën pesimizmin në vlerat themelore të demokracisë".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›