E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Si ndryshohet Kushtetuta

Socialistët kanë paraqitur një draft në lidhje me rregulloren e Kuvendit, e cila po diskutohet në Këshillin e Mandateve dhe Rregullores së Kuvendit. 

Aristir Lumezi

Propozimet e një grupi deputetësh socialistë, Fatmir Xhafaj, Ylli Bufi, Pandeli Majko, Arben Isaraj dhe Kastriot Islami prekin procedurat e ndryshimeve kushtetuese. Nisur nga ndryshimet e fundit kushtetuese, të kontestuara nga partitë e vogla parlamentare, socialistët kanë hartuar disa propozime konkrete për të rritur transparencën e këtyre ndryshimeve dhe për të përfshirë në këtë diskutim një numër sa më të madh aktorësh. Shtesat në rregullore janë bërë në nenin 77 me disa fraksione, rreth "Shqyrtimit të Propozimeve për Rishikimin e Kushtetutës". Socialistët kërkojnë që ndryshimet kushtetuese të bëhen vetëm përmes një komisioni të posaçëm, i cili do të përbëhet nga deputetët e komisionit të Ligjeve dhe i drejtuar nga kryetari i Kuvendit. Në këtë pikë, deputetët socialistë kërkojnë që propozimet për ndryshimet kushtetuese para se t'i dërgohen komisionit të posaçëm, të diskutohen në seancë plenare pas një debati të gjerë dhe të votohen para se t'i paraqiten komisionit. Për çdo propozim kërkohet një relacion i hollësishëm shoqërues që do argumentojë domosdoshmërinë e ndryshimit kushtetues. Më pas komisioni do të organizojë tryeza të hapura me ekspertë të fushave juridike, grupet e interesit, përfaqësues të institucioneve kushtetuese të vendit duke marrë një konsensus sa më të gjerë. Madje, në draftin e paraqitur nga deputetët socialistë, i jepet e drejta komisionit të posaçëm për ndryshimet kushtetuese që propozimet për Kushtetutën të konsultohen edhe me zgjedhësit. "Komisioni vendos për mënyrën e njohjes së projektit nga zgjedhësit, për konsultimin e grupeve të interesit dhe kur çmohet e nevojshme (detyrimisht kur kërkohet nga jo më pak se 5 deputetë anëtarë të këtij komisioni) organizon ngritjen e grupeve me ekspertë konstitucionalistë ose dhe konsultimin me ekspertë të tjerë të fushës", thuhet në propozimin e deputetëve socialistë. Amendamentet kërkohen të miratohen më parë nga komisioni për Rishikimin e Kushtetutës vetëm pasi të kenë marrë dy të tretat e deputetëve të këtij komisioni. Ndërsa në seancën plenare, votimi për miratimin e amendamenteve kushtetuese kërkohet të bëhet detyrimisht i hapur dhe me votë të deklaruar. Amendamentet quhen të miratuara kur për to votojnë më shumë se dy të tretat e deputetëve të Kuvendit.

Rregullorja, shtyhet për sot vendimi

Në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Rregullores u paraqitën disa propozime të reja në lidhje me mënyrën e procesit të shqyrtimit të kandidaturave për anëtarë të Gjykatës së Lartë. Propozime kanë mbërritur nga deputetët e PS-së dhe nga deputetë të tjerë të opozitës. Ndërsa bëhet e ditur se në mbledhjen e sotme, anëtarët e këshillit kanë marrë propozimet konkrete mbi ndryshimet e Rregullores dhe pritet në ditën e sotme të diskutojnë mbi amendamentet e ndryshme të paraqitura. Në këtë mbledhje të djeshme u morën parasysh propozimet e bëra nga relatori Besnik Dervishi si dhe sugjerimet e deputetit Spiro Peçi. Mbledhja kaloi në një frymë konsensusi të plotë, ku relatorët pritet të bëjnë formulimet përfundimtare.

Disa nga propozimet e socialistëve

    Propozimi për rishikimin e Kushtetutës duhet t'i paraqitet me shkrim Kuvendit, të jetë i shoqëruar me një relacion të detajuar i cili duhet të përmbajë argumente të hollësishme për domosdoshmërinë dhe dobishmërinë e ndryshimeve të propozuara.

    Shqyrtimi i projektligjit për rishikimin e Kushtetutës fillon me një debat të përgjithshëm së seancë plenare, e cila mbahet jo më parë se tre javë nga futja e projektligjit në kalendarin e punimeve të Kuvendit.

    Debati fillon me paraqitjen e projektit nga nismëtarët. Pas përfundimit të debatit, Kuvendi voton për pranimin ose jo të nismës për rishikimin e Kushtetutës. Projekti pranohet kur për të votojnë shumica absolute e numrit të deputetëve të Kuvendit.

    Teksti i projektligjit kalon për shqyrtim në komisionin e posaçëm parlamentar për rishikimin e Kushtetutës.

    Komisioni vendos për mënyrën e njohjes së projektit nga zgjedhësit, për konsultimin e grupeve të interesit dhe kur çmohet e nevojshme (detyrimisht kur kërkohet nga jo më pak se 5 deputetë anëtarë të këtij komisioni) organizon ngritjen e grupeve me ekspertë konstitucionalistë, ose dhe konsultimin me ekspertë të tjerë të fushës.

    Komisioni organizon seanca dëgjimore publike me anëtarë të Këshillit të Ministrave, përfaqësues të lartë të institucioneve shtetërore ose publike, ekspertë të shoqërisë civile, përfaqësues të grupeve të interesit si dhe grupime të tjera të interesuara.

    Amendamentet quhen te miratuara kur për to votojnë dy të tretat e deputetëve të komisionit të posaçëm.

    Votimi për miratimin e amendamenteve kushtetuese në seancë plenare bëhet detyrimisht i hapur me votë të deklaruar.

    Amendamentet quhen të miratuara kur për to votojnë më shumë se dy të tretat e deputetëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›